VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KE QENË PRANË MEJE MIJËRA HERË, TË SHIKOJA TY ME GËZIM FËMINOR Poezi nga FRIEDRICH VON HARDENBERG - NOVALIS (Fridrih fon Hardenberg -Novalis, 1772-1801) E Enjte, 11.25.2010, 10:23am (GMT1)     NUK DI SE ÇFARË MUND TË KËRKOJA   Nuk di se çfarë mund të kërkoja nëse do ishte imja ajo qenie e dashuruar, e pafaj, nëse do më quante gëzimin e saj të vetëm, nëse më rrinte pranë, si të isha i saj.   Shumë duke gulçuar kërkojnë rrotull, shtrembëruar në fytyrë, me pamje të mrrolur, gjithmonë veten e quajnë dijetarë, por asgjë nuk dinë për këtë thesar.   Ka asish që mendojnë të zhvatin, por nuk fitojnë as një thërrime ar; kush ikën mbi anije për të zbuluar botën, por si shpërblim s 'do ketë tjetër veçse famë.  Kush dihat për kurorat e fitores, kush rend pas një degëze dafine; kështu të tjerë, të gënjyer, tjetër rreze shprese ndjekin, e askush të pasurohet nuk arrin.   Ai fytyrën e tij nuk jua ka treguar? E harruat atë që ka vdekur për ju? Cili i gjorë do të shkrijë, për dashurinë tonë, jetën në hidhërim dhe torturë?   Asgjë s'paskeni lexuar për të apo ditur, as dëgjuar s'keni për të përvuajturën fjalë? Që erdhi tek ne me një mirësi qiellore, cila hyjni të na e ketë bërë dhuratë?
Si ka zbritur nga qielli tek në këtu, bir i madhërishëm i nënës më të bukur? Çfarë fjale bota ka dëgjuar nga ai, sa kanë pasur shpëtim prej atij?   Si, i kalluar nga shpirti i dashurisë, na e ka dhuruar veten e tij të gjithën, e është ngulur ai në tokën tonë, guri i parë i një qyteti hyjnor.   A nuk iu mallëngjen ky mesazh, a nuk ndjeheni shpirtplotë me këtë krijesë, e nuk ia hapni dyert tuaja, atij që për ju rri varur në humnerë?   Nuk jeni gati të humbni gjithçka, të lirë e të lehtësuar nga çdo dëshirë, për t 'ia kushtuar zemrën tuaj atij vetëmnëse mirësia e tij iu premtohet si shpërblim?   Më merr me vete, hero i dashurisë! Ti je jeta ime, bota ime je ti; shkëpus çdo lidhje me jetën tokësore, e di kush më prin në këtë lundrim.   Ti m 'i zëvendëson dashuritë e humbura,ti më je besnik në përjetësi; përkulet, duke të adhuruar qielli, por t 'i përgjithmonë pranë meje më rri.  TË SHIKOJ TË PORTRETIZUAR   Të shikoj të portretizuar dashurisht, Marie, në pafundësi përfytyrimesh, Por askush nuk të portretizon kurrsesi Ashtu si të përfytyron zemra ime.   Që atëherë e di se përshtjellimi i botës është davaritur për mua si një ëndërr, dhe një qiell i një ëmbëlsie të patregueshme më rri gjithmonë në shpirt dhe zemër.   NËSE NË ORËT E VUAJTJES   Nëse në orët e vuajtjes së ankthshme vërshon në zemrën tonë të zrazët, nëse na bren në intimitet ngashërimi dhe në ngushticën e së keqes nuk ka rrugëdalje; mendojmë për të dashurit tonë të shtrenjtë si dhimbja dhe trishtimi i kapit, nga retë është ndërprerë shikimi ynë tek ne një rreze shprese nuk arrin.   Oh, atëherë Zoti mirësisht priret drejt nesh, arrin dashuria e tij te ne; në bregun tjetër zemërdridhur dihatim, engjelli yt, që kupën e jetës së re, na e sjell, vjen pranë nesh, na del përballë e na jep forcë; nëse ne kërkojmë për të shtrenjtit tanë qetësi, lutja nuk shkon kot.  
KUSH TË KA PARË ã€€ Kush të ka parë një herë, i kurthuar Nuk do të jetë kurrë nga rrënimi, Nënë; larg teje, fundoset në trishtim, do të të dojë gjithmonë me pasion të përvëluar, dhe kujtesa te ai për mirësinë tënde mbetet në lartësitë më të epra të shpirtit të tij.   Përulem para teje me përkushtim pa fund, Ti tashmë e di çfarë më mungon mua. Ji e kthjellët me mua, Nënë e ëmbël, më jep një shenjë gëzimi, atë dua. Gjithë qenia ime pushon në ty, qëndro tek unë qoftë edhe një çast të vetëm.   Aq herë në ëndërrat e mia të kam parë kaq të bukur, dhe në dashurinë intime; zoti i vogël që kishe midis krahëve donte të lëvizte në mëshirë të shokut të tij; por ti rikthehu, duke qarkuar shikimin tënd sublim, midis reve në ngazëllim të pastër.   Unë i palumtur! çfarë të kam bërë? Plot nostalgji, të lutem prapë; nuk jam vendi ku jeta ime gjen paqe, lutjet e tua të shenjta? Mbretëreshë e bekuar, Merre këtë zemër e këtë jetë.   Ti e di, mbretëreshë e dashur, se jam i tëri krejtësisht yti. A nuk e kam prej shumë kohësh në sekretin e zemrës mirësinë tënde? Kur ende nuk e njihja vetveten me qumështin e gjirit tënd mëkohesha.   Ke qenë pranë meje mijëra herë, të shikoja ty me gëzim fëminor; m 'i zgjaste duar- sepse një ditëmund të më gjejë- fëmija yt. Me buzëqeshje të ëmbël e të pastër- oh kohë E parajsës!- një puthje më jepje ti.   Kjo botë e bekuar tani është larg, e prej qëkuri lutja më ka shoqëruar, pafundësisht kam vazhduar të gaboj: A thua kaq rëndë kam mëkatuar? Fëmijë, prek cepin e petkut tënd, Nga kjo ëndërr e rëndë ti më zgjo.   Vetëm një fëmijë mund të të shikojë në fytyrë, me besim ai e pret ndihmën tënde; atëherë kapërceje pengesën e viteve, që unë të bëhem siç isha, fëmija yt. Jetojnë te unë besnikëria, dashuria e fëmijës, nga ajo kohë e florinjtë.   MES MIJËRA ORËVE TË LUMTURA   Mes mijëra orëve të lumtura Që kam përshkuar në jetë, një e vetme ngelet përgjithmonë në mua: ajo në të cilën mes mijëra dhimbjeve unë ndjej në thellësi të zemrës kush për ne vdiq nga vuajtja.   Jeta ime ishte krejt e brejtur Sikur një krimb ta kishte brejtur, vyshkej lulnaja e zemrës ime; çdo e mirë që e kisha apo ëndërroja në jetë më ishte mbyllur në një varr, këtu ende qëndroja për tronditjen time.   Qaja gjithmonë, i prirur të ik larg, e fshehtas vuaja, para meje vetëm ankthe e mashtrim : guri i varrit befas si nga lart më qe hequr e u hap tej e tej në shpirtin tim.   Kë kam parë, e kush dorën ma ka zgjatur, nuk kërkoj askënd, vetëm këtë do ta shoh në përjetësi; e kjo vetëm, midis të gjitha orëve të jetës sime, e kthjellët dhe e hapur do të jetë gjithmonë, si plagët e mia.   I shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |