VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ASHTU EDHE MBI MENDIMET E TUA, KUR TË JENË TRETUR, DASHURIA VETË DO TË BJERË TË FLERË

Poezi nga PERCY BYSSHE SHELLEY (Persi Bisshi Shell, 1797-1851)


E Djelë, 12.05.2010, 10:43am (GMT1)

 

 

FILOZOFIA E DASHURISË

 

Burimet përzihen me lumin

lumenjtë me Oqeanin përzihen

erërat me Qiellin gjithmonë

në lëvizje të ëmbëla shkrihen

asgjë në botë s'është pa çiftin e vet

dhe gjithçka në bazë të ligjit

hyjnor në një forcë të përbashkët

takohet dhe përzihet.

Po unë me ty përse jo vallë?

 

A e shikon se malet puthin kupën

e Qiellit, e se valët njëra me tjetrën

përqafohen. Asnjë lule djalë

nuk do të jetonte

pa të kundërtën

pa lulen femër.

Dhe tokën e përqafon drita e diellit

Dhe rrezet e hënës puthin detin.

Pse e gjithë kjo me kaq përpikmëri u krijua

nëse ti nuk dëshiron të më puthësh mua?

 

DASHURIA ËSHTË UNIVERSI SOT

 

E kush e ndjen tani dhimbjen apo zënkën?

Dashuria sot universi është

Këta janë skllevërit e një të nesërmeje të errët

Të cilët nxijnë rrugën qerthullore të Jetës.

 

SHPIRTËRA BINJAKË

 

Jam si një shpirt

që në intimitetin e zemrës së vet ka banuar,

dhe ndjesitë e veta ka perceptuar,

dhe mendimet e veta ka medituar,

dhe ka njohur vrullin më të thellë

të shpirtit të vet: atë rrjedhë

të heshtur që vetëm në gjak

është shënuar, kur të gjitha emocionet

në shumëfishmëri përshkruajnë

qetësinë e deteve në muaj e verës.

Unë kam çliruar melodi njerëzore

Nga thellësia e zemrës së tij:

rrahjet e zemrës kam bërë fije fije

dhe jam bërë pjesë e tyre e mirëfilltë.

Bash si një shqiponjë në shiun pas vetëtimës,

shpalos krahët tejetej hapësirës.

 

 

AMOR AETERNUS

 

Pasuria dhe fisnikëria humbin prore

në detin e madh të drejtësisë e padrejtësisë njerëzore,

kur vjen koha që sundimi ynë mbaron;

por dashuria, edhe pse e futur në rrugë të mbrapshtë,

është nga ato gjëra të pavdekëshme dhe që kapërcejnë

gjithë atë materie të dobët nga e cila jemi

-apo kemi qenë.

 

MUZIKA, KUR ZËRAT E ËMBËL VDESIN

 

Muzika, kur zërat e ëmbël vdesin

Vazhdojnë të drithërojnë në kujtesën.

Aromat, kur manushaqet vyshken,

Jetojnë në mbresën që lënë te njerëzit.

 

Fletët e trëndafiles, kur trëndafilja ka vdekur

Përdoren për shtratin e të dashuruarve si shtresë;

Ashtu edhe mbi mendimet e tua, kur të jenë tretur,

Dashuria vetë do të bjerë të flejë.

 

NATËS

 

I

 

Vrik fluturon mbi valën perëndimore,

O ti Shpirt i Natës!

Jashtë shpellës së mjegullt lindore,

Kur, gjithë ditën e gjatë,

Edhe pse ëndërrat më të regjura të gëzimit dhe frikës,

të cilat të bëjnë ty aq të tmerrëshme dhe aq të dashur,-

Ti fluturimin s'e ndal!

 

II

 

E pështjell trajtën tënde në një pelerinë gri,

Qëndisur me yje!

I mbyll sytë e Ditës me flokët e tu;

E puth atë derisa e vë në gjumë,

Pastaj endesh mbi qytet, dhe det dhe tokë,

duke prekur gjithçka me dorën tënde përgjumëse-

Eja, e shumëkërkuar kudo!

 

III

 

Kur unë zgjohem dhe agimin shikoj

Psherëtij për ty;

Kur drita pushton botën dhe vesa ikën e shkon,

Dhe mesdita rëndon mbi lule e pemë pa mëshirë,

Dhe Dita e kapitur na e kthen shpinën,

Si një mysafir i vonuar që askush nuk e fton,

Unë për ty psherëtij.

 

III

 

Motra jote Vdekja erdhi, dhe thirri,

Më kërkonte mua ajo?

Djali yt manar Gjumi, symbyllur,

Mërmëriti si një bletë në vapë të mesditës,

A do më marrë ajo mua në prehër?

Po më kërkon mua kudo?

Dhe unë u përgjigja vetë!

Jo, kurrsesi jo!

 

IV

 

Vdekja do të vijë kur ti të kesh vdekur,

Shpejt, menjëherë-

Gjumi do të vijë kur ti të kesh tretur;

Për asnjërin nga ata unë kokën s'do çaj

Vetëm për ty do të pyes Natë e dashur-

I vrullshëm fluturimi yt vërdallës do të jetë-

Eja, eja shpejt!

 

PËR TY

 

Fjala nuk është më fjalë

Nëse unë vlerën s'ia di,

Ndjenja është e padenjë

Nëse ti e shpërfill;

Shpresa është vetëm dëshpërim

Nëse durimi ka humbur,

Dhe dhembshuria jote më e shtrenjtë

Se e tjetërkujt.

 

Unë s'ta jap dot atë që tjerët e quajnë dashuri.

Por ti nuk do ta pranosh

Adhurimin që zemra ua bën perëndive

Dhe ato ia pranojnë,-

Dëshira e fluturave të natës për yjet,

Dëshira e natës për të nesërmen,

Përkushtimi i diçkaje të largët

Nga sferat e keqardhjes sonë.

 

I shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.