VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
TË LUTEM, MËSO TË LEXOSH HESHTJEN E ZEMRËS SIME Sonete nga WILLIAM SHAKESPEARE (Uilliam Shekspir, 1564-1616) E Mërkurë, 12.15.2010, 01:21pm (GMT1)     SONETI 2: KUR DYZET DIMRA BALLIN TËND DO TA KENË KAPLUAR   Kur dyzet dimra ballin tënd do ta kenë kapluar Dhe llogore të thella do ta brazdojnë arën e bukurisë tënde, Petku krenar i rinisë, deri tani i admiruar, Do të jetë bërë zhele, askujt për të nuk do t'i bjerë në mendje.   Atëherë, nëse do të pyesin se ku shkoi bukuria jote, ku treti thesari i ditëve tua të ndritura të dikurshme, t'iu përgjigjesh se ato tani në sytë e tu janë gdhendur fort për ty turp përvëlues do të ishte lëvdatë e turpshme.   Sa lëvdata më shumë do të meritonte bukuria jote, Nëse ti do t'ua ktheje: "Ky fëmija im bukurosh Është fryt i bukurisë dhe vitet që kalojnë bën të mos i dallosh",   duke dhënë provë se bukuria e tij buron prej teje. Kjo i bën të ndihesh i ri edhe kur plakur të jesh, të vëresh gjakun tënd të ngrohtë, kur ai në damarët e tu është i ftohtë.   SONETI 21: UNË NUK JAM SI AJO MUZA   Unë nuk jam si ajo Muza e frymëzuar për poezinë nga bukuritë bajate, që ka si ornament qiellin vetë dhe çdo bukuri e krahason me shkëlqimin e saja,   duke u rigrupuar në shembuj solemnë diell, hënë, tokë dhe margaritarët e deteve, lulet e para të prillit dhe gjithsa vlera ndryn në vete kupa qiellore në këtë rrotullim të tmerrshëm.   I ndershëm në dashuri, lejon që unë të shkruaj të vërtetën e pastaj besomëni, dashuria ime është e bukur sa edhe biri i çdo nëne, edhe pse nuk llamburit   si ato drita të floririt fiksuar në kupën e qiejve: lereni ta teprojë ai që dashuron frazat me shumë efekte; unë nuk lavdëroj ato që t'i shes nuk kam qëllim.   SONETI 23: SI NJË AKTOR TEJET I KEQ NË SKENË Si një aktor tejet i keq në skenë harron rolin e tij nga frika i dambllosur, apo si një tërbim i stërmbushur me pezëm sfilit, zemrën e vet në turrin e pasosur,   edhe unë, tek ndjehem i pasigurtë, nuk gjej fjalët dot për hymnet e domosdoshme të ritualit të dashurisë, e në kulm të dashurisë sime më duket vetja kot ndrydhur nën peshën e fuqisë së saj të pakufi.   Janë kështu vargjet e mia, e vetmja gojëtari dhe mesazherët memecë të zërit e të zemrës sime, për t'iu përgjëruar dashurisë e për të marrë pjesë në shpërblim   shumë më të madh se ajo gjuhë që foli pa pushim. Të lutem, mëso të lexosh heshtjen e zemrës sime Është zgjuarsi e dashurisë të synojë qëllimin me anë të syve.
SONETI 24: SYRI IM ËSHTË BËRË PIKTOR DHE KA TRADHTUAR   Syri im është bërë piktor dhe ka tradhtuar Pamjen tënde të bukur në portretin e zemrës sime; Trupi im është  kornizë në të cilën mbyllet Panorama, arti i shkëlqyer piktorik,   Se nëpërmjet piktorit duhet të shikoni artin Për të gjetur ku është përfytyrimi yt i mirëfilltë i pikturuar, Ruajtur këtu në shishen e gjirit tim, Që i ka sytë e tu dritare për të shikuar.   Shiko tani si na ndihmojnë sytë në këtë punë, pra: Sytë e mi kanë hetuar figurën tënde, ndërsa Sytë e tu janë dritare në gjirin tim, ku Dielli   Arrin të mbështetet dhe të të admirojë ty, Megjithatë artit të syrit i mungon cilësia më e mirë: Portretizon atë që shikon, por zemrën nuk e njeh kurrsesi.   SONETI 25: KUSH ËSHTË NË FAVOR TË YJEVE TË TIJ   Kush është në favor të yjeve të tij Merr ndere publike e tituj madhështorë, Ndërsa unë, që fati më mohon triumfe të tillë, Jepem pa shpresë pas asaj që më së shumti çmoj,   Favoritët e të fuqishmëve çelin petale të bukura Vetëm si shtogu nën shkëlqim të diellit, Tashmë është varrosur brenda vetes krenaria e tyre Sepse nën renë e parë që vjen madhështia e tyre bie.   Lufta heroike, e famshme për vlera Nëse pas shumë fitoresh pëson një humbje një ditë Përgjithmonë kurorëzohesh nga mëngjesi i lavdisë   Dhe për më tepër harruar çdo sukses trimëror I lumtur jam unë që dashuroj dhe më japin dashurinë Atje ku dashuria nuk ndryshon dhe askush dot s'e braktis.   SONETI 27: SFILITUR NGA LODHJA, REND SHPEJT NË SHTRAT   Sfilitur nga lodhja, rend shpejt në shtrat Të çlodh trupin e dërmuar në udhëtim; por atëherë në kokën time një tjetër rrugë hapet ta lodhë mendjen time tani që pushon trupi im.   Zgjuar mendimet e mia nga larg ku gjendem Fluturojnë në pelegrinazh të pafund drejt teje Dhe mbajnë hapur qepallat e mia të rënda Duke kqyrur atë terr që e njeh vetëm i verbëri:   por ja që pamja përfytyruese e zemrës sime sjell hijen tënde në shikimin tim pa dritë, që, e ngjashme me diamantin e ruajtur në terrin më të zi,   e bën të bukur natën e errët dhe të re fytyrën e saj plakë. Kështu ditë përditë mendja ime e ngratë Për fajin tënd dhe timin nuk gjejnë kurrë qetësi.
SONETI 28: KU MUND TA GJEJ PRAPË PAQEN TIME   Ku mund ta gjej prapë paqen time Nëse gjumi krejt më ka braktisur? Nëse ankthi i ditës nuk gjen prehje natën Por dita tryset nga nata dhe nata nga dita tryset?   Dhe të dyja, edhe pse armike të njëra tjetrës, merren vesh mirë vetëm që të më torturojnë pafund njëra me sfilitje, tjetra me ankthin që ndodhem larg, gjithnjë më larg kështu.   Për t'u bërë i lig ditës i them se je dritë Dhe e zbukuroj nëse retë ia errësojnë qiellin: Kështu e zbardh natën e errët duke thënë   Se ti e argjendon mbrëmjen nëse nuk shkëlqejnë yjet. Por dita çdo ditë m'i zgjat vuajtjet e mundimet E nata çdo natë dhimbjet më të rënda m'i bën.   SONETI 29: NGANJËHERË, DUKE URRYER FATIN DHE NJERËZIT   Nganjëherë, duke urryer Fatin dhe njerëzit, Unë qaj vetmitar në braktisjen time të trishtë, Dhe e trazoj qiellin shurdh me thirrjet e mia të kota Dhe e kundroj veten time, dhe e mallkoj fatin tim,   Duke lakmuar fatin e atyre që janë plot me shpresa, Të atyre miqve të panumërt që iu ka ecur në jetë, Duke lakmuar mendjen e disave, pushtetin e dikujt tjetër, Të atyre që janë mirë dhe më të pakënaqur se unë vetë;   Por ja që në të tilla mendime pothuaj vetveten duke sfilitur, Përfytyrimi yt më shfaqet, e atëherë merr fund nemitja Dhe lauresha, në të aguar të ditës, fluturon   Nga toka e errët, lëshon hymne ndaj fronit të qiellit: Sepse kujtimi i dashurisë sate të ëmbël sjell të tillë Pasuri; që me një mbretëri unë kurrë nuk e ndërroj.   SONETI 35: MOS TË TË VIJË KEQ PËR ATË QË KE BËRË ã€€ Mos të të vijë keq për atë që ke bërë Trëndafilet kanë gjemba dhe baltë kanë burimet argjendorë; Retë dhe eklipset errësojnë diellin e hënën Dhe në lastarin më të bukur fshihen krimbat më mizorë.   Çdonjëri nga ne gabon dhe edhe unë jam mashtruar Duke shfajësuar fyerjet e tua me ngjashmëri Duke poshtëruar veten time për të falur mangësitë e tua, Duke bërë sikur i fyeri nuk jam unë por ti:   Pasi fal mëkatet e shqisave tua nis Ana jote e mbrapshtë të bëhet avokati yt- Dhe kundër meje ndërmerret mirëfilli një proces:   E tillë është lufta midis dashurisë dhe urrejtjes sime, Ku fatalisht edhe unë jam bashkëfajtor i atij Hajduti të dashur që pa mëshirë gjithçka më vjedh.  
I shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |