VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LËRI PAK, VENERË, DASHNORËT E TU ME ZEMRA KURORASH MBRETËRORE

Poezi nga ARTHUR RIMBAUD (Artur Rembo, 1854-1891)


E Premte, 12.24.2010, 06:01pm (GMT1)

 

 

ËNDËRRUAR PËR DIMRIN...ASAJ

 

Do shkojmë, dimrit, në një vagonetë të kuqe

Me aq shumë shilte blu.

Do të jetë ëmbël. Një folè çmendurie puthjesh

Në kënde të buta aty këtu.

 

Ti do t'i mbyllësh sytë, për të mos i parë

Xhamllëqet si i shfytyrojnë hijet e netëve,

Hordhitë e demonëve dhe të ujqërve fytyrëvrarë,

Përbindshmëri të kobshme e të zeza.

 

Pastaj faqja jote si do të ngjethet...

Një puthje e lehtë, një merimangë e dehur, do të zbresë

Mbi qafë...Ndërkaq ti

Do më thuash: "Kërko!", duke ma afruar kokën

-do të kemi kohë ta gjejmë atë bishë të vogël

-që sorollatet kështu pa frikë...

 

LA MIA BOHEME (FANTASIA)

 

Duart në xhepat bosh, unë shkoja

Me kapotën time tashmë ideale;

nën qiell shkoja, o Muzë, përhumbur fare;

oh! la, la! Sa dashuri të arta ëndërroja!

 

Pantollonat e vetëm të grisur i kisha. Rima

Numëroja rrugës, i përëndërrt. E bujtina

Ime Arusha e Madhe ishte. Lart atje

Yjet në qiell cicëronin ëmbël nëpër re;

 

i dëgjoja, ulur në qoshet e rrugëve,

në mbrëmjet e shtatorit të butë

ku vesa më pikonte në ballë një verë të sertë;

 

e, mbetur në mes të fantastikeve enigma,

si të ishin zana, unë hiqja zvarrë opingat

e mia të grisura, një shqelm mbi zemër!

 

PERSIATJE E MËNGJESIT

 

Katër e mëngjesit, verë,

gjumi i dashurisë vazhdon ende

nën zabelet agimi spërkat herët

mbrëmjet kremte.

 

Por atje në kantieret madhështore

Nën diellin e Esperideve, atje

Pa këmishë në trup, ja marangozët

Si lëvizin pa ndërprerë.

 

Të qetë, në ato shkretëtira erëlëmashqe,

përgatitin dyshemenë e re

ku fshtari i pasur tani qesh

nën qiejt e pikturuar me murale.

 

Për këta Punëtorë bukuroshë

Ndaj një mbreti të Babilonisë nënshtruar

Ah! Lëri pak, Venerë, Dashnorët e tu

Me zemra kurorash mbretërore.

 

Mbretëreshë e Barinjve!

Dërgoju punëtorëve raki,

forca e tyre është ajo që të rikthen ty

në det, para notit të mesditës.

I shqipëroi: Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.