VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
BALADË PËR NJERIUN QË MBANTE GURIN E RRUFESË Poezi nga ANTON PAPLEKA E Mërkurë, 12.29.2010, 11:21am (GMT1) BALADË PËR NJERIUN QË MBANTE GURIN E RRUFESË Qëmoti Një njeri që shtegtonte në male E paska gjetur gurin e rrufesë E paska mbajtur me vete Qysh nga ajo ditë Njeriu që mbante me vete gurin e rrufesë Në terrin e verbër të natës pa hënë e pa yje Shihte qartë si ditën në drekë Në zjarr, nuk digjej; në ujë, nuk mbytej Edhe në kulmin e acarit nuk mërdhinte Nuk kishte vapë në pishë të diellit Njeriu që mbante me vete gurin e rrufesë Mund të rronte njëqind ditë pa bukë e pa ujë Mund të rrinte njëqind net pa fjetur Me tre hapa mund t'i kapërcente malet E të mbërrinte në breg të detit Njeriun që mbante me vete gurin e rrufesë Nuk e priste dot shpata Nuk e zinte dot plumbi Nuk e prishte dot syri i keq Njeriut që mbante me vete gurin e rrufesë I shmangej Ujku i Çartur I hapte udhën Syqenëza Kuçedra ikte ku sytë këmbët prej tij Prej tij dridhej tutësh edhe Vdekja... Njeriu që mbante me vete gurin e rrufesë Thonë se vazhdon të ecë nëpër kohëra I mbështjellë me një shark të bardhë legjende... L'ETERNEL RETOUR Në vitin 39 para Krishtit Oratori romak Asinius Pollion Nënshtroi parthinët, një popull të Ilirisë Pas kthimit të tij në Romë Për të u organizua një triumf Më vonë, ai vazhdoi të merrej me ushtrime oratorie Siç thotë Seneka ( Plaku )... Në vitin 1939 pas Krishtit Një pinjoll tjetër i Ujkonjës, me emrin Konti Ciano Në trupin e të cilit ndoshta kishte shtegtuar Shpirti i oratorit romak Asinius Pollion Përgatiti nënshtrimin e të njëjtit popull Me ndryshimin e vetëm se tashti parthinët Quheshin albanezë ose shqiptarë Ashtu si stërgjyshi i tij i largët Oratori romak Asinius Pollion Edhe Konti Ciano ka pasur prirje letrare Madje ka shkruar një libër të trashë... Duke lexuar Senekën ( Plakun ) I cili i ka kushtuiar një kapitull të tërë Oratorit romak Asinius Pollion U befasova nga ngjashmëria e këtyre dy datave 39 para Krishtit,1939 pas Krishtit Në të cilat ka ndodhur e njëjta ngjarje Ku kanë marrë pjesë të njëjtët protagonistë... Përsëritja e të njëjtës ngjarje në dy data të ndryshme Më solli në mendje të frikshmin L' Eternel Retour! PASTISH NGA LASGUSHI Kushtuar "profesorëve" që për vite të tëra kanë predikuar teorinë e realizmit socialist, kurse tashti organizojnë mexhlise "shkencore" për të sulmuar autorët që shkruan në kohën e diktaturës së proletariatit. Profesorët trukokallë I gjykojnë vjeshëtorët, Po më thoni cilët vallë I gjykojnë Profesorët? Profesorët zemërpisë, Përdhosës të poezisë, Shpirtkatran që denigrojnë, Janë qen që të kafshojnë! PISHA MAJË SHKËMBIT Nga vera në verë Shihja se si degët e ulëta Të asaj pishe majë shkëmbit Thaheshin vetvetiu Vareshin si gjymtyrë pa jetë Pastaj vjeshta sillte me vete Erërat dhe stuhitë Që i thyenin me rropamë Dhe i rrëzonin përtokë Degët ku nuk qarkullonte më limfa Pisha nuk vishej me të zeza Nuk shfrente në të qara E bindur nga një urtësi e fshehtë Se flakja e degëve të thata e të thyera Ishte çmimi që ajo duhej të paguante Për t'u ngjitur përpjetë Qysh në fëmijëri Më janë ngulitur në kujtesë Degët e thata që rrëzoheshin nga stuhitë Dhe tashti e vë re Se gjithë jetën jam përpjekur t'i ngjaj Asaj pishe majë shkëmbit... VAJZA FLOKËKUQE Vrapi nëpër diellin e asaj dite qershori Ia kishte skuqur fytyrën e rrahur nga ajri i nxehtë Ia kishte skuqur gushën, llërët Lëkurën e zbuluar të kraharorit Ajo vajzë që dielli e kishte mbështjellë me petale paparunesh I ngjante një shisheje syrealiste Antropomorfe Të mbushur me verë të kuqe Vallë, kush do ta pinte atë shishe? Kush do të ngrinte me verën e saj dolli dashurie?... E pata zili njeriun që do t'i digjeshin gishtat Nga flakët e flokëve të saj prej komete Dhe buzët do t'i ndizeshin nga prushi i buzëve të saj Binjak me zjarrnajën e diellit Si të mos e kisha zili unë Një qenie tokësore, mëkatare Kur edhe dielli vetë e përpinte me sy Nga maja e zenitit Duke njomur me gjuhë buzët e tij të përflakura?! Vajza me fytyrë të skuqur ngq ajri i nxehtë Vraponte për të mbërritur në takim Duke lënë prapa nja hulli të zjarrtë komete... KALORËSI I PANJOHUR Një re fillikate shaloi malin E shndërroi në kalë të gjelbër Vallë, ç'lajm po më sjell Ti, kalorës që lë pas horizontin? Ja ku ia behu mbrëmja Dhe yjet prushërijnë në qiell Ndoshta këto yje janë Shkëndijat që lë pas kalorësi i panjohur Gjakun që i pikon nga plagët Ia mbledhin kupat e lulëkuqeve Ia mbledhin kupat e luleshegëve Për ta shndërruar në rubinët e kokrrave të tyre Kalorësi i panjohur trokon nëpër muzg Drejt një shtëpie malli Ndalet para një shtëpie ëndrre Ku varet dryni i praruar i hënës Ajmé, bulkthat e groposën në dhé Çelësin e asaj shtëpie ku bujt errësira... MBRËMJE ME HËNË TË RE Sonte do të marr dy brirët e kësaj hëne të re Me ta do të bëj timonin e një biçiklete Për të shëtitur në bulevardin e Udhës së Qumështit Nuk është çudi që gjatë shëtitjes sime Atje lart të takoj Federiko Garsia Lorkën Hipur në vraçin e zi të natës Të cilin e nget me shpore yjesh Për të mbërritur sa më parë Në Sierra Morena Nuk është çudi që atje lart të takoj Sergej Esenin Këtë Pan të shekullit të njëzetë Midis fishkëllimave që lëshojnë lokomotivat e kometave Ai vazhdon t'bjerë bririt të hënës Në stacionet hekurudhore të qiellit Atje lart do të takoj medoemos Pablo Pikason Toreadorin e madh të pikturës moderne Që me shkopin magjik të frymëzimit të tij Një timon biçiklete e shndërroi në kokë demi... Këtë mbrëmje me hënë të re Hapësirave derdhet mushti i artë Nga Briri i Argjendtë i Vjeshtës ANTON PAPLEKA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |