VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MË TORTURON TMERRUESE ËMBËLSIA E ASAJ FYTYRE ENGJËLLORE

Poezi nga JOHN KEATS (Xhon Kits, 1768-1821)


E Premte, 12.31.2010, 06:03pm (GMT1)

 

 

 

DUA NJË KUPË PLOT DERI NË BUZË

 

"Çfarë bukurie e tmerrëshme!
Nga ky çast e heq nga mendja cilëndo grua tjetër"

 

Terenzio, Eunuco, II, 4

 

Dua një kupë plot deri në buzë

Dhe të zhyt shpirtin tim atje brenda:

Mbushma prapë me një bar të fuqishëm

Të ma heqë atë Grua nga mendja.

 

E nuk dua ujë poetik, që nxit

Ndjesitë e një dëshire të etur,

Por një hurbë të thellë

Ta rrëkëllej nga valët e lumit Lete,

 

Për t'u çliruar me një magji

Kraharori im i dëshpëruar nga përfytyrimet

Më të bukura që sytë e mi të ngazëllyer

Panë, duke m'i helmuar mendimet.

 

Është e kotë- më torturon tmerruese

Ëmbëlsia e asaj fytyre engjëllore.

Shkëndija e shikimit tënd vezullues-

Dhe ai gji, parajsë tokësore.

 

Kurrë i lumtur nuk do të jetë më shikimi im,

Për të cilin shijet kanë humbur çdo kuptim:

Humbja është kënaqësia e poezisë,

Admirimi për shkëlimin klasik.

 

Ta dinte ajo si rrah zemra ime,

Me një buzëqeshje do ma lehtësonte zemrën,

Dhe i ngushëlluar do të ndjeja ëmbëlsinë,

Gëzimi, përzier me dhimbjen therëse.

 

Si një toskan humbur në Lapponia,
Midis borës, mendon Arnon e tij të ndritshme,
Ashtu do të jesh ti për mua në përjetësi

Hapësira e kujtesës sime.

 

SE MË DON TI MË THUA, POR ME NJË ZË

 

Se më don ti më thua, por me një zë

Më të përvujtë se të murgeshës

Që veç për veten lutje të ëmbëla këndon,

kur kambana prapë kumbon-

Hë pra, më duaj vërtetë!

 

Se më don ti më thua, por me një buzëqeshje trishte

Të ftohtë si agimi në një qeli pendese,

Murgeshë mizore e Shën Kupidit

Besnike e ditëve të asketizmit-

Hë pra, më duaj vërtetë!

 

Se më don ti ma thua, por buzët e tua

Si korale japin më pak gëzim jete

Se koralet e detit-

Kurrë nuk ndjejnë idhtësinë e puthjeve-

Hë pra, më duaj vërtetë!

 

 

Se më don ti më thua, por dora jote

Nuk e shtrëngon të çiltrën dorën tjetër;

Është e vdekur si ajo e një shtatoreje

Ndërsa dora ime përvëlon nga pasioni-

Hë pra, më duaj vërtetë!

 

Hë pra, të përndizemi me fjalët

E më digj, më shtrëngo, më buzëqesh

Siç bëjnë të dashuruarit, hë pra, puthmë,

Dhe pastaj hirin e shpirtit tim varrose në zemrën tënde-

Hë pra, më duaj vërtetë!

 

I shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.