VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
MBRETËRESHË BËHU MBI BJESHKËN E BLERTË QË SHËRON ZEMRËN E KALLUR FLAKË Poezi të zgjedhura nga NAFI ÇEGRANI E Mërkurë, 02.23.2011, 04:29pm (GMT1)
NË QEPALLËN E VASHËS
Në kupat e virgjëra të epshit miliona dashuri me etje i thitha e jam shndërruar thjeshtë në ekstazë... E çuditërisht dashuritë të gjitha e kanë një strehës në zemrën e pastër! Në buzët e vashës së mirë shkrihëm si pika e vesës kur bie mbi petale. Bekim pa gjuhë në ashtin e saj të dlirë, I etur dhe i dehur në të tek heq vallen... Dhe kënga e pikës së lotit merr udhë e vdekja befas në ardhtë le të më gjejë të shkrirë përmbi ato buzë! Dy kupat e mbushura me verë shprazen virgjër në buzët e kuqe të nuses epshet shkrihen si vesë në ekstazë dashurie që pështjellon prore me harkun qepallë...
KËNDUAR KËNGËN E DASHURISË
Sa mëkat është ta kujtojë dikush belin tënd, bukurinë tënde si zefire që shkëlqen prore, epshet i kall në flakë dashurie, lotin e veton në bebzat e njomësisë. Këngën e shëndrron në melodi jete dashurinë në këngë të përjetshme...! - O dhembje dashurore! Në kërthizën e vjetër u rrite, si lule e njomë në livadhe, u kurorëzove me duvak të bardhë mbi krye ornisur me drandofille të kuqe - Bëhu përkëdhelje në gjakun tim, rreze bujarie që agon n'konak ; Mbretëreshë bëhu mbi bjeshkën e blertë që shëron zemrën e kallur flakë shëron dhimbën e kengës së gjaktë duke mugulluar zefirët e dashurisë...! Dhe çdo shpresë në zemër kalitet, çdo lule e njomë ngjyrë behari rritet duke jehuar me këngën e bardhë - me dashurinë e ëmbël në krahëror me këngën e shkëlqyer të jetës me verë...!
PRITJE...!
Si pirg e prita ardhjen tënde, aty në prag të kullës së Babilonit! Por, oh, skelat u thyen një e nga një dhe unë mbeta si gjeth në pëllëmbë të ciklonit. U shndërrova në fantazmë, pa emër, pa zë, dhe pse klithmat m'i piu pusnaja e honit! E ti ende qëndron në majë të kullës, e unë më kot të pres në stinët e mia bjonde: t'i kurrsesi nuk i përvidhe dot udhës, përrallat u bënë krejt të vërteta sonte! E grisa delirin e ëndrrës e të pëshpërita gjatë: "Jam dashnor i nuses... i nuses pa duvak!" * * * Të pres në dashuritë e pashpallura që verbohen nga dhimbja e yjeve në univers në lotin, që gabimisht harron të më njohë kam qindëra vjet që të pres. Të pres në ankthin e vyshkur të shtratit të ftohtë, Në hënën që u helmua prej qiellit gri, Në magjinë e heshtjes antike, Të pres si robi, që s'kërkon kurrë liri. Të pres në ditët e mia që s'marrin frymë, Në ëndrrat me nuse dhe pa dhëndurrë, Kështu do të zvarritem deri në pragun e vdekjes, Dhe të betohem, pas kësaj S'do të pres më KURRË.
LIRIKË STINËSH
Ma mbyte shpirtin në ujvara dritash dhe trupin e shoh si përpëlitet në zjarr. Unë digjem e fikem si lëndina në verë, e si malli në mall...
Në sy loti si në curra t'u shter e gjurmët tona na mbetën në zalle. Një përroske i dhamë shpirt dhe pse ishim në ferr e me lot të kaltër ujitëm lulet shtojzovalle...
Në sytë e tu loz dielli im i praruar me zefirët e stinës që ëndërruam gjithmonë. Për atë diell një mijë këngë patëm kënduar dhe pse zërin na e piu nata ulkonjë!
Buzët i puthitëm tek buzët kaherë dhe të gjitha ëndrrat i kallëm në zjarr. Për këtë jetë, që të ngrohej si varfanjaku në verë, dhe lirikat e dashurisë me ne shkuan ujvarë!
KALORËSIT
Mbrëmë kaluan një mijë kalorës dhe shkuan kah shtigjet e djegura. Karvani ynë sapo ka dalë prej ëndrrës në frizurën e shekujve i fiksoi legjendat e tretura.
Mbrëmë një mijë kalorës e grisën pelerinën e natës dhe në terrin e saj emrat i shkruan në zall. I trishtuan këngët me gjuhë plagësh buzëzhuritur e puthën tokën që vajtonte në mall.
Mbrëmë shekujt i morëm me vete, me një lot e një kujtim të verdhe në sy. Të vdekurit mallkuan gjumin e thellë dhe, me vetullën e hënës nën sqetull, rivdiqën, Kosovë, edhe një herë për ty!
* * *
(Kushtuar Shemo Fërngovës)
Në mbretërinë e trilluar të hijeve çdo gjë të prishen hajnat e natës kafshove një dëshirë gjersa ëndërrove dhe ëndrrat t'i vranë prore me dhembje e ikje stinësh loti rrodhi me shpresën tinëzisht dhe përsëri hajnat e natës t'i vodhën diamantet e çmuar të mallit dhe ëndrrës të dhëmbës për kalorësin u bënë akull e shkrum zjarri Ti mbete vraplinkth me gjogun e shaluar ti Robin Hud i serenatave të bukura dhe unë Drajfuz në luginat e gjata kthehem në tempullin e vjetër kalorës i agimeve të bardha t'i çmendim prore profetët dhe zotërat mëkatarë ata që bëjnë hata të inatosur në botën njerëzore Ti Drajfuz shqiptar me diellin në shuplakë Robin Hud me plis të bardhë...
KEMI MIJËRA VJET
Kemi mijëra vjet, mijëra shekuj që mbajmë mbi supe tokën Nënë. Kemi mijëra shpirtra dhe, për të vdekur, sa ç'kemi pandehur, nuk qenka e rëndë!
Nëpër tela sharkie i rilindëm epokat dhe me lulet e plagëve ëndrrat përmbytëm... Në qiellin e syve lodronin shqiponjat dhe zotat, nga nderimi për ta vetveten cfilitëm!
Mbi konakët e tu të thinjur, të moçme, prehet vegimi i Gjergj Elez Alisë dhe i kreshnikëve. Skëndërbeu e gënjeu vdekjen, ribëri shpatën prej kocke, paçka se Konferenca e Londrës gërryen plagën e viteve.
Nënat na lindin sa herë kjo tokë kërkon trima dhe varret na hapen sipas trilleve mizore. Kur ka halle Nëna, ne shkrepim vargan vetëtima dhe ulemi në prehër të saj butësisht si rreze hënore!
NË MUZGUN NGJYRA JARGAVANI
Në mëngjes, dy fluska të kaltra thithën një pikë dashurie pangjyrë e kështu foshnjërisht u pëlqen ta luajnë pa e ditur se në lojën e vdekjes kanë hyrë!
Në buzët e gotës dy dëshira dhe një këngë skeletësh rilindën dhe u shndërruan në gjeth, nisën vajtimin për kockën e thyer, që nëpër fosile kafkash hirin hedh!
Në muzgun ngjyrëjargavani gota u thye, pigmenti i saj u nda në katër vija, të venitura ngjyrë deti: Befas u zgjova prej ëndrrës dhe në shpirt një zgavër vaji më mbeti!
PORTRET
- Cucës së Pollogut -
Kur sytë e mi shkrepin si agime të bardha lulja e zambakut hareshëm mugullon Në pelerinën e natës diç gris pulëbardha ti vjen e përzishme dhe ëndrrat mi pushton.
Dashuria prehet në mijëra ngjyra ylberi, por unë veç këngë të përvajshme këndoj. Unë jam njeri, që dua t'i ngjaj Prometeut dhe në mbretërinë e vdekjes zjarrin tënd kërkoj!
Vasha e ka gdhendur portretin në sytë e mi luleve ua rrëzoi petalet e mallëngjimit. Si udhëtar i mjerë mbeta rrugëvë përsëri e pres e pres me shpresë tek drita e agimit!
SHKON E VJEN VALA!
Shkon nëpër brigje të thata erëmon tokë e plagë bojëdeti gjethet dhembjes i pikojnë trishtim nëpër buzagaz ndalet fjala... ti erdhe e s'më gjete më hijen e more për kujtim hyjnor copa ylberi e pasqyrë të thyer të mbeten e vetmja dhuratë në dejtë e mi si akull si zjarr! Shkon e vjen vala...
* * *
Sytë shkrepin si agime të bardha lulezambaku e prek mugullimin në shpirt më lë akull zhgëndra në pelerinën e natës pushon pulëbardha ti vjen e përvidhesh nëpër ëndrra... njëmijë ngjyra e një lum psherëtime vetëm një njeriu Odise dhe hija ime... vasha gdhend portretin tim unë bëhem shkëmb mali pasi rrëzohet mallëngjimi në zemër ndizet zjarri a do zbardhojë sërish agimi për ta bërë portretin tënd...
KOHË E ZËSHME
Lehtë e thua ti këtë fjalë miku kur të të vijë në shtëpi vërja veshin dhe jepi bukë e kripë të hajë prite e përcille ashtu siç kemi zakon dhe shprehi dashuri në zemër... Një ditë prej ditësh çohu kur koha të troket në derë shikoi mostrat në fytyrë dhe shpejto andej nga e drejton gishtin e fjalës që vazhdon dhe ulu në odë të bukës. Ta dish o, të lumtë goja, lehtë e thua këtë fjalë në këtë kohë të zëshme! Një kopsht hesht në diell plot lule e vragë, në Lugje të Verdha!
* * *
Ato vite kanë lënë gjurmë dhe ti ke rënë dëshmor Dy shenjëza të sinqerta si kurorë ndrisin me buzagazin njerëzor. E prore Rozafa të kërkon në sheshin e kreshnikëve në vargjet e mia baladë Doruntine je Epos shekujsh të kësaj toke të thinjur në historinë e Dardanisë.
QESH E QAN TANUSHA
Vuajtje dhe vite të humbura shpresë ndër stinë të vrara për burrin që dergjet në burgje për mallin që dhemb prore qesh e qan Tanusha lot i ngrirë nën qepallë. E vërtetë e gjorë është jeta sa dielli është sa detet sa shekulli me vragë sa loti me përmasa globi qepallat e Tanushës fletë dallëndysheje loti i saj si gur mali ajo për dashurinë nuk di ndryshe thellë në zemër i lind malli faqet si bukë molle ka ballin si bjeshkë kurorë prore sy drenusheje mali si dy xixa zjarri... Hëna e verdhë zbehet e digjet copëtohet në pellgje horizonti kujtimet e saj në pritje Lugje të verdha / 21 kalorësve të vonuar u falin lule pritjet e gjata braktisen qan e qesh Tanusha agimet struken në themele në Kullë të Babilonit shekujt përqafojnë lotin me gjuhë guri lindin gjinitë. Përtej kufijve të pranverës shndrrit një rreze dielli flokët e saj ngjyrë lulebore që mugullojnë në shpirtin tim maje malesh thepore duket hapësirë e blertë në sytë e Tanushës si Doruntinë në vargje! Brenga ime për fëmijët dhe gruan e mbetur trotuareve të trishtimit një paqartësi gjyqësori një inskenim i skajshëm unë në qeli burgu i pandehur, i pafajshëm si të isha kurban ballkanik...
KUR TË TAKOHEMI PAS VITESH
Kur të takohemi pas vitesh diku, ngre kryet, mos e mba vështrimin si oxhaku tek hiri... Koha ështe rrjedhë, unë një pemë dhe jo gur, loti i gjelbër kullon nga sythi i syrit! Dhe nëse vendose kështu të më braktisësh, më parë të duhet të harrosh ca ditë, ca net... S'është faji im Doruntinë, nëse nga gjumi do të ngrihesh si grifshë, të vraposh tek dera, ku asnjë dorë s'troket!... NAFI ÇEGRANI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |