VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VDEKJA
NGA VEHBI SKËNDERI

E Martë, 03.22.2011, 09:45am (GMT1)

 

Jetojmë ! Na mbledhin rreth tryezës drekat, darkat

Thua na shkon ndërmend se ulur tok me ne rri numëron kafshatat :

Vdekja !  Apo siç thotë Fishta ynë. Deka.

 

Pas çdo shakaje, lëvizjeje e frymëmarrjeje,

Takimi, puthjeje të ëmbël apo ndarjeje,

Pas çdo ylli gjigand e çdo shkëndije që në sekondë tretet

Rrëkezës sa një pe dhe Amazonës që trazon dhe detet;

Pas luanit mbret të xhunglave dhe lepurit, që trembet nga vetvetja :

Rri vdekja ! Apo siç thotë Fishta : Deka ! Deka ! Deka !

 

Pas lules të posa çelur e një kokrre molle të pjekur,

Herkulit gjysmë perëndi e një gërmuqi gjysmë të vdekur ;

Pas të urtëve, të mençurve, gjenive dhe të marrëve

Portjerit, presidentit e kryetarit të shkrimtarëve

Lypsit hollak të rrugëve, e Zotit të Njujorkut, miliarderit

Pas dasmës, ëngjëllit, dreqit, parajsës edhe ferrit ;

Vrapuesit të pakapshëm e barkalecit që vuan nga mëlçia e shpretka

Nën strehë, në prag të derës, në dhomën e fjetjes e në odën e miqve

Rri Deka ! Deka ! Deka !

 

Kleopatrën e magjishme a s'e kafshoi nepërka që nga shporta e fiqve ?

Asgjë nuk i shpëton asaj ! Askush ! Askund !

Vetëm prej saj nuk trëmbet

Ajo që edhe shelgut frikacak, edhe lisit trim i qepet pas si kulpra

E nga vështrimi i saj dhe Perëndia çmendet.

E bukura! O Zot i madh! E bukura! E bukura! E bukura!

 

(Marrë nga Libri: « Bëjmë Sikur », Tiranë 1995)

 

VEHBI SKËNDERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.