VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
O ZOT! GJITHË AJO QË SHIKOJMË, AJO QË DUKEMI A NUK ËSHTË VETËM NJË ËNDËRR BRENDA ËNDËRRËS? Poezi nga EDGAR ALLAN POE (1809-1849) E Shtunë, 03.26.2011, 09:58am (GMT1)  
LUMIT   Lum i bukur! Në rrymën tënde farfuritëse Prej kristalesh të ndritshme, uji të harbuar, ti je emblema e një bukurie llamburitëse - zemër e mbajtur fshehur, e ngujuar - shtjellë e pafund arti e pikëzuar krejt në të bijën e plakut Albert; po kur valën tënde ajo e kundron e heshtur - si fërgëllon atëherë ai e si xixëllon, oh, atëherë lumi më i paepur bëhet njëlloj me atë që e adhuron: sepse në zemrën e atij, si në rrjedhën tënde përfytyrimi i asaj është ngjizur: në atë zemër që dridhet në rrezen e syve që kërkojnë me etje shpirtin.   BROFJET E FRIKSHME   Brofjet e frikshme ku në ëndërr më faniten Zogjtë këngëtarë më të magjishëm, Janë si buzët e tua - janë si melodia hyjnore E fjalëve të cilat buzët e tua i formojnë. Sytë e tu, gonxhe në qiellin e zemrës sime, të mjeruar atëherë tulaten, për çudi, O Zot, mbi mendjen time të përzishme - Drita yjesh mbi një qefin të zi. Zemra jote - zemra jote! Ringjallem shpejt Dhe marr frymë, dhe fle për të ëndërruar prap Për atë të vërtetë të cilën s 'e blen dot ari i botës krejt - E për ato kotësi të cilat, mund t 'i blesh me çfarëdo, ndërkaq.   KËNGË ã€€ Të pa ai në ditën tënde të dasmës E fytyra nga turpi ngjyrë all të mori ty, sado që lumturia vezullonte rreth e qark e për ty bota buronte e gjitha dashuri. E vetëtima që u ndez në sytë e tu (a thua se për mua vetëtima ishte), Qe kur në Bukurinë më të pranueshme Mund të shpalosej në pamjen time të dhimbshme. Ishte ajo skuqje në fytyrë, besoj, turp i çupërlinës - E shumëçka bën të kuptosh se ashtu ishte gjithsesi. Por një zjarr më krenar ajo vetëtimë Zgjoi - medet! - në kraharorin e atij Që të pa në ditën tënde të dasmës, kur befas të krijoi në fytyrë atë përskuqje ty, sadoqë lumturia të vezullonte rreth e qark e bota për ty buronte e gjitha dashuri.   NJË FARË VALENTINE   Janë thurur këto rima për atë sytë shprehës Dhe dritëbërës të së cilës si dy binjakët e Ledës, do të gjejnë emrin e saj të ëmbël të fshehur në faqen e librit, nga sytë e çdo lexuesi tjetër. Vini re vargjet me vemendje! Është aty Një thesar hyjnor - një udhërrëfyes - një hajmali - Që duhet mbajtur në zemër. Vëzhgoje pastaj Masën e tyre fjalët - rrokjet me radhë! Asgjë mos anashkalo, përndryshe kot e ke! E për më tepër, asnjë nyjë gordiane nuk është atje E cila pa një shpatë nuk mund të zgjidhej dot, Ta marrësh me mendje subjektin kjo thuajse mjafton. Gjurmoje në fletë, hetoje në sytë papërtuar Në vetëtimën e shpirtit të cilëve, fshihen, humbur krejt Tre fjalë domethënëse, shpesh thënë e shpesh dëgjuar Nga një poet një poeti tjetër - dhe një poet ka aty emrin e vet. Gërmat e tij, ndonëse mashtrojnë, natyrisht, si Kalorësi Pinto - Mendez Ferdinando - ndërkaq janë, sinonim i së Vërtetës.- Tani mjaft! Edhe sikur të bësh të pamundurën nyjen nuk e zgjidh.   NËNËS   Meqë unë ndjej shpesh se në qiejt e lartë Engjejt duke i përshpëritur njëri tjetrit, Fjalë nuk gjejnë, mes kumbimeve të tyre hyjnore, e cila të jetë më e fisme se fjala "nënë" të cilën unë prej kohësh ta kam dhënë atë emër të dashur- ty që më shumë se nënë je për mua e që ma mbush plot zemrën, ku Vdekja ty t'u ngjit, prej shpirtit duke u çliruar në kohën time të Virgjinisë. Pikërisht nëna ime, e cila aq shpejt më la jetim, nuk qe për mua vetëm nënë; por ti je nëna e atyre që unë aq fort i kam dashur: gjithsesi ti më e dashur je për mua se tjetra për atë linjë të pafundme nëpërmjet së cilës nusja ime ishte për mua shpirti më i shtrenjtë se jeta ime vetë.   NJË ËNDËRR BRENDA NJË ËNDËRRE   Këtë puthje timen pranoje në ballë ! E, duke u ndarë tani prej teje, më ler të të them se nuk gabon po mendove se ishin një ëndërr ditët e mia; e, gjithsesi, ngaqë shpresa na braktis në një natë apo në një ditë, në një vizion apo në asgjë tjetër, është ndoshta prandaj më pak e venitur? Gjithë ajo që shikojmë, gjithë ajo që dukemi Nuk është gjë tjetër veçse një ëndërr brenda një ëndërre. Jam në rropamën E një ranishteje të tronditur nga një saje Shtrëngoj në njërën dorë Vetëm pak sosh! E megjithatë rrëshqasin e zhduken Nëpër gishtërinjtë e mi dhe bien prapë në det! E unë qaj - unë qaj! Të paktën një, nga vala e çmendur? A nuk është vetëm një ëndërr brenda një ëndërre?
I shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |