VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MOS IK!

Poezi nga VEHBI SKËNDERI


E Enjte, 03.31.2011, 04:34pm (GMT1)


Oh! Ti po nxiton të shkosh pa ndenjur mirë në karrike
Nuk po vëren ?
E mbushe krejt hapësirën bosh. Urbani shkon e vjen!

Të iki kush të dojë! Qoftë kjo mackë e vogël,

Që sa ndjeu erën tënde nisi të gërhitë.

Të iki ky trumcak që po çukit në xham. (Sikur kumton diçka!)

Urbani shkon e vjen. Ka edhe tjetër urban.


Ti shkele zjarre perëndish!

Ti shembe mure qiklopikë të vish këtu tek unë. Të flasim pak.
Të rrish... të shpleksim që të dy flokët e tu të gjatë.


Të ikin trenat e vaporët oqeanikë. Të iki dhe kjo gjethe

Në humbëtirën e pamatë.

Të rendin ku të duan nëpër qiell:marsianë, meteorë e meteoritë.

Të iki dhe kjo melodi. Ndonëse këtë muzikë e dua fort.

Ti rri edhe pakëz. Rri! Mos ik.


Të iki dhe ky shi i butë, që pikë-pikë mbush dhe oqeane.

Dhe këta zogj shtegtarë, që udhëtojnë larg

Pa hipur në taksira dhe urbane.


Të iki dhe kjo erë, që çapet kaq me frikë, sikur po na gënjen

Urbani shkon e vjen! Mos ik...


Njeriu për çdo ditë bën zbulime të mëdha.

Në Galaktikë po troket!

Po si nuk e shpiku dot ai një mjet,

Që këtë lumturi të gjallë, që mund të vërehet e të preket.

Ta ndalë ! Mos e lërë që të ikë. Mos e lërë që të tretet !

Mos ik! Mos ik! Mos ik!



VEHBI SKËNDERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.