VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

U DOGJ PYLLI

Poezi nga ELIDA BUÇPAPAJ


E Premte, 04.08.2011, 03:53pm (GMT1)



U dogj pylli

S'është më pylli

s'janë më mështenkat me kore të argjendtë,

plepat me gjethe-vëthë

të florinjtë,farfuritës,

lisat e rëndë me rrënjët gjer në bërthamën e tokës.

 

U dogj pylli.

S'është më pylli.

S'lëshon më hije pylli.

 

Pylli nuk ishte shtegtar që të kthehej,

Që ta prisnim...

Pylli nuk lëvizte nga vendi

Si malësori në kullën e ngujimit...

 

S'është më pylli.

 

Tani dëbora mbetet pezull në ajër,

Merr trajtat e krahëve të bredhave,

pishave, molikave, hartinave

siç ka bërë për mijra vjet,

për inerci...

 

ylberët mbeten të kacavarur nëpër

grumbujt e reve, të shtangur, fytyrëfriksuar

prej honeve dhe humnerave...

zogjtë sillen nëpër ajër të hutuar,

në kaos, pa strehë

kërkojnë më kot folezat e tyre

në sqep mbajnë më kot

fijëzat e barit

 

Arinjtë, dhelprat, kunadhet, ketrat, ujku,

gazelat, sorkadhet, dhitë e egra,

gjarpërinjtë

të çoroditur, bohem

kanë mbetur pa strofkat e tyre:

birat nënë dhé,

guvat nëpër gurë,

zgravrat nëpër drurë...

andaj janë mbledhur të gjithë së bashku

bëjnë grevë-urie

bëhen hara-kiri

vetëm të gjejnë pyllin

vetëm të kthejnë pyllin...

 

Por pylli s'ishte shtegtar

Që të kthehej...

Pylli s'është më

Pylli u dogj

Si çifutët nëpër krematoriumet e

Treblinkës,

Me oh...

(Marrë nga vëllimi poetik "Unë jam e përjetëshme")

 


ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.