VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
SONTE KJAVA PËR TY, SADRI AHMETI! Poemë nga ADEM ISTREFI E Hënë, 04.18.2011, 08:32am (GMT1) SONTE KJAVA PËR TY, SADRI AHMETI ! Poemë Adem Istrefi Cingërroi zilja e telefonit apo dëgjova zërin tënd?! 1. Nga largësitë m'u bë se po më vinte ai zë pak i trëmbur, tel i dridhur mallit në këtë kitarë të vonë nate... Vetëm zëri yt mund të më thërriste kështu si gjithmonë e në të gjitha kohët. Këtij zëri s'mund të mos i përgjigjesha edhe në hjekë shpirti. S'mund ta besoj se t'u lig ORA e vdekja të gjeti gafil. Ti gjithmonë ke qenë një hap para vdekjes, gjithmonë je tallur me të kur të ndiqte e ia lije puplat në dorë. A mund të kapej rob e të bëhej rob njeriu më i lirë ndër tw gjithë liridashësit! Paj cok jo, bre Sadri Ahmeti! 2. S'të mbaj mend kurrë duke qarë, po gjithmonë duke qeshur më del her si fëmijë i qeshjes e her zot i përqeshjes. Edhe atëhere kur shkruaje poezi me ata gishta të KRITË prej të ftohtit: Shkruaj një vjershë e digje atë fletë që t'i shkrije pakëz duart në atë flakëz xixëlluese e tym të saj, që të mund ta rishkruaje prapë atë poezi dhe prapë më ndryshe... Aiiih ! sa ftohtë që kishe, si të kërcitnin dhëmbët, e ti lapsin assesi s'e lëshoje nga dora. 3. Prandaj po kjaj për ty e u mbusha sonte në vaj, po kjaj tash për atëherë... S'di sa herë ishe vrarë mbas shpine, s'di sa herë mbas veshit në atë udhëtim të cmendur, mizorisht të mundimshëm Dhe ti shkruaje e rishkruaje me ata gishta TË KRITË atë poemë për MASAKRËN E TIVARIT... 4. (Tremijë djem Kosove atëbotë u vranë. U vranë me plumba, u therën me bajoneta në atë plojë gjaku, midis ullinjëve e detit të Tivarit. Deti u bë i kuq dhe u mbulua me plisa të bardhë në atë prill komunist të vitit 1945.) 5. Sonte dua të mos harroj asgjë, gjithcka dua të kujtoj, pse ishe i vetëm mbi atë sukë a mbi atë KËRSH TË GJOBALAJVE e pse qeshje ashtu, sikur rrokoteleshin shpatinës shkëmbinj potershëm me rrokullimë rroposëse e lëshuar si shkundullimë... 6. Ishe vetëm dhe s'ishe i vetëm. S'di a e qerasje ti vdekjen me një gotë raki, apo të qeraste ajo ty me një kërcënim kur i thoje se edhe vetë të madhin Zot do ta bëje me qeshë, pa e giciluar aspak... Dhe vdekja merrte këmbët në krahë dhe ikte e lemerisur atëbotë, atëbotë kush mund ta ndalte qeshjen tënde!... 7. S'u mësokam se s'u mësokam pa ty, Sadri Ahmeti! Thash si për vete e s'munda ta mbaj Coll për vete, Si në këngët e majekrahut e lëshova piskamën: O gjithkah zdrit ky sy-diell në fytyrë të kësaj toke njeri e bir njeriu kurrëmë s'do të vijë si ti, kurrëmë si ti s'do t'i gëzohet shkrepjes së diellit e shkrepje buzëqeshjesh të shkrepë si njëmijë hyjni, sidomos kur dilje hovshëm prej dallgëve të detit e deti sikur të falej te këmbët... 8. Sonte mund të them dhe do të them se s'kam parë njeri tjetër aq marrëzisht me detin të dashururar, të ngjajë me bir të tij e vetë hyu i tij sikur të ishte, vetë kripa sikur qe krijuar prej qeshjeve të tij. Asnjë zot e asnjë dreq e bir dreqi s'mund të ishte shpellë e pafundme si ai. Në shpella të bjeshkëve i pat ngujuar dhitë briarta bashkë me zanat, me zanat bënte dashuri natë për natë e ditën i vizatonte ku të mundte, ose në ndonjë letër të bardhë, ose në ndonjë lëvore peme, a lëkurë dashi, në ndonjë gjethe që ia sillte era, në ndonjë faqemuri, a xham dritareje, ose edhe në ajër... 9. Ditë për ditë i bënte edhe më të bukura ato nuse të tij, u jepte shpirt nga shpirti i tij, u lëshonte rreze hijeshie e i bënte si të ishin të gjalla e pak si të trëmbura nga zgjimi i një ëndrre, sa gati luaje mendsh prej kësaj bukurie e të ndalej fryma, fryma mund t'i ndalej edhe vetë Zotit, të shituar prej kësaj bukurie, perritë e parajsës do të uleshin në gjunjë t'ua lanin këmbët... 10. Sonte kjava për ty që na ikën e mbetëm pa i kërcyer këto zjarre dëllinjash edhe në këtë natë vere... Dhe s'di pse m'u kujtua, s'di pse më thoshe se kemi vetëm nja pesëmijë vjet njohje e asnjëherë, asnjëgjysmëhere s'u grindem dhe mbetem se mbetem pa bujtur në ndonjë Shpellë të Vuthajve që të kuvendonim si ai malësori legjendar me kreshnikët Mujë e Halil e të pinim verë mjalti bashkë me ta, si viganët e mocëm ilirë, më të mocëm se hëna e vetë dreqi kur zbriti nga qielli... 11. Ndonëse nuk u lindëm qw të dy binjakë e që të dy në Vuthaj e në Strellc njëkohësisht kujtonim se në gjinjtë e një nëne patëm pir tambël dhe vjershat i firmosnim me firmën ADISS-ASSA e veten e conim në katin më të lartë të qiellit... 12. Gjithë kësaj nate e deri në zdritje të saj m'u shfaqe herë në ecje të ngadaltë e herë në ikje të rrëmbyeshme me vrap. Me sa zë që kam mbeta duke thirrë: Ndalu, ku shkon... Ku shkon Sadri! Dhe ti si gjithnjë shkrep një buzëqeshje, si gjithnjë më thua se drejt ardhmërisë je nisë, se prej andej ke ardhë e atje është rrojtja jote... Prill 2011. ADEM ISTREFI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |