VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
PAPREKSHMËRIA ME MOLLËZA 10 poezi të reja për "Nacional" nga PETRAQ RISTO E Mërkurë, 04.20.2011, 09:59am (GMT1) Parfumi yt, parfundi im Parfumi yt, parfundi im, moj vogëlushja Amëshim parfum nga lulet në mallkim. Parfum mëngjes me vesë qiellore, parfum që deh kur vetflijohet. Parfumi im, parfundi yt. Parfumi yt, parfundi im - zymbyli bëhet tingëllim: lule mavi plagë në përgjim Dhe kishë e kopshtit ndez si qirinj me De Profundis çdo pistil në pagëzore petalesh vesa ndrin si foshnjëza në pagëzim parfundi yt, parfumi im. Deh Parfumis: vdekjezgjim. Deh Parfundis: Amëshim. 16 Dhjetor, 2010 Tundimi Tundimi ka katër këmbë si shtrati dhe dy këmbë në ajër si femra Tundimi klon i mëkatit dhe transplant i seksit te zemra. Tund-imi tund veten nga vetja dhe veten drejt fundit shkund Tundimi zgjat buzët tek etja dhe etja i thotë vetes: Fund. Tundimi ka katër këmbë si shtrati dhe dy këmbë në ajër si femra. Tundimi si dallga te lundra: e josh të lundroj dhe ta zhys Tundimi si demi: ka thundra po veç me brirë di të mbys. Tundimi i gruas është zjarri që pret një oxhak ta gëlltis Tundimi i burrit është varri që vdes për të nxjerrë një filiz Tundimi si dallga te lundra: e josh të lundroj dhe ta zhys.. Tundimi i detit s'njeh brigjet, njeh veç thellësitë Tundimi i bregut tronditet kur pranë i vijnë kaltërsitë. Tundimi nuk pyet kush je: grua, burrë apo papë Tundimi dhe mik të bën pré: të vret, të rrjep, të shet prapë Tundimi dhe mik të bën pré: të vret, të rrjep, të shet prapë. 16 nëntor, 2010 Tregu i këpucëve të përdorura Këpucët e përdorura gjysmë shtrirë si gjithë të plagosurit buzë rrugës rënkojnë As rrugët s'u mjaftojnë për fasho, as lidhëset për të qepur plagët Gojëhapur nga klithmat: këpucët e përdorura. Vijnë gratë e i provojnë, vajzat me buzë gjysmë të rrudhura: i provojnë Shohin majtas e djathtas e kur s'dallojnë të njohur paguajnë 1000 lekshin dhe i veshin. Nuk klithin më këpucët e përdorura dhe pse të plagosura qeshin. Këpucë të ngjyrave të ndryshme, modeleve të ndryshme, shteteve të ndryshëm Hipur mbi njëra - tjetrën të kujtojnë varrezën e përbashkët pas një genocidi. Disa prej tyre kanë fatin të ecin në këmbë të reja, të mburren në rrugë të reja Vetëm shiu që i lag u jep të njohur këpucëve të përdorura e ndonjëherë u shkel syrin: rrufeja. Paprekshmëria me mollëza Ndonjëherë largësia ndaj të dashurve kthehet në udhë mendimi Malli bëhet virtual, paprekshmëria me mollëza kthehet në mundim I ndjeshëm si syri në funeral marrë pjesë në funeralin e çdo kujtimi dhe fsheh klithmën si lulja në agim ... fsheh klithmën si lulja në agim. Paprekshmëria me mollëza kthehet në mundim: mollëzat dhe buzët jetojnë epokën e thëllimit tej dritares zogjtë gazmorë për ty marrin guxim të luajnë virtuozë mbi harpat e trishtimit. Dhe pse të dashurit e largët të përshëndesin në skype e bëjnë truke të ndryshme argëtimi Paprekshmëria me mollëza më bën të qaj e shpirti më dridhet sikur mijëra harpëza mbijnë fidane buzë Udhës së Mendimit e shpirti më dridhet si trupëthat e zogjve të kapur në gracka të vockëla trishtimi. 2 janar, 2011 Pas shkatërrimit të Hiroshimës Njëzetë ditë pas shkatërrimit të Hiroshimës mes hirit atomik çelën lulet e para Lule të çuditshme me sy, veshë, buzë, me zemra që regëtinin nga rrënja në aromë Lule të vockëla: klithma të mbytura, lutje të imta ndaj një Zoti që s'guxonte të shfaqej Lule pa ngjyra me aroma mbytëse si mallkimi. Njëqind ditë pas shkatërrimit të Hiroshimës ra dëbora e parë: kimono mëndafshi e shkrirë mbi një trup ku s'ekzistonte lakuriqësia. Dyqind ditë pas shkatërrimit të Hiroshimës pemët lidhën fryte të hidhura Me bekimin e shkencëtarve dhe urdhrin e qeverisë frytet u hodhën ngaqë rënkonin dhe hiroshimasit nuk donin ta shijonin vdekjen e vet. 30 dhjetor 2010 Pas stuhisë së borës Një çadër e prishur në borë: lakuriq nate i ngordhur Gjurmë nuk ka - dëbora aleate me të humburin mes stuhisë Një çadër e prishur në borë: lakuriq nate me bastun. 2 janar, 2011 New Yorku pa pantallona New York-un e pashë pa pantallona Burra me mbathje: vela të direkëve të ngrëna nga stuhitë gra me vithe si plazhe me duna dhjamore Pa pantallona në metro, në rrugë, buzë oqeanit, në autobuze Grataçielet pantallona të shtrira në qiell gati për hekurosje. New Yorku pa pantallona këmbët ecin në udhët e njohura Pantallonat e grataçielave hekurosen nga Hëna dimërore New Yorku pa pantallona Grataçielat kanë kthyer në reklama astaret e xhepave nga bien kartëkreditet e djegura. 16 janar, 2011 Ti je një mol i gatshëm të kthehesh në dre A mund t'i kthesh pemët në flauta, në flauta a mund të kthehen shtizat e flamujve dhe patericat, a mund të kthehen në flautë varret masive që ende nuk i gjejnë satelitët; nyje-nyje kufijtë e hartës si duar magjistricash...Ti je një mol i gatshëm të kthehesh në dre, të vraposh me flotiljen e direkëve për Atje, për Atje, për Atje, të vraposh me plagët e gatshme nën dhé... një mol me flamuj gazmorë lundrimi, veç mbi direkë nuk ngrihen fole, veç mbi direkë nuk ngrihen fole. Për Atje për Atje për Atje... Ti je një mol i përgjuar nga retë, i përgjuar nga çipet e yjeve më veshët pa formë të galaktikave. Në magjen e mëngjesit brumi i ardhur i një llëre gruaje e gatshme të bëhet bukë kungimi. Hape gojën. Gëlltite bukën e kungimit! Hapi sytë si magje të pastra për dritën dhe për llërët e kësaj gruaje me lëndë xixëllonje. Ktheji pemët në flauta dhe varret masivë të hapura: dorashka duelesh përplasja në fytyrë satelitëve, sepse satelitët fshehin diçka ngaqë komandohen nga Toka. Kanë ftohtë mëllenjat dhe gjahtarët Kanë ftohtë mëllenjat po më shumë kanë frikë nga gjahtarët, mëllenja si pika retishence pas një kufome të vrarë. Kanë frikë mëllenjat dhe ftohtë kanë gjahtarët, nga që qielli gënjen shenjat dhe zogjtë si psallme hapin krahët. Kanë ftohtë mëllenjat dhe gjahtarët: pylli ulëret si i marrë Ngrica me heje bajonetash urdhëron: mbi sup, armë! Kanë ftohtë mëllenjat, gjahtarët kanë ftohtë Jo nga të shtënat, po nga pylli nën llohë ...dhe zogjtë si psallme hapin krahët. Kolibrat Kolibri, kolibri i vockël: fjollë gëzimi - kolibri Kolibri, kolibri gazmor: a në një faqe libri Kolibra kolibra kolibra... koloni kolibrash Bibliotekë fluturuese: kolibrat. PETRAQ RISTO
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |