VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TI TRIUMF I PAKAPSHËM ANDËRRASH DHE YJESH

Triptik poetik nga NDJOCK NGANA përkthyer nga DANIEL GÀZULLI


E Shtunë, 06.04.2011, 08:34pm (GMT1)

TË JETOSH VETËM NJË JETË

 

Të jetosh vetëm një jetë,

vetëm në një qytet,

vetëm në një vend,

vetëm në një univers,

vetëm në një botë,

asht burg.

Të duesh vetëm një mik,

vetëm një babë,

vetëm një nanë,

vetëm një familje

të duesh vetëm një njeri,

asht burg.

Të njohish vetëm një gjuhë,

vetëm një punë,

vetëm një kostum,

vetëm një qytetnim

të njohish vetëm një logjikë

asht burg.

Të kesh vetëm një trup,

vetëm një mendim,

vetëm një njohje,

vetëm një esencë,

të kesh vetëm një jetë

asht burg.

 

BUKURI E ZEZË

 

E due vështrimin tand egrush

Dhe gojën tand aromë mangoje,

Rama Kam;

Trupi yt piper i zi

Të zgjon dëshirën,

Rama Kam;

Çapitjes tande

pantera ia ka lakmi,

ritmit të ngrohtë të belit tand,

Rama Kam;

Kur vallëzon në vezullim të natës

Tam-tamin,

Rama Kam;

Dihatjet tueja në uragan

E kur dashunon,

Kur dashunon, Rama Kam,

Asht një tornado që shungullon,

E bubullinë,

Dhe mushknitë më mbushë

me frymëmarrjen tande,

Rama Kam.

 

NJË VALLTAREJE NEGRE

Negrushja ime, za i ngrohtë i Afrikës,

Tokë enigmash e fryt i arsyes,

Vallëzo për gëzimin e çiltër të buzëqeshjes tande,

Për gazin e gjiut shpërthyes e virtyteve të fshehta;

Vallëzo për legjendën e prarueme të një dite dasme,

Për kohët e reja e ritmet shekulore,

Ti triumf i pakapshëm andërrash edhe yjesh,

E ambël mike je, atje në shteg të Kora-s;

Vallëzo për marramendjen,

Për magjinë e belit ku rinisë bota.

Vallëzim vetë ti je

E përreth meje digjen mitet

Përreth meje parukat e dijes

Në flakadaj gëzimi në qiellin e të tuejve hapa;

Vallëzim vetë ti je,

Dhe lamtumirat e rrejshme digjen në zjarrin tand vertikal.

Je fytyra e zanafillës

Që balton çmenduninë në kambët e pemës-roje,

Ideja e Gjithçkajes je dhe zani i Lashtë,

Je Fjala që shpërthen

Në rreze mrekulluese mbi honin e harrimit.

--

Ndjock Ngana, ka le në Kamerun në 1952. Mërgon në Itali në moshë të re, 21-vjeçar. Për asnjë çast nuk asht shkëputë nga zjarri që djeg vertikalisht e mban të ngrohtë frymëzimin.

Ai shkruen në italisht: por vetëm fjala buron prej brumi latin; gjithçka tjetër asht gjak e zjarr tropikal, mënyra e të menduemit, figurat, fantazia e papërmbajtun, uragan natyror i popujve me ngjyrë.

Asht një prumje plot energji në poezinë e sotme, çka i ban mirë edhe artit europian, disi tepër i sofistikuem, ku filozofia po zevendëson ndjenjën tue sjellë ftohtësi e një qednrim pak estetizant ndaj fenomeneve të shoqnisë.

Ngana asht njëherësh edhe dramaturg e prozator.

Fjalor:

Mango bimë tropikale, me aromë si të luleve të bajameve.

Kora Shteg në Kamerunin Verior, nga ma së shumti nisën mërgimtarët, pothuej gjithmonë pa kthim.

Përktheu nga DANIEL GÀZULLI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.