E Enjte, 03.28.2024, 12:32pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

FRAZA POETIKE TË ARTUR REMBOSË (1854-1891 )


E Djelë, 12.21.2008, 09:35am (GMT+1)


Kur bota do të jetë katandisur vetëm në një pyll të zi për katër sytë tanë të shastisur, - në një plazh për dy njomëzakë besnikë, në një shtëpi muzikore për simpatinë tonë të kthjellët, - unë do t'ju gjej.

Le të mos jetë atje poshtë te ju veçse një plakush i mirë vetmitar, i qetë dhe i bukur, rrethuar nga një "luks përrallor", - e unë jam te gjunjtë tuaj.

Që t'ua realizoj të gjitha kujtimet tuaja, - që unë të jem me atë që di t'ju magjepsë, - unë do t'ju lë pa frymë.

***

Kur jemi shumë të fortë, - kush zbrapset? Kur jemi shumë gazmorë, - kush do që t'ia dijë nga bota? Kur jemi shumë të këqinj, - çfarë të bëhet me ne?

Zbukurohuni, kërceni, qeshni. Unë kurrë nuk mund ta hedh Dashurinë nga dritarja.

***

Mikesha ime, lypsare, njomëzake mrekullibërëse, sa shpërfillshëm sillen me ty këta të palumtur e këto dredhira dhe tundimet e mia. Na trondit ne me zërin tënd të pakrahasueshëm, të vetmin ledhatim të këtij dëshpërimi mizor.

***

Një mëngjes me re, korrik. Një kundërmim hiri noton në ajër; - një aromë druri që digjet në vatër, - lulet e masakruara, - shkatërrimi i shetitjeve, - mjegullira e kanaleve nëpër fusha e pse jo edhe lodrat fëminore dhe pafajësia?

***

I kam tendosur litarët nga njëra kambanore tek tjetra kambanore; kurorat e luleve nga dritarja në dritare; vargonjtë e florinjtë nga njëri yll në yllin tjetër, e kërcej.

***

Moçali i amullt avullon papushim. Çfarë shtrige ka për t'ia behur nga perëndimi i bardhë? Çfarë sythesh të manushaqta kanë për të buisur?

***

Ndërsa thesaret e shtetit janë shterrur nëpër festa vëllazërie, buçet një kambanë prej zjarri të kuq midis reve.

Duke thithur aromën e pamasë të bojës së Kinës, një pluhur i zi lëshon ëmbëlsisht rrebesh shiu mbi pagjumësinë time- I ul dritat e llampadarit, përplasem në shtrat, e duke kthyer fytyrën nga hija, unë ju shoh juve, o njomëzaket e mia, o mbretëreshat e mia!

***

Qiej gri të kristaltë. Një vizatim bajat urash, disa të drejta, disa të mysëta, disa pjerrësohen dhe krijojnë kënde të zhdrejta me të tjerat, e këto figura përtërihen në rrethina të tjera të kanaleve të ndriçuara, por të gjitha të gjata e të plogëta saqë brigjet, ngarkuar me harqe urash, tëhumben dhe dobësohen. Disa nga këto ura janë ende dingas me shtëpiza. Të tjerat mbajnë në kurriz gardhe, shenja, kangjela. Akorde minore përzihen e vargohen, nga pritat e lumenjve lartohen avujt. Shfaqet një xhaketë e kuqe, ndoshta të tjera silueta dhe instrumente muzikore. Janë avaze popullore, fragmente ahengjesh për të pasurit, mbetje të hymneve publike? Uji është gri dhe i kaltër, i gjerë si një gji deti.- Një rreze e bardhë, duke rënë lart nga qielli, e asgjëson këtë komedi.

***

E kam përqafuar këtë agullimë vere.

Asgjë nuk lëvizte ende përballë ngrehinave të pallateve. Uji kishte vdekur. Zonat e hijeve nuk e lëshonin rrugën që të çon në pyll. Kam udhëtuar, duke u përballur me flladet jetëdhënëse e të kulluara, dhe gurët e çmuar më vështronin, dhe krahët e zogjve flatronin heshtur.

Befasia e parë qe, në shtegun plot me shkëlqime të freskëta e të zbehta, një lule që ma tha emrin e saj.

Unë qeshja me ujvarën bjonde që lëshohej poshtë nëpër degët e bredhave: nga maja e argjentë unë njoha perëndeshën. Atëherë ia zhvesha vellon dalëngadalë. Në rrugë, duke e marrë përdore. Në rrafshina, ku ia kam treguar gjelit. Në qytetet e mëdhenj, ajo flatronte mes kambanoreve dhe kupolave, dhe duke rendur si një lypsare mbi stolat e mermertë, unë e merrja krahaqafë.

Në krye të rrugës, pranë një pylli me dafina, e kam shtrirë në vellon e saj të hapur, dhe e kam ndjerë pak nga pak trupin e saj të pafund. Agullima dhe njomëzaku në fund të pyllit.

Kur më doli gjumi, ishte mesditë./

 

I shqipëroi Elida BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo




 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]