VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
FRAZA POETIKE TË ARTUR REMBOSË (1854-1891 ) E Djelë, 12.21.2008, 09:35am (GMT1) Kur bota do të jetë katandisur vetëm në një pyll të zi për katër sytë tanë të shastisur, - në një plazh për dy njomëzakë besnikë, në një shtëpi muzikore për simpatinë tonë të kthjellët, - unë do t'ju gjej. Le të mos jetë atje poshtë te ju veçse një plakush i mirë vetmitar, i qetë dhe i bukur, rrethuar nga një "luks përrallor", - e unë jam te gjunjtë tuaj. Që t'ua realizoj të gjitha kujtimet tuaja, - që unë të jem me atë që di t'ju magjepsë, - unë do t'ju lë pa frymë. *** Kur jemi shumë të fortë, - kush zbrapset? Kur jemi shumë gazmorë, - kush do që t'ia dijë nga bota? Kur jemi shumë të këqinj, - çfarë të bëhet me ne? Zbukurohuni, kërceni, qeshni. Unë kurrë nuk mund ta hedh Dashurinë nga dritarja. *** Mikesha ime, lypsare, njomëzake mrekullibërëse, sa shpërfillshëm sillen me ty këta të palumtur e këto dredhira dhe tundimet e mia. Na trondit ne me zërin tënd të pakrahasueshëm, të vetmin ledhatim të këtij dëshpërimi mizor. *** Një mëngjes me re, korrik. Një kundërmim hiri noton në ajër; - një aromë druri që digjet në vatër, - lulet e masakruara, - shkatërrimi i shetitjeve, - mjegullira e kanaleve nëpër fusha e pse jo edhe lodrat fëminore dhe pafajësia? *** I kam tendosur litarët nga njëra kambanore tek tjetra kambanore; kurorat e luleve nga dritarja në dritare; vargonjtë e florinjtë nga njëri yll në yllin tjetër, e kërcej. *** Moçali i amullt avullon papushim. Çfarë shtrige ka për t'ia behur nga perëndimi i bardhë? Çfarë sythesh të manushaqta kanë për të buisur? *** Ndërsa thesaret e shtetit janë shterrur nëpër festa vëllazërie, buçet një kambanë prej zjarri të kuq midis reve. Duke thithur aromën e pamasë të bojës së Kinës, një pluhur i zi lëshon ëmbëlsisht rrebesh shiu mbi pagjumësinë time- I ul dritat e llampadarit, përplasem në shtrat, e duke kthyer fytyrën nga hija, unë ju shoh juve, o njomëzaket e mia, o mbretëreshat e mia! *** Qiej gri të kristaltë. Një vizatim bajat urash, disa të drejta, disa të mysëta, disa pjerrësohen dhe krijojnë kënde të zhdrejta me të tjerat, e këto figura përtërihen në rrethina të tjera të kanaleve të ndriçuara, por të gjitha të gjata e të plogëta saqë brigjet, ngarkuar me harqe urash, tëhumben dhe dobësohen. Disa nga këto ura janë ende dingas me shtëpiza. Të tjerat mbajnë në kurriz gardhe, shenja, kangjela. Akorde minore përzihen e vargohen, nga pritat e lumenjve lartohen avujt. Shfaqet një xhaketë e kuqe, ndoshta të tjera silueta dhe instrumente muzikore. Janë avaze popullore, fragmente ahengjesh për të pasurit, mbetje të hymneve publike? Uji është gri dhe i kaltër, i gjerë si një gji deti.- Një rreze e bardhë, duke rënë lart nga qielli, e asgjëson këtë komedi. *** E kam përqafuar këtë agullimë vere. Asgjë nuk lëvizte ende përballë ngrehinave të pallateve. Uji kishte vdekur. Zonat e hijeve nuk e lëshonin rrugën që të çon në pyll. Kam udhëtuar, duke u përballur me flladet jetëdhënëse e të kulluara, dhe gurët e çmuar më vështronin, dhe krahët e zogjve flatronin heshtur. Befasia e parë qe, në shtegun plot me shkëlqime të freskëta e të zbehta, një lule që ma tha emrin e saj. Unë qeshja me ujvarën bjonde që lëshohej poshtë nëpër degët e bredhave: nga maja e argjentë unë njoha perëndeshën. Atëherë ia zhvesha vellon dalëngadalë. Në rrugë, duke e marrë përdore. Në rrafshina, ku ia kam treguar gjelit. Në qytetet e mëdhenj, ajo flatronte mes kambanoreve dhe kupolave, dhe duke rendur si një lypsare mbi stolat e mermertë, unë e merrja krahaqafë. Në krye të rrugës, pranë një pylli me dafina, e kam shtrirë në vellon e saj të hapur, dhe e kam ndjerë pak nga pak trupin e saj të pafund. Agullima dhe njomëzaku në fund të pyllit. Kur më doli gjumi, ishte mesditë./
I shqipëroi Elida BUÇPAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |