VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BARI DHE LULET ISHIN GRI, POR AROMA ISHTE E GJELBËR

Katër poezi nga TOMAS TRANSTRÖMER përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ


E Premte, 10.07.2011, 04:20pm (GMT1)

 

FAQE NGA LIBRI NATOR

 

Zbarkova një natë maji

në një kthjelltësi të akullt hëne

ku bari dhe lulet ishin gri

po aroma ishte e gjelbër.

 

Ngjita ngadalë një shpatinë

në natën daltonike

ndërsa gurë të bardhë

shënonin hënën.

 

Një hapësirë e kohës

përgjatë ndonjë minute

e madhe pesëdhjetë e tetë vite.

 

E prapa meje

përtej ujërave të plumbta ndritëse

është bregu tjetër

 

dhe sundimtarët.

Njerëz me të ardhme

në vend të fytyrave.

 

 

HISTORI FANTASTIKE

 

Ka ditë dimri pa borë kur deti bën krushqi

me relievet malore, duke i pulitur në rroba gri puplash,

një çast i shkurtër blu, orë të gjata me valë që më kot

si rrëqebuj të lëverdhë kërkojnë dalje mbi bregun zallor.

 

Në ditë si këto del relikti nga deti në kërkim të anijendërtuesve

të tij, ulur mes zhurmës së qyteteve, dhe ekuipazhet e mbytur

fryjnë drejt tokës, më të hollë se tymi i cigarishtes.

 

(Në veri ende rrëqebujt e vërtetë, me kthetra të mprehta

dhe sy ëndërrues. Në veri ku dita

jeton në një shpellë ditë e natë.

 

Ku vetmitari i mbijetuar mund të ulet

në furrën e agimit boreal dhe të dëgjojë

muzikën e të vdekurve të kallkanosur.)

 

PAS NJË VDEKJEJE

 

Na qe njëherë një traumë

që la pas një bisht të gjatë, vezulluese komete.

Ajo na ndryn brenda. I bën pamjet e TV të dëborëta.

Ato renditen në pikëla të ftohta në telat e telefonit.

 

Dikush mund të shkasë ngadalë në ski në dimrin me diell

mes furçës ku pak gjethe varur rrinë.

Ata iu ngjajnë faqeve të grisura nga numratorët e vjetër telefonikë.

Emra të gëlltitur nga të ftohtit.

 

Është ende e bukur të dëgjosh zemrën që rrah

por shpesh hija duket më reale se sa trupi.

Samurai duket i parëndësishëm

pranë koracës së tij prej zhgjuajsh dragoi të zi.

 

RRETHINAT

 

Burrat në kominoshe të së njëjtës ngjyrë si toka ngjiten nga një hendek.

Është një vend kalimtar, një rrugë qorre as fshati, as qyteti.

Vinça ndërtimi në horizont duan të hedhin hapin e madh,

por orët janë kundër tij.

Tuba betoni shpërndar andej këndej në dritë me gjuhë të ftohta.

Dyqanet auto-trupa zënë hambaret e vjetra.

Hedhin gurë hijet aq mprehtë sa objektet mbi sipërfaqen e hënës.

Dhe këto vende vazhdojnë të bëhen më të mëdhenj

si vendi i blerë me argjendin e Judës: "një fushë poçarit për t'i varrosur të huajt."

Përktheu ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.