VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SAPUNI "LEDI MAKBETH"

Poezi nga ISMAIL KADARE


E Martë, 10.11.2011, 09:13am (GMT1)

Ka katërqind vjet

Që duart ajo lan

Me sapunë gjithfarë markash

"Lux","Camay".

 

Por asnjë prej tyre

Nga duart dot s'ia heq

Njollat e gjakut

Ledit Makbeth.

 

Cdo natë në TV

Reklama gjithfarësh,

Sapuni gjakshlyes

Do të shpiket vallë.

 

Përpara ekranit,

Ledi, ti pret me kot.

Bimësi e globit

Më kot u lodh.

 

U lodhën mendjet

E shpikësve në botë

S'do të shpiket kurrë

Ai sapun kob.

 

Në qoftë se ky planet

Ka një grusht cilësish,

Një ndër më të çmuarat

Është kjo, natyrisht.

ISMAIL KADARE


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.