VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
DHE UNË KËRKOJ HIJEN MË TË HOLLË, MË TË PAPËRFILLSHME Poezi argjentinase të pëkthyera nga ANTON PAPLEKA E Mërkurë, 10.19.2011, 12:38pm (GMT1)
Jorge Luis Borges, 1899-1986 NJË HIJEJE, 1940 Derri i egër gjerman dhe hiena italike Mos e përdhosshin, Angli, truallin tënd të shenjtëruar. Ishull i Shekspirit, bijtë e tu të shpëtofshin, Të shpëtofshin hijet e tua të lavdishme. Nga ky skaj i largët i deteve, Unë u thërras dhe ato vijnë Nga thellësia e së kaluarës së pallogaritshme, Me mitra të larta peshkopësh, me kurora të hekurta. Me bibla, me shpata, me rrema, Me spiranca dhe me harqe. Ato më rrinë mbi krye në natën e thellë, E volitshme për retorikën dhe magjinë Dhe unë kërkoj hijen më të hollë, më të papërfillshme, Dhe i jap kushtrimin me këto fjalë: o hije mike, Kontinenti armiqësor po i bën gati armët Për të pushtuar Anglinë tënde, Si në ditët kur ti vuajte dhe këndove. Nga deti, nga toka dhe nga ajri, po dynden ushtritë. Ëndërro edhe një herë, De Quincey. Thur rrjeta makthesh Që ta rrethojnë si ledhe ishullin tënd. Nëpër labirintet e tyre prej kohe, U endshin pambarimisht ata që të urrejnë. Nata e tyre le të matet me qindëshe, me epoka, me piramida. Armët e tyre u bëfshin pluhur, pluhur u bëfshin fytyrat e tyre, Tashti le të na shpëtojnë arkitekturat e padeshifruesheme Që qenë nderi i ëndrrës sate. Vëlla i natës, opiumpirës Atë i frazave të lakadredhuara që tashmë janë labirinte dhe kulla, Atë i fjalëve që nuk mund të harrohen, A më dëgjon, mik që nuk arrij të të shoh, A më dëgjon përmes këtyre gjërave të paharrueshme, Siç janë detet dhe vdekja? Leopoldo Marechal, 1900-1970 KUAJSHILUESIT CELEDONIO BARRAL Ai i shtroi të gjithë kuajt e pampës, përveç njërit. Prandaj këtu prehet Celedonio Barral, me duar të mbërthyera pas krifës së barit të gjelbër. Brymësi, kërcibardhi, qimendrituri midis këmbëve të tij qenë makina të furishme. Nën kyçet e duarve të tij qenë shakullina. Buka e tij qe mposhtja e një kali përditë, Një shqotë kuajsh qe tërë muzika që jeta i fali. Për Zotin dhe për gruan, ai pati vetëm një parfum: duhmën e kalit. Ja përse fle këtu I mundur, i heshtur: Ai diti t'i shtronte të gjithë kuajt, Përveç njërit. Julio Cortazar, 1914-1984 ZOTAT Zotat ecin midis gjërash të shkelura, duke mbajtur Kindat e pelerinës me një gjest që shpreh neveri. Ecin midis kërmave të maceve, midis larvave gëluese dhe fizarmonikave, Duke ndier nën sandale ftohtësinë e rreckave të ndotura, Të vjellat e kohës. Të flakur nga qielli i tyre, të plaçkitur, Të xhindosur nga ndonjë dhimbje, nga ndonjë ëndërr e turbullt, Ka kohë që ata ecin të sfilitur nga makthet e lluca, Duke u ndalur për të numëruar të vdekurit e tyre, Retë e rëna përmbys, qentë gjuhëkëputur, Duke u ndalur për të mbikëqyrur me xhelozi humnerën Ku minj që ngrihen në majë të gishtave, që cijzin hareshëm, Çjerrin copëza flamurësh. Roberto Juarroz, 1925-1995 POEZI VERTIKALE Midis emrit tënd dhe emrit tim Ka një buzë që e ka humbur zakonin për të përmendur një emër. Midis vetmisë dhe shoqërimit me të tjerët Ka një gjest që nuk fillon tek askush dhe sos te të gjithë. Midis jetës dhe vdekjes Ka ca bimë të shkelura Aty ku asnjëherë nuk ka ecur ndokush. Midis zërit që ke dhe atij që do të vijë Ka një trajtë të heshtur të zërit Ku gjithçka qëndron në këmbë. Midis tryezës dhe zbrazëtisë Ka një vijë që është tryeza dhe zbrazëtia Ku mezi mund të udhëtojë poema. Midis mendimit dhe gjakut Ka një vetëtimë të shkurtër Ku dashuria mbështetet në një pikë. Në këto brigje Askush nuk mund të rrojë për një kohë të gjatë, Por as zoti që është një tjetër breg, Nuk mund të jetë zot për një kohë të gjatë. (I, 12) Raul Gustavo Aguirre, 1927 GURI Të shkosh deri në fund të botës e të gjesh një gur. Kjo gjë të zhgënjen, por le të mendohemi mirë, Para se të nxjerrim nga goja ndonjë sharje të rëndë, Ai gur që shohim, a mos është rastësisht guri Filozofal, ai gur a mos është një perëndi Apo diçka më shumë: thjesht një gur, Një ekzemplar i zakonshëm i gurit, gur, Gur themeli kundër hiçit. Juan Guelman, 1930 SHTETRRETHIM Urdhra, çizme, kangjella. Përjashta është mëngjes. Brenda është dashuria e madhe Që lëviz dhe ngre krye. Shpresa është një fëmijë ilegal, i pafajshëm Që shpërndan trakte, shkel hijen. Alberto Spunzberg, 1940 LETËR MOZARTIT Nganjëherë, sidomos natën më ndodh të mendoj se, po të mos kishe vdekur ti, duhej të kisha vdekur unë, Por gjithnjë koha, kjo rrëke kujtimesh apo ky oqean midis nesh, Na pengojnë të ulemi në të njëjtën tryezë, të shohim të njëjtin mëngjes, Të shëtitim bashkë ndanë një lumi, ndanë këtij lumi, ndanë cilitdo lumë, Qoftë ky Rini që nuk e njoh apo lumi La Plata, lumi më i gjerë i botës Ku hedh grepin për të nxjerrë lundra të murrme e mjerane si gjithçka që kemi brenda nesh. Besoj se midis nesh ka dallime që më mirë të mos i zëmë ngoje: Ti nuk do ta kishe pasur të gjatë në këtë klimë, Sidomos në verën e këtushme, Dhe lagështia që këtu është vrastare, nuk do të të frymëzonte as më të voglin divertimento. Ndonëse më mallëngjejnë oboet e tua më të mira, flautët dhe violinat, Më thotë mendja se qetësinë e domosdoshme për të dëgjuar, për t'u kollitur, për të bërë fllad pa zhurmë, Kontët dhe markezat e tua nuk do ta gjenin në rrjedhën e lumit, por në fund të tij. Kurse ne nga fundi i lumit nxjerrim vetëm lundra të fundosura dhe kufoma, Ndonjëherë, le ta themi, kufomat janë me duar të lidhura pas shpine dhe me sy të zgurdulluar nga tmerri. Për këtë arsye, ndoshta për këtë arsye, miqtë e mi dhe unë jemi të egër si bisha, Aq sa simfonitë e tua të pafundme as që na zbutin fare. Plot mëri e kam shpirtin, Herr Volfagang, dhe asnjëri prej nesh nuk mund të ta falë Që në moshën dhjetë vjeç vendose për jetën tënde duke u ulur përgjithmonë në piano Përktheu: Anton PAPLEKA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |