VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
DIELLI ËSHTË PENDUAR QË LINDI Cikël poetik nga BARDHYL MALIQI E Shtunë, 10.22.2011, 11:30am (GMT1) GJYSHJA...
Gjyshja kundronte qiellin e hapur si tepsi, plot thërrmija yjesh si fluturza të bardha, të mbetura nga kulaçi i grunjtë i diellit; ndërsa tej llamburiste nëpër natë Korfuzi, dhe ne ngjyenim bukën në hijen e kandilit. Dhe hëna krehte flokët e verdhë mbi malin e Nartës, në pasqyrën vezulluese të Jonit dhe dëshirat e ndaluara mbyteshin me ngashërim në ujin qelibar të sterrës, duke shpresuar për nesër, nesër!...
KUFIJTË Kanë kaluar katër muaj nga takimi im me Frosinën në një natë me hënë në korijet e spitalit "Haxhikosta"; dridhem nga zëri kërkues i mjekes sime, Kristinës, dridhem si fleta e plepit te liqeni i Janinës. E di, vjen një moshë, kur burrat hutohen, tremben, si fëmija që ka humbur çelsin e shtëpisë-sigurinë e tij, varur në qafë në vend të hajmalisë. Unë përditë luftoj të shtyj kufijtë e të qenit fëmijë, për t'u ndarë me ju mendjekthjellët.
TRISHTILI miqësisht
E njihni Trishtilin, zogun e vogël të gjithkohshëm të pyllit, që këndon bukur, që përçartet pranverës me ngjyrën e gjelbër të krahëve, me gushën e bardhë, me sqepin e vogël të verdhë, me lëvizje të gjalla, vajzërisht të hijshme. Por ty po më habit bre, Mustafë! pse ngjyresh me poza patriotizmi, pse lëviz me postura histerike, me zë të çjerrë, me sy të zgurdulluar? mos vallë don të fshehësh dobësinë tënde, atë zogun e vogël të pyllit, pas flatrave dhe sqepit të një shqiponje, pas kokës së madhe dhe syve të zgurdulluar të bufit?! Mustafë, o i biri i dikushit!
* * *
Poezia më e bukur e Kiplingut është në mundsh, e Kadaresë llora e Bilal Xhaferit baladë çame ndërsa poezia jote më e bukur është grami, ajo bima që të gjithë e luftojnë, e shkulin, e mihin, e flakin, se u zë tokën e bukës, të grurit dhe thekrës. por grami yt, bre Muçë, ja beh me një ushtri të tërë filizash të gjelbër, sikur mbin nga hiçi... ndaj kur shoh që shtiresh, ndaj kur shoh që çirresh, për poetin-njeri, trishtohem, më dhemb shpirti!
TETI
Sikur të mos gjerbja maturimin e humbjeve dhe mungesat të m'i kompensonte deti, me gjallesa nënujore; me ty do ta ndaja heshtjen, Teti! Dhe Akilë të rinj do të lindnin, perëndesha ime thesprote. Me dashuri, Yti, Pele, Mbret i Mirmidonëve.
EKUINOKS
Në çdo datë 22, ka një ngjarje të pashkruar, një algoritëm të pathënë. Më 22 mars ekuinoksi pranveror, më 22 mars poetët i zenë dritën Njeri-Tjetrit, 22 vjeç isha në atëherë, Nora, Ti te Kulla Ejfel, Unë te Portat e Shën Pjetrit!
NJË PROSTITUTE
Të falem ty, Prostituta ime, Sa të hirshme do ishin perënditë, Nëse do kishin kandellën tënde! Do ta ndërroj besën eunuke Dhe Krishtin anemik, Për të përqafuar Fenë tënde. Shërbëtori yt besnik!
PENDIMI
Dielli është penduar që lindi, kur pa thertoren tënde, Paramithi, më 1945, dhimbje! gjak, lotë dhe hi...
KRYQËZATA
Unë jam kryqëtar i së arthmes, por pa kryq e pa shpatë, për shpirtin tënd, Amarda, do të bëj kryqëzatë!
PËR BESË!
Pak të zeshkëta dhe me shumë shije, janë këto besimtaret e Jahovait në qytetin tim jugor. Sikur të isha ca vjet më i ri, për besë, s'do më njihnit për shenjtor! VETËM TI
Shenjtore e hershme, Lezbike e vonuar, Delikate si qelq, Më bie nga duart...
'97-TA
Krismat bënë ngjarjet, Ngjarjet lindën krisma, Krim, Kurthe, Klithma! ...Kjo qe e gjitha!
"N"
Neuroni, nervi, Nevria. Unë mes dy veprave të Sartrit: "Murtaja" dhe "Neveria"...
KUMRIE
Pëllumbeshë e Jugut, pelistere Kreshmoi, kumri e Elbasanit, sa herët më zgjoi!
PAGËZIMI I FJALËS
Ata erdhën me zjarr e me hekur për të pagëzuar heshtjen, Pal Ëngjëlli pagëzoi fjalën: "Në Emër të atit, të birit dhe të shpirtit të shenjtë, të pagëzoj... Amen!" Shkuan shekuj dhe heshtja u shit në karton; fjala si fara e grurit, gjithnjë bleron!
PRANVERA
Ky mulli i blojes dhe kjo "Dredhëz Ere", gjeratore e kaltër, ti gush dallëndyshe, bar që qesh në ledhe...
ABETARJA E KOHËVE TË VONA
E mirë dhe e keqe, e bukur dhe e shëmtuar, e suksesshme dhe e dështuar, kjo kohë postmoderniteti, e Abetares sonë të vonuar. Globale dhe lokale, e realizuar në gjithë potencialin e vet, dhe njëkohësisht foshnjë perverse e ngecur në djep. Njeri dhe kafshë, e dashur dhe vrasëse, heroike dhe antiheroike, altruiste dhe egoiste, kjo koha jonë shqiptare. E shtypur dhe shtypëse, e shfrytëzuar dhe shfrytëzuese, e dhunuar dhe përdhunuese, gjeratore gjithërrotulluese!
qen dhe njeri, viktimë dhe xhelat, endem i pafat. Ndërtuese dhe shkatërruese, shkurt vetvetja siç është, maksimë e përhershme, moral i pamort: "homos hominus lupus est" edhe nesër, si dje, si sot!
EPITAF PËR BUKURINË
Bukuri e përpirë në endrra, bukuri e shpalosur në zgjime, mes luleve të bajames strukesh, dhe shndrin në vezullime. Robi yt kam lindur, gladiatori yt kam mbetur, laureshë e pafjetur...
SYTË E TU Sytë e tu kopsa të kaltra, në fytyrën time janë qepur. Hiqi moj, të paça, në s'më do të vdekur!
KOHA
Hënë e ngrënë, vajzë e pafat, rigat e shiut, etja e tokës i zgjat.
THYERJE
Bukë e thyer, njerëz të thyer, qiell i thyer, dhe dyer, dyer, dyer. Shqyer, shqyer, shqyer...
ETJA
Etje kam në zemër, etje kam në sy, etje kam në duar. Eja ti ta shuash, Shelgji im kulluar.* Nora - floçkë burimesh, shpirti im i zgjuar! BOTA Bota si tavëll duhani, diku në pijetore... prej mbetjesh tymon. Fundi si fillimi: lejlek që shtegton... MË MIRË... Më mirë dashuri buzë gremine, më mirë psherëtimë galaktike, se sa inekzistent dhe peng i vetvetes në vite. ÇURK I GJAKUT TË BUKUR Në këtë botë, vetëm një çurk gjaku është i bukur. Ajo e çvirgjërimit tënd, laureshë e prillit, kaçureleve futur. ANKESA E PORTËS DYKANATËSHE TË BASHKISË Ankohet porta dykanatëshe e bashkisë, pse i qajnë rrezet e reja; por s'kërkon vaj për to, kërkon kandilë për varreza... pyes kush ka vdekur, askush nuk e di, mbase politikat e strehimit, punësimi, çështjet sociale, s'e di! Ankohet porta dykanatëshe e Bashkisë, se gjithë qyteti hyn e del këtu, shoqatat, partitë, kryetarët kuq e blu... gejshat e politikës dhe bredharakët hu më hu! TË ARDHURIT Ju zbritët nga malet si përrenjtë në lumë, ju bujtët nga kodrat si lumenjtë në det, me kuç e me maç, me nuse të reja dhe me foshnja në djep. Por i druheni qytetit, hoteleve dhe bareve dhe sidomos... pronarëve! Se qytetet tona, mor zotërinj, pjellin vetëm Luke. Luke dhe "zoti të dhashtë!" me shalët e holla lakuriq dhe me kërthizat si bobla jashtë.. Se shalët lakuriqe dhe kërthizat jashtë' janë limanet e vërtetë, që ka ky qytet. Këtu ankorohen bluxhinse dhe kravata dhe shkarkohet spermë pa doganë, me para kesh në dorë, me sekserë, me tutorë, me shefa, me drejtorë... BIE SHI NË VARREZA Bie shi në varreza dhe lagen krizantemat deri në rrënjët e dhimbjes. Bie shi në varreza dhe heshtja plugon varret. Vetëm trishtili çurçuron në gëmushat e verdha dhe fërshëllen vetëm era. STATUJAT Natën, njerëzit ëndërrojnë vendin e statujave. Natën, statujat zbresin nga piedestalet. Po s'më besoni, pyesni fshesaret! MANEKINËT Manekinët janë të lumtur, kaq shumë reklama, kaq shumë butikë vetëm për ta, vetëm për ta. Dhe vetëm vajza dhe gra të reja manekinët i veshin, i zhveshin, i reklamojnë dhe kur vjetërohen ca, pronarët, pa problem, shitëset i ndërrojnë. Se manekinët, vetëm të rejat dhe vetëm të bukurat preferojnë; ndërsa ne po plakemi vetëm me një grua, që turfullon e troshitet, si kamjon i konsumuar. Ndër kohë, s'pyet njeri për Sokratin, për Tolstoin apo për mua; që xhaketa e kostumit na është kuajtur në bërryle, dhe pantallonat, si shumë na janë holluar... Ah, të isha manekin, sa do të kujdesej ky qytet për mua! REKLAMAT Reklama majtas, reklama djathtas, na u bë jeta reklama dhe pasqyra. E megjithatë, më tepër po na nxihet fytyra... RRËFIMTARËT E VDEKJES Si këto fare që tregojnë anijet e mbytura, rrugën e mortjes nga nuk duhet të shkojnë të gjallët; mbi dhe janë ngulur si rrëfimtarët e vdekjes, ...Statuja gjeneralësh! MUZIKA MONOTONE... Natën fillojnë muzikën e tyre monotone, bulkthat dhe krimbat e drurit. Ata s'pyesin për veshët që i dëgjojnë. Mjafton të dëgjohet muzika monotone e bulkthave dhe krimbave të drurit... BARDYHL MALIQI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |