VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BRENDA GJOKSIT TË HËNËS VETËM TI QËNDRON

Poezi nga KËZE KOZETA ZYLO përfshirë në antologjinë "Rizgjimi i Lutjes"


E Djelë, 10.30.2011, 07:11pm (GMT1)

Përgatitur nga Këshilli botues për Festivalin Ndërkombëtar të poezisë "Ditët e Naimit" në Tetovë, edicioni XV. Antologjia u çua për botim në shtypshkronjën

"Arbëria Design", Tetovë. Botimin e ndihmoi Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë.

 

E fundit që jep shpirt...

 

Zërin s'e kam bilbil, të të këndojë mbi degë,

As si i ëmbli Naim, të të mjekojë buzën e çarë,

Por po të fal sythin e fjalës, që çel në pranverë,

Dhe Hënën tek parku, që të pret me aq mall.

Dhe shfaqesh ti pranë pemëve të heshtura,

Me vjeshtën e florinjtë, që gjethet rrëzon,

Në kujtimin e bukur, lotëve të patretura,

Brenda gjoksit të Hënës, veç ti qëndron.

E mbështjellë kujtimin me të butin mëndafsh,

Dhe vesh pemën e zhveshur, nudo nga vjeshta,

Si shenjtore e heshtur, mes kopshtit qëndron,

E fundit që jep shpirt, është vetëm shpresa!

Manhattan, 1997

Në shpirt i kishja fshehur...

Dhimbshëm u ndava nga shkronjat ILIRE,
Të huajat më prisnin udhëve të mundimshme,
Në shpirt i kishja fshehur, me mallin e Hënës,
Dhe një unazë antike të nënokes sime...!

Lotova pa ndalur ndarjen me klasën,
Dhe s'munda të duroja vështrimet e tyre,
Në shtegtim iu mora të ëmblat kujtime,
Dhe hartimet përgjysmë: "Kthehuni Dallandyshe"

Me dënesë përqafova fisniket kolege,
Zemrat si zogth filluan të dridheshin,

Në pikturë Rembrandti një lot u kthye,

Dhe dhimbjet tona pikë-pikë digjeshin!...


Dhe vitet fluturojnë, e pazonja t'i ndal,
As penën në shqip që shkruan në kartë,
Ndërsa brenga e kthimit më grryen ngadalë,
Dhe hartimet përgjysmë, që s'ja u ktheva prapë...

Manhattan, 1998

Një varkë Hëne

Pranverë të tyltë më hodhe supeve,
Me frymën tënde që lehtaz e prek,
Një fashëz hëne butë të puth syrin,
Që si nuse e bukur zbret nga retë...


Barisim të dy në ajër të dehur,
Si pëllumba paqeje në të bukurin qiell,

Kjo mbrëmje e prushtë kujtimet ka krehur,

Dhe si me magji në shtëllunga i tjerr...

Dhe mund të duket kjo, një romancë e bukur,

Brenda qiellit të ëndrrave, që s'shuhen kurrë,

Nga liqeni i syve ca pikëza loti rodhën,

Dhe me buzët e tua m'i fshive ti gjithë nur...

Dhe s'besoj të jetë ky, i fundit ëndërrim,

Që me krah magjie i bie botës rreth,

Ndërsa një varkë Hëne më bën strehim,

Bashkë me Yllin tim, që me aq mall e pres!

New York, 2000

Kozeta Zylo

Pasi diplomohet në Universitetin e Elbasanit "Aleksander Xhuvani" për Gjuhë dhe Letërsi (1979), punoi si mësuese e Letërsisë Shqipe dhe botërore në disa gjimnaze të Tiranës, ndërkohë kryen dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës.

E spikatur që në vitet 80-të për prirjet dhe qëndrimet e saj jokonformiste, K.Zylo u përfshi energjikisht në proceset demokratike që çuan në rënien e komunizmit.

Mori pjesë aktive në krijimin e Partisë Demokristiane të Shqipërisë dhe që nga themelimi ishte në kryesinë e Partisë Demokristiane të Shqipërisë.

Në vitet 1994-1995, u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e Partisë Demokristiane të Shqipërisë si dhe drejtonte gazeten "Ora e Shqipërise" .

Në shkurt të vitit 1997, me shpërthimin e trazirave social-politike në Shqipëri, emigron në ShBA (New York), ku integrohet në shoqërinë e atjeshme, vazhdon kualifikimet në kolegj, emërohet Këshilltare e studentëve në BramsonORT College (2000-2004).

Punoi si pedagoge disa vite në "Globe Institute of Technology" në Manhattan, dhe tani është e punësuar nga Bordi i Edukimit të New Yorkut.

Shquhet ndër veprimtaret aktive në komunitetin shqiptaro-amerikan.

Është zgjedhur sekretare për shtypin dhe informacionin në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në USA, 2007-2010.

Rreth poezive të saj u zhvillua një orë mësimi e rregullt në shkollën e mesme Susan E. Wagner në Staten Island, New York, udhëhequr nga Prof.Helen Decker.

Gjithashtu poezitë e saj u përzgjodhen dhe u interpretuan në një mjedis amerikan, gjatë një aktiviteti letraro-artistik, në një nga qendrat e mëdha kulturore "Staten Island Greenbelt center, udhëhequr nga znj.Sheree Sobel, shkrimtare dhe psikologe.

Boton në gazetën "Illyria" dhe "Dielli", në USA, bashkëpunëtore në TV "Kultura Shqiptare" dhe bashkëthemeluese e TV Alba Life, shkollave shqipe në Staten Island dhe Brooklyn, New York.

Libra të botuar

Monumenti i Lotit (me poezi) (2005)

Pranverë pa Mimoza (me poezi) (2006)

Mjellmat po të vijne (me poezi) (2008)

Nje fjongo dielli nga New Yorku ( me poezi) (2010)

Refleksione shpirtërore (kritikë, esse, reportazhe) (2010)

 

KËZE KOZETA ZYLO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.