VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SI DY SHPIRTRA FRYMËN NDAJMËCikël poetik nga VASO PAPAJ

                                                                                      

E Martë, 04.23.2024, 11:26am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

SI DY SHPIRTRA FRYMËN NDAJMË

Cikël poetik nga VASO PAPAJ


E Djelë, 11.20.2011, 10:02am (GMT+1)

Tek stoli në park

Si të duan të flasin, të lirë janë John

Do t'doja këtë mbrëmje me ty ta kaloj

Tek stoli në park askush s' më pengon

Në vesh të të flas, por dhe të t' përqafoj.

I derdhur në bronz, ke mbetur i ri

Kitarë ke në dorë, a mund të këndoj?

Se këngët e tua dhe unë mirë i di

Me klithmat e territ, rininë të kujtoj.

Baladat e tua tërë botën ndryshuan,

Ti bëre atë që s'e bën një kallash

Durrsakët ndaj ty dhe veten nderuan

Aty tek lulishtja, pranë murit të lashtë.

Nëse syzet e bronzta shpesh të mungojnë

Të rinjt i kan' marrë,.. do t'i kthejnë, ta dish

Se duan këtë botë më drejt ta shikojnë

Kështu ndoshta bota më ndryshe do t' ish.

Përreth gjimnaziste, i ngrirë, nuk gëlltitesh

Do t' donin një foto me ty si kujtim

Ja, këmbë përmbi këmbë, i sheh dhe habitesh

Sa vajza perrì paska ky djepi im!

T'ia nisim një kënge, të lirë jemi John

Michelle, Michelle, e kujtoj si tani

Ma belle, ma belle, askush s'më pengon

Ësht' bronx që djersin a loton?... Nuk e di.

 

Kënga e Nomadëve


 

Sa zhytet dielli, vjen e më kërkon

E dorë më dorë, më shumë të ndjej

Vallë, nga i merr ato fjal' që më kon?...

Se unë mbi to më mjalt nuk gjej.

Ne si nomadë shkretëtirash ngjajmë

Humbur rrugëve të qytetit

Dhe si dy shpirtra frymën ndajmë

Mes ëndërrës dhe realitetit.

E kohën vrasim, oaze kërkojmë

Me net' pa gjumë në qiell të hapur

Atje ku duam, kurrë s' përfundojmë

Se Zonjën Liri, prapë e kanë kapur.

Lirinë gabele me ngjyra- ngjyra

A ka vallë liri, me xhepa bosh?...

Lirinë që paska aq shumë fytyra

Lirinë që qenka veç për kodosh.

Nomadë të dashurisë ne jemi

Udhëtarë që çajnë në çdo tallaz

Të ndalemi, ne mendje s' kemi

Rebeles erë i shkojmë nga pas.

 

Një sms Zotit


 

Një Sms po të dërgoj

S'e di, o Zot, në të arrin

Në do t' më bëje me pushtet

Ta hidhja tej k'të varfërinë

Besoj, ta meritoj vërtetë

Nuk fluturoj si ca poetë.

Të shkrova, e sa pa vënë një pikë

Ky celular i shkretë m'u fik

(Ndoshta, s' e mbajtën bateritë...)

Ta nisa nga e para prapë

Dhe shkrova vetëm dy tri fjalë

Ndihmomë, o Zot, tek ty besoj

E në kërkova shumë, më fal

Më jep atë që meritoj

Se si poet, kurrë s'lajkatoj.

Provova prapë: më dha OK

Mesazhi do t' kish shkuar tej

Me shpresë ta gjeja gjithandej.

 

Zot, je akoma mbi qytet?...


 

Çngjyroset nata si një albatros gjigant

E vidhet ngadalë me flatra,

përgjatë Autostradës

Po zbehen si me drojë

syt' e verdhë të shumkatsheve

Ngordhin dritat e përkulura të rrugëve ,

të lodhura nga puna e natës.

Si pelikan i pangopur zbriti agimi,

në këtë qytet të rrëmujtë.

Në këtë qytet që s'është më i imi,

është i të gjithëve dhe i askujt.

Ndoshta nga tarracat e kateve shtatëmbëdhjetë,

me kopshte si parajsa vet,

ka mbetur, në një qoshe Zoti e na shikon.

S' e di, ndoshta dhe na përgjon,..

E di Ai, që në këto rrugë, qielli nuk shihet më?!...

Do të jetë e fundit vepër arti modern

Pasuria mbyt lirinë...Edhe qiellin e rrëmben...

Ç'e harxhova ditën sot, si një monedhë kusuri!

Pesëdhjet lekë, një gazetë

Merre, palose dhe fute nën xhaketë.

Ndërsa qyteti i të gjithëve dhe i askujt

nën smog me shpejtësi po humbet.

Ndaj unë pyes

Zot, a je akoma mbi qytet?...

Zbrit, sonte dua të t' takojë.

Tek Bari i lagjes

në qoftë kësmet!

Tek bangot e vjetra gjysmëbosh,

që ke frikë t'i vështrosh

Mos druaj, nuk loz bixhoz.

Vetëm një raki:

me speca, me domate, me turshi.

Sa merak kam të të them,

kështu esëll: Jam i lodhur, Zot!

Jam i lodhur!

 

Përkëdhelje

 

Me një vështrim të vetëm

Ç'u mbush me yje nata

Dhe mori ngjyrë erresira

Pse përkëdhelje pata.

M'u ngjallën t' gjitha shqisat

Te porta,... ti papritur

Qenë fjetur ndjenjat tona

Në ëndrra duke pritur.

Ç'e ndeza brenda meje

Gëzimin porsi zjarri

Më fale ti pa leje

Përkëdhelje prej të marri.

Me një vështrim të vetëm

Si det u bën te gjitha

Ndaj shtratin ton' si varka

Mes valësh e vozita.

Tërë natën të pashkulur

Më munde dhe të munda

Nën sytë e hënës ngulur

Përbrënda teje humba.


 

Një tjetër diell


 

Mëngjeseve e shoh, sa meken dritat e neonit

Kur asnjë bar i vetëm qepenët s'i kish ngritur

Makina e plehrave zhurmon me zërin e demonit

Spërkat asfaltin boti, me copa jete ngjitur

Ndërkoh' pasqyra e detit thith agun gjithandej

E kris i vetmi jaht, përtej nga Kallmi shkon

Po hënën, poçe qumështi, endè në qiell e gjej

Qyteti, të fundit orë të gjumit po provon

Dhe ja, aty tek plehrat, i njejti burrë me zhele

Ca pantallona zhubra të lidhur me ushkur

Kokës një vark' prej letre të ngjeshur si kapele

Sajuar me gazetë, si ne fëmijë dikur.

Një bluz' e Juves djersur, në trup i ishte ngjitur

Ish bluza e zakonshme: me vija bardhë e zi

Në shpinë Del Piero, dhjeta, shikova i habitur

Sepse tani e bardha ish kthyer krejt në gri.

Afrohem trotuarit, kërkoj ta përshëndes

Përkulet në kazan dhe plehrat nis trazon

E njoh atë shumë mirë, dikur flisnim serbes

Po sot nuk di nga vjen, nuk di as ku po shkon.

Nuk don t'i flas njeriu, as mua qe me njeh

As llambave neon, maçokëve që rrëmojnë

Po vjen agimi befas, fantazmat, fap, i fsheh

Kanaçet brenda thasëve më therin e më shpojnë.

Po zgjohet pak nga pak qyteti im i vjetër

Mënj'anë ka mbetur hëna, surpriza ime e zbehte

Do t'doja këtë mëngjes të lind'te një diell tjetër

Se hëna po çgjyroset, pas pak do t' zhduket krejt.

E hapet një dritare, e dy, e pesë, e gjashtë

Nga drita e bardhë zbuloj: mbi det diçka rrëshket

Një varkë prej letre ësht', kapelja kthyer mbrapsht

Më kot kërkon të zotin, i zoti më s'do të jetë.

Largohet bregut varka, po vallë kush do t'ia dij'

Nëse një burrë me zhele, mëngjesi kish rrëmbyer

Ëndërrës së vagëlluar i tha një lamtumirë

Ashtu dhe dashurisë, që shpinën i kish kthyer.

 

Çelini arkapiat


 

Çelini arkapiat

Uragani vrundullon

Jepini rrugën qytetit

Ju që dini vetëm shtigje, ferra

Gardhe të përmjera

Ju të nginjur,

të rinj' dhe të thinjur.

Çelini portat

Dhe mos shihni duart,

shihni sytë

Dhembja, s' ju rëndon?...

E, nëse ajo ju llaston

tu kërkoni ndjesë,

jepuni pak shpresë.

Çelini arkapiat

Uragani vrundullon

Hapini rrugët qytetit

Se fryma s'i mjafton

Ndryshe, zemra lëngon

Mund të pritet Bay Pass

E gjithkush do të humbasë.

 

Kronikë kryeqytetase


 

Një zile e çmendur ore më tremb herët mëngjes

Tirana ende përgjumur, makinat tërë vesë

Kafeja më e hidhur, është kur vetëm pihet

Ndërkohë, tymi i cigares në mushkëri më fshihet.

E marr me ngutje xhinsat, të hedhur mbi karrike

Dy grushta ujë syve, që mos të kem dremitje

Mbi flokë kaloj një krëhër, gjithçka tani ësht' gati

E kthej një gotë me qumësht, të lënë atje tek rafti.

Ndryshon jeta gjithnjë, më shumë i ngjan betejës

E kam shumë më të lehtë, se gjer tani jam njejës

Por për betejë jam gati, ngjasoj me ushtarak

Mes mizërisë e pres urbanin për Laprakë.

E për të mos mbetur vetëm, si n'ëndërr kujtoj seksin

Një prekje e lehtë dore, pandjerë më shton oreksin

Shoferi shfrenon radion. "...njëzetepes' gërshetat..."

Unë , vajzën pranë përpij, nga koka gjer te thembrat.

E zbres te kioska e shtypit, një sy...lajmet e mbrëmjes

I ftohtë jam këtë herë, indiferent edhe ndaj dhëmbjes

Kronikë e zezë dhe rozë, jepen emër për emër,

Për fatin tim të mire, e kam ende një zemër.

Luftohet në Irak, fëmijë për jetë cunguar

Nga mediat vijnë orteqe pejsazhesh të shkrumbuar

E ndonse ngjaj i ftohtë,indiferent nuk jam ndaj dhëmbjes

Një rresht më s'u lexoj kronikave të mbrëmjes.

Ministra të përfolur, të mbrojtur nga drejtësia

Dhe britma opozitare: Të ikë qeveria!

Kronikë me shesh beteje, e hedh vështrimin shtrembër

Për fatin tim të mirë, e paskam prapë një zemër.

Dhe dielli edhe hëna më vijnë nga prapa Dajtit

Kur kthehem në shtëpi, i them "shpejtohu" hapit

E le të vijnë, të ikin, nuk e besoj të ndreqem

N'urbanin e mëngjesit, pas kthesës do të tretem.






Biri i Harresës

(Marshi i të përndjekurve)

Nuk kam emër, as mbiemër

Biri i harresës jam

Më ka mbetur veç një zemër

Po të heshtjes bijë s'e kam.

Ndaj një ditë heshtjen e shemba

Se vazhdon zemra të rrahë

Manushaqe dhe ndër gjemba

Me pranverën krah për krah.

Nga Olimpi s'ka rrufera

Heshtje ka edhe harresë

Por ta dini kam dhe vlera

Zemrën time nuk e shes.

Zemra ime e marrosur

Të vërtetën don të ngas

E plagosur, e fashqosur

Veç nuk di një herë të vras.

Kur i shoh nëpër ekrane

Po ata e po ata...

Them: Moj bota frikamane

Të përjetshëm qenkan këta?

Atë koh' që shkoi helmuan

E vazhdojnë prap' të helmojnë

As nuk heshtin, s'u penduan

Bëjn' sikur dhe Zot besojnë.

Ndaj më mirë të rri mes njerzish

Pa një gotë në kafenè

Po me emër dhe mbiemër

Të pres i qetë çdo lloj rrufe.

 

Olsi


 

Olsi,

Ti punon tek bari i një moteli

Në autostradë, kilometri shtatë

Çifteve, që nata e gjatë kurrë s'i veli

Kafen ua çon në dhomë, her' posht', her' lart.

Olsi,

Dukesh se vjen nga një botë ideale

Kur çelsin dorëzon: Dhoma dy, tre, tetë...

As syt' s'i ngre, i shurdhët ndaj çdo fjale

Një buzëqeshje të drojtur pas derës e troket.

Olsi,

Ç'paske kështu tërë këtë mëngjes?

Don të flasësh, por asnjë fjalë s' të del

Të dridhet dora kur sjell filxhanin e kafesë

Pse heshtja jote ngjan aq shum' me k'të motel?

Olsi,

Ti punon. Tërë ditën një mijë lekë

Ndaj kur të jap bakshish, dorën vë në zemër

Të shoh, ata që ngjiten lart, shtrembër i ndjek

Natyrisht,të ndrisin sytë tek cepi, për një femër.

Olsi,

Pse sot të ka rënë tërë ky trishtim?

Vajza që lart u ngjit, mos ishte fqinja?!...

Një shoqe klase, shkolle, mbetur në kujtim

Mbase shoqëruesi të dukej burrë me thinja?...

Olsi,

Të njoh. Gazetat atë ditë të gjitha ishin shitur

Në galerinë e thellë, ti kishe lënë babanë

Ndaj malet ke ca vjetë që i ke zbritur

Me vete more nënën, motrat dhe vëllanë.

Olsi,

Ti punon tek bari i një moteli

Në autostradë, kilometri shtatë

Çifteve që dita e sotme i përkëdheli

Pak dritë të drojtur ua çon si një dhuratë.

 

Isha Edmond Dantes

(Prokurorit tim)

Kur Konti Monte Kriston lexoja në fëmijëri

Me fundin simbolik: Durim por edhe shpresë

S'e dija, sinqerisht, çdo të thoshte drejtësi

As, se një ditë, do t' hyja në një kronikë të zezë.

Kronika e zezë, i ngjet ndodhisë tek ashensori

ritoli me komandë, nga larg, hajde ta gjesh

Këtu, në këto raste, fiton vetëm fajtori

Prandaj vendimi yt, më mbushi tërë shpresë.

Gjatë ta dhashë dorën, të thashë faleminderit

'e di nëse një tjetër, do t'mirrte pare me thes

Veç ti nuk i ngjasove, monstrës së ndyrë, Vilëforit

Ndaj i sigurtë më more për një Edmond Dantes.



 

Jam gënjeshtar


 

Jam gënjeshtar

Mos u lodhni kot

Jam gënjeshtar që kur linda

Nuk ndryshoj dot.

Madje, jo vetëm

Jam mësuar të duartrokas tërë jetën

Atë, Zonjën e madhe:

Gënjeshtrën.

Jam gënjeshtar

Bëj pjesë në piramidën e saj

(S'ka rëndësi, në bazë a në majë)

Pres medalje të përlaj

Të bëhem Hero,. Nder i kombit,Mjeshtër

Mjeshtër i madh,... i punës, i gunës.

Kam qenë dhe do të jem:

I flamurit të gënjeshtrës, tundës.

Jam gënjeshtar, vërtet

Vendin e çova të kacavaret litarëve, në det

Të mbytet thellësive

Të ngrijë shtigjeve të dhive

Të vdesë shpirtin te semaforët

Të kapërcejë mure ambasadash:

Kope që i kanë varë këmborët.

Të uritur

Dhe me gënjeshtrën e madhe në xhep

Si vendi më i lumtur në planet

Vetëm medalje nuk i dhashë

Medaljet i mora për vete

I mora me gjithë ç' kishin nga pas.

Jam gënjeshtar

I paparë

Dhe kur më mos të jem

Portretin do t'ma kenë varë

Në muzeun e madh të gënjeshtrës

Si më i madhi atdhetar.

Jam gënjeshtar,

vendi im, djepi im!

Vetëm ti do të mbetesh batall,

Me dallgët si gjithmonë përballë.

Medaljet do të kenë mbaruar

I rrahur, i zhvatur, i mashtruar...

Deri kur kështu , vallë?...

VASO PAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
E PAQTË SI KRISTALICikël poetik nga SABIT RRUSTEMI (11.13.2011)
QIELL I BRYMTË ME PUTHJE SHIUCikël poetik nga RINA MYTKOLLI (11.09.2011)
BRENDA GJOKSIT TË HËNËS VETËM TI QËNDRONPoezi nga KËZE KOZETA ZYLO përfshirë në antologjinë "Rizgjimi i Lutjes" (10.30.2011)
ZOTI MË NË FUND DUHEJ TË BESONTE NË NJERIUNPoezi nga nobelistja WISLAWA SZYMBORSKA të përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.27.2011)
THEMELIMI DHE MANIFESTI I FUTURIZMITNga FILIPPO TOMMASO MARINETTI (10.26.2011)
Manifesti i Futurizmit NGRINI KOKAT LART! (10.26.2011)
AUTOMOBILIT TË GARËSPoezi nga FILIPPO TOMMASO MARINETTI (10.26.2011)
102 VJETORI I FUTURIZMIT OSE PRIMITIVËVE TË NJË NDJESHMËRIE TË REDossier i përgatitur nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.25.2011)
DIELLI ËSHTË PENDUAR QË LINDICikël poetik nga BARDHYL MALIQI (10.22.2011)
DHE UNË KËRKOJ HIJEN MË TË HOLLË, MË TË PAPËRFILLSHMEPoezi argjentinase të pëkthyera nga ANTON PAPLEKA (10.19.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]