VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
SI DY SHPIRTRA FRYMËN NDAJMË Cikël poetik nga VASO PAPAJ E Djelë, 11.20.2011, 10:02am (GMT1) Tek stoli në park Si të duan të flasin, të lirë janë John Do t'doja këtë mbrëmje me ty ta kaloj Tek stoli në park askush s' më pengon Në vesh të të flas, por dhe të t' përqafoj. I derdhur në bronz, ke mbetur i ri Kitarë ke në dorë, a mund të këndoj? Se këngët e tua dhe unë mirë i di Me klithmat e territ, rininë të kujtoj. Baladat e tua tërë botën ndryshuan, Ti bëre atë që s'e bën një kallash Durrsakët ndaj ty dhe veten nderuan Aty tek lulishtja, pranë murit të lashtë. Nëse syzet e bronzta shpesh të mungojnë Të rinjt i kan' marrë,.. do t'i kthejnë, ta dish Se duan këtë botë më drejt ta shikojnë Kështu ndoshta bota më ndryshe do t' ish. Përreth gjimnaziste, i ngrirë, nuk gëlltitesh Do t' donin një foto me ty si kujtim Ja, këmbë përmbi këmbë, i sheh dhe habitesh Sa vajza perrì paska ky djepi im! T'ia nisim një kënge, të lirë jemi John Michelle, Michelle, e kujtoj si tani Ma belle, ma belle, askush s'më pengon Ësht' bronx që djersin a loton?... Nuk e di.
Kënga e Nomadëve
Sa zhytet dielli, vjen e më kërkon E dorë më dorë, më shumë të ndjej Vallë, nga i merr ato fjal' që më kon?... Se unë mbi to më mjalt nuk gjej. Ne si nomadë shkretëtirash ngjajmë Humbur rrugëve të qytetit Dhe si dy shpirtra frymën ndajmë Mes ëndërrës dhe realitetit. E kohën vrasim, oaze kërkojmë Me net' pa gjumë në qiell të hapur Atje ku duam, kurrë s' përfundojmë Se Zonjën Liri, prapë e kanë kapur. Lirinë gabele me ngjyra- ngjyra A ka vallë liri, me xhepa bosh?... Lirinë që paska aq shumë fytyra Lirinë që qenka veç për kodosh. Nomadë të dashurisë ne jemi Udhëtarë që çajnë në çdo tallaz Të ndalemi, ne mendje s' kemi Rebeles erë i shkojmë nga pas.
Një sms Zotit
Një Sms po të dërgoj S'e di, o Zot, në të arrin Në do t' më bëje me pushtet Ta hidhja tej k'të varfërinë Besoj, ta meritoj vërtetë Nuk fluturoj si ca poetë. Të shkrova, e sa pa vënë një pikë Ky celular i shkretë m'u fik (Ndoshta, s' e mbajtën bateritë...) Ta nisa nga e para prapë Dhe shkrova vetëm dy tri fjalë Ndihmomë, o Zot, tek ty besoj E në kërkova shumë, më fal Më jep atë që meritoj Se si poet, kurrë s'lajkatoj. Provova prapë: më dha OK Mesazhi do t' kish shkuar tej Me shpresë ta gjeja gjithandej.
Zot, je akoma mbi qytet?...
Çngjyroset nata si një albatros gjigant E vidhet ngadalë me flatra, përgjatë Autostradës Po zbehen si me drojë syt' e verdhë të shumkatsheve Ngordhin dritat e përkulura të rrugëve , të lodhura nga puna e natës. Si pelikan i pangopur zbriti agimi, në këtë qytet të rrëmujtë. Në këtë qytet që s'është më i imi, është i të gjithëve dhe i askujt. Ndoshta nga tarracat e kateve shtatëmbëdhjetë, me kopshte si parajsa vet, ka mbetur, në një qoshe Zoti e na shikon. S' e di, ndoshta dhe na përgjon,.. E di Ai, që në këto rrugë, qielli nuk shihet më?!... Do të jetë e fundit vepër arti modern Pasuria mbyt lirinë...Edhe qiellin e rrëmben... Ç'e harxhova ditën sot, si një monedhë kusuri! Pesëdhjet lekë, një gazetë Merre, palose dhe fute nën xhaketë. Ndërsa qyteti i të gjithëve dhe i askujt nën smog me shpejtësi po humbet. Ndaj unë pyes Zot, a je akoma mbi qytet?... Zbrit, sonte dua të t' takojë. Tek Bari i lagjes në qoftë kësmet! Tek bangot e vjetra gjysmëbosh, që ke frikë t'i vështrosh Mos druaj, nuk loz bixhoz. Vetëm një raki: me speca, me domate, me turshi. Sa merak kam të të them, kështu esëll: Jam i lodhur, Zot! Jam i lodhur!
Përkëdhelje
Me një vështrim të vetëm Ç'u mbush me yje nata Dhe mori ngjyrë erresira Pse përkëdhelje pata. M'u ngjallën t' gjitha shqisat Te porta,... ti papritur Qenë fjetur ndjenjat tona Në ëndrra duke pritur. Ç'e ndeza brenda meje Gëzimin porsi zjarri Më fale ti pa leje Përkëdhelje prej të marri. Me një vështrim të vetëm Si det u bën te gjitha Ndaj shtratin ton' si varka Mes valësh e vozita. Tërë natën të pashkulur Më munde dhe të munda Nën sytë e hënës ngulur Përbrënda teje humba.
Një tjetër diell
Mëngjeseve e shoh, sa meken dritat e neonit Kur asnjë bar i vetëm qepenët s'i kish ngritur Makina e plehrave zhurmon me zërin e demonit Spërkat asfaltin boti, me copa jete ngjitur Ndërkoh' pasqyra e detit thith agun gjithandej E kris i vetmi jaht, përtej nga Kallmi shkon Po hënën, poçe qumështi, endè në qiell e gjej Qyteti, të fundit orë të gjumit po provon Dhe ja, aty tek plehrat, i njejti burrë me zhele Ca pantallona zhubra të lidhur me ushkur Kokës një vark' prej letre të ngjeshur si kapele Sajuar me gazetë, si ne fëmijë dikur. Një bluz' e Juves djersur, në trup i ishte ngjitur Ish bluza e zakonshme: me vija bardhë e zi Në shpinë Del Piero, dhjeta, shikova i habitur Sepse tani e bardha ish kthyer krejt në gri. Afrohem trotuarit, kërkoj ta përshëndes Përkulet në kazan dhe plehrat nis trazon E njoh atë shumë mirë, dikur flisnim serbes Po sot nuk di nga vjen, nuk di as ku po shkon. Nuk don t'i flas njeriu, as mua qe me njeh As llambave neon, maçokëve që rrëmojnë Po vjen agimi befas, fantazmat, fap, i fsheh Kanaçet brenda thasëve më therin e më shpojnë. Po zgjohet pak nga pak qyteti im i vjetër Mënj'anë ka mbetur hëna, surpriza ime e zbehte Do t'doja këtë mëngjes të lind'te një diell tjetër Se hëna po çgjyroset, pas pak do t' zhduket krejt. E hapet një dritare, e dy, e pesë, e gjashtë Nga drita e bardhë zbuloj: mbi det diçka rrëshket Një varkë prej letre ësht', kapelja kthyer mbrapsht Më kot kërkon të zotin, i zoti më s'do të jetë. Largohet bregut varka, po vallë kush do t'ia dij' Nëse një burrë me zhele, mëngjesi kish rrëmbyer Ëndërrës së vagëlluar i tha një lamtumirë Ashtu dhe dashurisë, që shpinën i kish kthyer.
Çelini arkapiat
Çelini arkapiat Uragani vrundullon Jepini rrugën qytetit Ju që dini vetëm shtigje, ferra Gardhe të përmjera Ju të nginjur, të rinj' dhe të thinjur. Çelini portat Dhe mos shihni duart, shihni sytë Dhembja, s' ju rëndon?... E, nëse ajo ju llaston tu kërkoni ndjesë, jepuni pak shpresë. Çelini arkapiat Uragani vrundullon Hapini rrugët qytetit Se fryma s'i mjafton Ndryshe, zemra lëngon Mund të pritet Bay Pass E gjithkush do të humbasë.
Kronikë kryeqytetase
Një zile e çmendur ore më tremb herët mëngjes Tirana ende përgjumur, makinat tërë vesë Kafeja më e hidhur, është kur vetëm pihet Ndërkohë, tymi i cigares në mushkëri më fshihet. E marr me ngutje xhinsat, të hedhur mbi karrike Dy grushta ujë syve, që mos të kem dremitje Mbi flokë kaloj një krëhër, gjithçka tani ësht' gati E kthej një gotë me qumësht, të lënë atje tek rafti. Ndryshon jeta gjithnjë, më shumë i ngjan betejës E kam shumë më të lehtë, se gjer tani jam njejës Por për betejë jam gati, ngjasoj me ushtarak Mes mizërisë e pres urbanin për Laprakë. E për të mos mbetur vetëm, si n'ëndërr kujtoj seksin Një prekje e lehtë dore, pandjerë më shton oreksin Shoferi shfrenon radion. "...njëzetepes' gërshetat..." Unë , vajzën pranë përpij, nga koka gjer te thembrat. E zbres te kioska e shtypit, një sy...lajmet e mbrëmjes I ftohtë jam këtë herë, indiferent edhe ndaj dhëmbjes Kronikë e zezë dhe rozë, jepen emër për emër, Për fatin tim të mire, e kam ende një zemër. Luftohet në Irak, fëmijë për jetë cunguar Nga mediat vijnë orteqe pejsazhesh të shkrumbuar E ndonse ngjaj i ftohtë,indiferent nuk jam ndaj dhëmbjes Një rresht më s'u lexoj kronikave të mbrëmjes. Ministra të përfolur, të mbrojtur nga drejtësia Dhe britma opozitare: Të ikë qeveria! Kronikë me shesh beteje, e hedh vështrimin shtrembër Për fatin tim të mirë, e paskam prapë një zemër. Dhe dielli edhe hëna më vijnë nga prapa Dajtit Kur kthehem në shtëpi, i them "shpejtohu" hapit E le të vijnë, të ikin, nuk e besoj të ndreqem N'urbanin e mëngjesit, pas kthesës do të tretem. Biri i Harresës (Marshi i të përndjekurve) Nuk kam emër, as mbiemër Biri i harresës jam Më ka mbetur veç një zemër Po të heshtjes bijë s'e kam. Ndaj një ditë heshtjen e shemba Se vazhdon zemra të rrahë Manushaqe dhe ndër gjemba Me pranverën krah për krah. Nga Olimpi s'ka rrufera Heshtje ka edhe harresë Por ta dini kam dhe vlera Zemrën time nuk e shes. Zemra ime e marrosur Të vërtetën don të ngas E plagosur, e fashqosur Veç nuk di një herë të vras. Kur i shoh nëpër ekrane Po ata e po ata... Them: Moj bota frikamane Të përjetshëm qenkan këta? Atë koh' që shkoi helmuan E vazhdojnë prap' të helmojnë As nuk heshtin, s'u penduan Bëjn' sikur dhe Zot besojnë. Ndaj më mirë të rri mes njerzish Pa një gotë në kafenè Po me emër dhe mbiemër Të pres i qetë çdo lloj rrufe.
Olsi
Olsi, Ti punon tek bari i një moteli Në autostradë, kilometri shtatë Çifteve, që nata e gjatë kurrë s'i veli Kafen ua çon në dhomë, her' posht', her' lart. Olsi, Dukesh se vjen nga një botë ideale Kur çelsin dorëzon: Dhoma dy, tre, tetë... As syt' s'i ngre, i shurdhët ndaj çdo fjale Një buzëqeshje të drojtur pas derës e troket. Olsi, Ç'paske kështu tërë këtë mëngjes? Don të flasësh, por asnjë fjalë s' të del Të dridhet dora kur sjell filxhanin e kafesë Pse heshtja jote ngjan aq shum' me k'të motel? Olsi, Ti punon. Tërë ditën një mijë lekë Ndaj kur të jap bakshish, dorën vë në zemër Të shoh, ata që ngjiten lart, shtrembër i ndjek Natyrisht,të ndrisin sytë tek cepi, për një femër. Olsi, Pse sot të ka rënë tërë ky trishtim? Vajza që lart u ngjit, mos ishte fqinja?!... Një shoqe klase, shkolle, mbetur në kujtim Mbase shoqëruesi të dukej burrë me thinja?... Olsi, Të njoh. Gazetat atë ditë të gjitha ishin shitur Në galerinë e thellë, ti kishe lënë babanë Ndaj malet ke ca vjetë që i ke zbritur Me vete more nënën, motrat dhe vëllanë. Olsi, Ti punon tek bari i një moteli Në autostradë, kilometri shtatë Çifteve që dita e sotme i përkëdheli Pak dritë të drojtur ua çon si një dhuratë.
Isha Edmond Dantes (Prokurorit tim) Kur Konti Monte Kriston lexoja në fëmijëri Me fundin simbolik: Durim por edhe shpresë S'e dija, sinqerisht, çdo të thoshte drejtësi As, se një ditë, do t' hyja në një kronikë të zezë. Kronika e zezë, i ngjet ndodhisë tek ashensori ritoli me komandë, nga larg, hajde ta gjesh Këtu, në këto raste, fiton vetëm fajtori Prandaj vendimi yt, më mbushi tërë shpresë. Gjatë ta dhashë dorën, të thashë faleminderit 'e di nëse një tjetër, do t'mirrte pare me thes Veç ti nuk i ngjasove, monstrës së ndyrë, Vilëforit Ndaj i sigurtë më more për një Edmond Dantes.
Jam gënjeshtar
Jam gënjeshtar Mos u lodhni kot Jam gënjeshtar që kur linda Nuk ndryshoj dot. Madje, jo vetëm Jam mësuar të duartrokas tërë jetën Atë, Zonjën e madhe: Gënjeshtrën. Jam gënjeshtar Bëj pjesë në piramidën e saj (S'ka rëndësi, në bazë a në majë) Pres medalje të përlaj Të bëhem Hero,. Nder i kombit,Mjeshtër Mjeshtër i madh,... i punës, i gunës. Kam qenë dhe do të jem: I flamurit të gënjeshtrës, tundës. Jam gënjeshtar, vërtet Vendin e çova të kacavaret litarëve, në det Të mbytet thellësive Të ngrijë shtigjeve të dhive Të vdesë shpirtin te semaforët Të kapërcejë mure ambasadash: Kope që i kanë varë këmborët. Të uritur Dhe me gënjeshtrën e madhe në xhep Si vendi më i lumtur në planet Vetëm medalje nuk i dhashë Medaljet i mora për vete I mora me gjithë ç' kishin nga pas. Jam gënjeshtar I paparë Dhe kur më mos të jem Portretin do t'ma kenë varë Në muzeun e madh të gënjeshtrës Si më i madhi atdhetar. Jam gënjeshtar, vendi im, djepi im! Vetëm ti do të mbetesh batall, Me dallgët si gjithmonë përballë. Medaljet do të kenë mbaruar I rrahur, i zhvatur, i mashtruar... Deri kur kështu , vallë?... VASO PAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |