VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KËSHTU E MBAJ MEND: FLOKËT SI VURBULLA ERE

Tri poezi të reja nga THANI NAQO 


E Martë, 11.22.2011, 09:33am (GMT1)

SHKEL PELLGASHET SI DHËNDËR I PRAPË

 

Hëna pellgasheve është shumuar,

kalldrëm i pafund me pogaçe.

Unë dhëndr'i varfër, eci menduar,

s'kam as dollibash dasme.

 

Përmbi pellgashe dredhoj kokëulur,

mbase gjej një gjerdhan.

Për gishtin tënd, unazën më të bukur...

ah, s'kam flori një gram!

 

Hëna gremiset atje, lart mbi kodrina,

e florinjta pemëve ka ngecur.

Hajdutçe e ndoqa, qiellit u kacavira,

dhe hënën e ngjesha nën sqetull.

 

Lëshoj pllazin n'errësirë. As dua t'ja di,

pogaçe s'më duhen këtë natë.

Nën sqetull shtrëngoj hënën e nxehtë flori,

shkel pellgjet si dhëndër i prapë!

 

 

E TRISHTUARA

 

Përherë e trishtuar. Kështu e mbaj mend

flokët si vurbulla reje.

Në zemrën e saj s'pati një copëz vënd,

për një tingull kitare prej meje.

 

Përherë e trishtuar. Ajo s'qeshte kurrë,

as ditëve e netëve pranverore.

Në lojën dritëfikur " grua dhe burrë",

ish m'e ftohta stinë dimërore.

 

Përherë e trishtuar. Sa vinte, ikte,

mjegulla asnjëherë s'iu nda.

Ca vorbullëza më ndjekin mua ndër vite,

nga trishtim'i çuditshëm i saj.

 

 

HERËS TJETËR S'DO TË MUNGOJ

 

Kur unë mungoj disa orë,

diku do të jem penguar.

Klubit plot tym, me hamejte e gjorë,

pi raki me cironka fërguar.

 

Kur unë mungoj edhe një ditë,

patjetër dergjem diku.

I dehur të vij nga unë ti ke frikë,

këndoj e flas kuturu.

 

Ah, s'mundem të vij as sonte,

njëmijë dyshime mbaj ti.

Rrodhe, gjithë veset e kësaj bote,

i jane qepur të dashurit tim.

 

Përgjon errësirën e pret drithëruar,

kërcitjen e portës së vjetër.

Ti s'ke pse t'a gdhish natën më zgjuar,

unë s'do të mungoj herës tjetër...

THANI NAQO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.