VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - RRËFIME KOSOVARE 1Nga DANIEL GÀZULLI

                                                                                      

E Mërkurë, 04.24.2024, 09:54pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

RRËFIME KOSOVARE 1

Nga DANIEL GÀZULLI


E Mërkurë, 12.07.2011, 01:48pm (GMT+1)

(Falnderoj të gjithë ata prej të cilëve mblodha rrëfimet në vijim)

1 - KAFJA DHE GRATË

Ka qenë traditë në anët tona që kur shkonin për kryeshëndosh, të baheshin bashkë burrat e fisit, a të lagjes, apo edhe të katundit, kur shkohej në një katund tjetër.

Kështu mblodhi edhe Bajram Keqi ka një për shtëpi prej fisit të tij e u drejtue për në Terzì, si i thonë një katundi aty rrazë bjeshke, kund dy orë në kambë.

Për kryeshëndosh shërbehej kafe, sidomos kur miqtë ishin të largët, pse kafja nuk ka qenë krejt e zakonshme, si sot: edhe ajo ishte pre e vorfnisë së përgjithëshme.

Kur vdekja nuk kishte qenë veçanarisht e randë, due me thanë, kur kishte ardhë simbas radhës e kishin përcjellë fëmijtë burra prindin, nuk mungonte edhe ndoj hidh e prit, se në anët tona bash kanë jetue me u tregue ma i shkathtë se tjetri në fjalë.

Si morën filxhanat në dorë, një djalë i Keqëve, Halimi, dhandërr në Terzì, gjithmonë me mendimin se kafja mund të ishte e nxehtë, e thithi si me zhurmë, çka tërhoq vëmendjen e të pranishmëve. I ri ishte e mund të mos ia vinin ore, po i zoti i shtëpisë, që e hiqte veten punë e madhe, nuk mund ndej pa e ngucë:

- E dashke fort, lum djali i Keqëve. Rueju prej saj, se grate e kafja, po i thithe fort, të prishin shëndetin.

Bajrami e nguci me gju djaloshin të mos përgjigjej, po i riu si i riu, ia pat aty për aty:

- Kjo mundet me ndodhë kur bie rrallë në te. Po unë, ka dashtë Zoti, kafen e pij përditë, e kur e pi përditë të mësohet edhe trupi me te, kurrë një send nuk të ban. E tash, prej vjeshtës që shkoi, kam një bijë tuejen që më ngrohë përnatë, e thith sa duhet.

Bajram Keqi e nguci përsëri me gju nipin, po kësaj here si të donte me i thane: Të lumtë goja, se çka kërkoi gjet.

2 - DUER TË ASHPRA

Aso kohe ndodhte që e merrje grua vajzën e botës edhe pa e njohë.

Lirim Selca nuk asht që nuk e kishte njohë të fejuemen e tij, por gjithmonë nga larg, deri atë ditë që doli nga burgu për herë të dytë, u martuen mbranda jave dhe ikën bashkë mërgimtarë në Zvicërr.

Ikën se, ndërsa delte prej burgut, i kishte thanë toger Bozhoja:

- Pa u rrue tri herë, prap këtu do të të sjellim.

Si burri e grueja, sidomos Teuta, krejt e re, pa i mbushë të njëzet vitet, ma shumë se me ba dashuni, u pëlqente të përkëdheleshin.

Lirimit i banin përshtypje duert e ashpra të së shoqes, po asaj nuk ia kishte thanë asnjëherë, se mos frenohej mandej me e përkëdhelë.

Të ashpra i kishte duert Teuta, se kishte ba çdo punë që ban një grue, ashtu edhe çdo punë që ban një burrë: kishte prashitë e kositë, kishte pre dru e ba mur. Ishte e vorfën familja e saj, nuk ua kishte ngenë duerëve të lëmueta të grave delikate.

Mbas disa muejsh që ishin në Zvicërr, u rregullue me punë në një fabrikë qelqi.

Grueja e pronarit, një trup sportiv e që ndoshta edhe ishte marrë ndonjëherë me ndonjë sport të randë, vinte një herë në muej dhe matej me punëtoret kush ia thyente krahun tjetrës.

Dikush thonte se e bante për sport, dikush thonte edhe se donte me provue cilat punëtore ishin të forta e me i mbajtë në punë, cilat nuk ia vlente me i mbajtë.

Sa me i thye krahun, ajo ua thente të gjithave, kujt ma lehtë e kujt pak ma vështirë.

Atë ditë kërkoi që të fillonte me punëtoren e re.

U ulën në dy anët e tryezës, i shtërnguen duert fort, aq sa po u dridheshin, deri sa zoja nuk pat ma forcë e shpina e dorës së saj u përplas për teryezë. Ishte hera e parë që ndodhte në dymbëdhjetë vjet.

- Më fal - i tha Teuta, tue mendue se ia kishte përplasë pak si shumë dorën mbi tryezë.

Zoja e shikoi drejt e rreptë, nuk ia mbushi aspak synin, prandaj i tha Teutës:

- Edhe një herë.

I shtërnguen përsëri duert, fort, gjithnjë e ma fort, e Teuta e la edhe t'i përkulej krahu pakgja. Zoja po bërtiste me një çirrje me të shti frikën, po dikur iu prenë forcat dhe shpina e dorë së saj u përplas përsëri për tryezë.

Atë ditë zoja e pronarit nuk u mat me punëtoret tjera. Mori çanten prej lëkure tigri dhe iku pa u thanë as ditën e mirë.

3 - KUR KUVENDI BJERR UDHË

Keq Doda, burrë me mend e kuvend, kishte shkue në një rast vdekje në Treplanë.

Aso kohe, tue qenë miqësia larg, ndodhte që i vdekuni mbahej edhe deri të mbasnesërmen pa u varrosë.

Burrat, tek rrinin në odë, kapnin kuvende gjithfarësh, po gjithësesi, që t'i kishin hije një ndeje të përmortëshme.

Mirëpo atë ditë biseda filloi e po bahej edhe me za të naltë, po flitej për gjithçka, mbarë e mbrapsht.

Erdhi puna e u kthye morti në një treg bagtishë e tagjishë dimnore. Askush buk po donte me dijtë se vetëm një dhomë përtej ishte i shtrimë, për ditë të fundit në mes tyne, Sokol Zeneli.

Kur vërejti se biseda e tregtisë kishte marrë tepër zjarr, Keq Doda u çue në kambë e iu drejtue burrave në odë:

- Pazari i mirë u koftë, se unë nuk kam kurrisend as me shitë e as me ble, prandaj po shkoj, pa humbë kohë këtu, në dekë të dashamirit tim Sokol Zeneli, se boll jam koritë pa i shkue ende.

4 - PUSHTETI I GRUES SHTATZANË

Lirim Selca, si gjithë mërgimtarët, do ta fillonte me gjana të vjetra me e plotësue shtëpinë.

I pari e kishte rradhën një krevat dopio: e shoqja nuk kishte si flinte ma nëpër divana, mbas tre muejsh pritej të bahej nanë për herë të parë.

I thanë se kishte një me e shitë Rexhep Salihi.

Nuk ia pat qefi të merrej me të, po nevoja e shtynë me shkue e me e takue.

Rexhep Salihi nuk njihej për kurrnjësend të mirë: trupmadh e i fuqishëm, e kishte nisë e po e soste jetën tue mashtrue, vjedhë e deri tue grabitë me dhunë. Ndër mërgimtarë flitej fort keq për të e secili i shmangej.

Po nevoja si nevoja e i shkoi te shtëpia.

"Po, i tha Rexhepi, e shes. Gjashtëqind franga".

Lirimi e shikoi me vemendje krevatin, i pelqeu, edhe çmimi iu duk i arsyeshëm, po i kishin thanë se Rexhepi shiste lirë, se pa mundë i kishte, prandaj i hodhi një fjalë ashtu kot: "A nuk janë shumë"?

"Në daç e merr, në daç e len!", foli ai harbutçe, si ishte në natyrën e tij.

Lirimi u mendue. Nuk i kishte gjashtëqindë frangat, ndoshta po ia jepte me këste, e papritë u kujtue: "Po një raft për rroba, a thue e ke"?

"Po, iu gjejgj Rexhepi. E po ta la në çmim të krevatit, 600 franga të dy. Por nuk e kam këtu. Ta sjell nesër te shtëpia".

"Rexhep, u morem vesht i foli Lirimi Tash edhe njëgjasend. Me ma lanë pagesën në dy këste, sot treqindë franga, treqindë të tjerat mbas një muej, kur të marr rrogën".

"Qoftë ba!" iu gjejg Rexhepi dhe Lirimi pagoi treqind franga dhe mori krevatin.

"Raftin e kam nesër, kështu?" ia kujtoi edhe një herë Rexhepit

"Unë jam Rexhep Salihi! ngriti zanin ai Fjalën time nuk e ve kush në dyshim!"

"Edhe unë jam Lirim Selca!" ia ktheu tjetri, edhe pse nuk kishte pikë dëshire me u matë me Rexhepin.

Kaloi dita, kaloi java e besa edhe muej, po raftin Lirimi nuk e mori.

Takoje sot e takoje nesër, kujtoja tash e kujtoja ma vonë, po Rexhepi as dukej se kishte në mend me i sjellë ma raftin.

Si kaloi muej, një të djelë nadje, Rexhepi ia behi te shtëpia e Lirimit dhe pa i përshëndetë as ate e as të shoqen, Teutën, grithi: "Paret! Hajt!"

Teuta, tue mbajtë dorën në bark se po i lëvizte fëmija, ia pat aty për aty: "Raftin!"

Rexhep Salihi shtangu. I kishte mbetë vështrimi tek barku i rrumbullakosun i grues, dhe pa thanë asnjë fjalë, doli.

U kthye përsëri mbas dy minutash. "Mirë, tha, m'i jepni kur t'i keni".

DANIEL GÀZULLI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RRËFIMI PËR BABAJIN E VOGËLTregim nga HELEN BANNERMAN (12.07.2011)
CIGANIA ME SY JESHILTregim nga ALEKO LIKAJ (12.05.2011)
NJË VIZITOR I PANJOHURTregim nga JAHO MARGJEKA (11.23.2011)
KËSHTU E MBAJ MEND: FLOKËT SI VURBULLA ERETri poezi të reja nga THANI NAQO  (11.22.2011)
TREGIM PËR BABANË TIMNga ALI PODRIMJA (11.21.2011)
SI DY SHPIRTRA FRYMËN NDAJMËCikël poetik nga VASO PAPAJ (11.20.2011)
E PAQTË SI KRISTALICikël poetik nga SABIT RRUSTEMI (11.13.2011)
QIELL I BRYMTË ME PUTHJE SHIUCikël poetik nga RINA MYTKOLLI (11.09.2011)
BRENDA GJOKSIT TË HËNËS VETËM TI QËNDRONPoezi nga KËZE KOZETA ZYLO përfshirë në antologjinë "Rizgjimi i Lutjes" (10.30.2011)
ZOTI MË NË FUND DUHEJ TË BESONTE NË NJERIUNPoezi nga nobelistja WISLAWA SZYMBORSKA të përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.27.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]