VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Pse shkrimtari Zija Çela refuzoi të promovonte romanin e tij në Panairin e fundit

A ËSHTË TURP ME QENË SHKRIMTAR...!?

Nga GRANIT ZELA


E Djelë, 12.11.2011, 10:06am (GMT1)

"Duke qenë se vëmendja mediatike dhe qendra gravitacionale u zhvendos totalisht tek politikanët shkrimtarë, a thua se ato nuk i zaptojnë ato përditë duke i lënë ndonjë frëngji në ekrane dhe gazeta shkrimtarëve shkrimtari Zija Çela refuzoi ta promovoj romanin e tij "Apokalipsi i Shën Tiranës" në këtë Panair. Mos-promovimi i "Apokalipsi i Shën Tiranës" në Panairin e Politikanëve prej shkrimtarit Zija Çela, ishte ngjarja menjëmend kulturore e këtij Panairi. Përballë apokalipsit të konsiderimit të librit si mall, kulturës si treg, letërsisë si propagandë dhe lënies në hije të librave letrarë, Zija Çela refuzoi. Refuzimi i tij ishte refuzimi estetik i Shkrimtarit."

Si askurrëndonjëherë më parë gjatë këtyre katërmbëdhjetë vjetëve që organizohen panaire të librit në Tiranë, këso here, Panairi i Librit oshëtiu nga fanfarat mediatike të politikanëve që shkruajnë; ardhja e tyre me pompë e bujë e zgërlaqi skenën letrare shqiptare dhe ata pak shkrimtarë që kanë mundur gjer më sot të zënë hisen e tyre të diellit në atë që quhet Letërsi Shqipe, u qitën në shmang prej lexuesit të fituar me mund e mjeshtëri duke u trallisur nga mësymja plot marifete të zhurmshme e të bujshme publiciteti që shoqëroi ofiqarët e politikës.

Ky Panair, ndryshe nga të gjithë panairet e derimësotshme, e toksikoi lexuesin me një propangandë të furishme ku politikanët që shkruajnë kujtime me gazetarët që shkruajnë histori të së së shkuarës (jo të së shkruarës) formuan një aleancë të përpiktë me botuesit shërbestarë të fitimeve prej biznesit të librit, pra shkurt e shqip, u bënë bashkë politikanët dhe media për ta kthyer këtë Panair në një ndërmarrje prodhimit të librave-mall për t'u shitur, fabrikimit të bestselleristave të industrisë së reklamimit ndërkohë që botuesit shqiptarë ka tash sa vjet që janë në marrëdhënie piramidale me shkrimtarët, duke vënë veten e fitimet e tyre në majë të piramidës dhe duke i detyruar shkrimtarët që të botojnë me paratë e tyre librat e duke mos ofruar as mundësinë më të domosdoshme, mbërritjen tek lexuesi.

Politika nuk vendosi t'i jepte fund lëngatës së letrave shqipe qoftë edhe duke vendosur tw mbeshtesin gazetwn letrare dhe kulturore Nacional, tw të vetmen gazetë, me profil tw lartw biles shkencor të kritikës letrare, si dhe tw hapur pwr tw gjitha prurjet e reja letrare ne hapsirat shqiptare.

Politika nuk vendosi t'i jepte fund "izolimit" total të vlerave të krijuara përgjatë njëzetë vjetëve, ku nuk ka asnjë ndërmarrje për të përkthyer në gjuhë të huaja më së paku ato vepra që janë shquar apo dalluar prej ministrisë së kulturës si vepra të vitit ndërkohë që një vend fqinjë si Maqedonia, projektin e vet më të fundit ka përkthimin e 1200 veprave letrare në gjuhën angleze, apo vendet e tjera fqinje të cilat financojnë përkthimin e veprave më të dallueshme letare të tyre në gjuhë të huaja, anglisht, frëngjisht, gjermanisht etj.

Politikanët nuk erdhën me përvujtni dhe si adhurues të Tempullit por nga sa pamë dhe dëgjuam të tre këta, (sa)botuesit, politikanët dhe media ia behën para Olimpit letrar mirëfilli si pushtues,me një infrastrukturë të madhe mediatike që ngriti me shpejtësi idhujt e lexuesve të cilët gjetën një qytet letrar të pushtuar prej politikanësh që kishin veshur kostumin e shkrimtarit si maskë për të joshur shtresat e pangatërruara me politikën dhe e përdorën Librin si armë për të përhapur popullaritetin e tyre.

Fushata për t'u shpallur "best seller"

Qysh në fillimet e veta, ky Panair sfidën më të madhe të tij pati garën për t'u shpallur best-seller. Sipas deklaratave të menaxherëve të botimeve pati rekorde të vazhdueshme shitjesh mes politikanëve dhe gazetarëve. Deklaratat për lumin e lexuersve që vërshoi për të shpallur dhe kurorëzuar best-sellerin e Panairit. Deklaratat bënin fjalë për rekorde shitje, thyerje rekordesh, për sasi të shitura në hapësira të ngushta kohore, shifra që ndërroheshin ditë pas dite, të cilat rriteshin nga konsumatorë 30 der në 50 vjeç. Këta konsumatorë mbanin libra nga 400 deri në 900 faqe nën sqetull, libra në të cilët publikoheshin "fakte, dëshmi dhe dokumente të papublikuara kurrë me parë", libra që "të ngjall fakte dhe trillime, atmosferë dhe ankth, duke shpalosur një histori të paharrueshme" etj etj.

Shifrat e shitjeve bënin fjalë për të 1500 kopje "Kurban" të shitura për dy orë në mbrëmje, 2000 kopje në dy javë të kujtimeve të "Kohë e pamjaftueshme"; për shitje për një ditë-natë 3000 kopje të "Kurban", 800 kopje të shitura për një ditë të "Shqipëria" pasi u hodhën në treg edhe 5000 kopje. Në krye të këtyre shitjeve marrëmendëse, si qershia mbi tortë për brezat e moçëm e të rinj mëtoi të qëndronte "Enver Hoxha" i cili u pretendua se hyri në shtëpitë e mijërave shqiptarëve të magjepsur nga buja e tam tameve shkrimore dhe pamore në faqet e gazetave dhe ekranet e TV-ve të cilat bombardoheshin orë e çast nga kopertina e best-sellerit që shfaqej e zhdukej nga ekrani bashkë lajmin se ishin shtypur edhe 15 mijë kopje të tjera.

Sipas një deklarate zyrtare të dy best-sellerave të këtij "Libri "Enver Hoxha" u shit 20 mijë kopje në katër javë dhe u shtypën 20 mijë kopjet e dyta" ndërsa "Libri "Shqipëria" u shit 10 mijë kopje në një javë dhe u shtypën 10 mijë kopjet e dyta". Sipas këtij njoftimi me fjalët e botuesit, kërkesat për këta dy libra ishin aq të mëdha, sa botuesit u gjendën para një situate të pangjarë më parë; nuk arrinin të përballonim kërkesat e lexuesve. Kërkesat vinin "jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova". Sipas këtyre njoftimeve, nuk ishte vetëm Shqipëria ku kishte pllakosur kjo epidemi, por ajo ishte përhapur me shpejtësi edhe në Kosovë dhe popullsitë shqiptare atje kërkonte masivisht këto libra.

U sajuan kësisoj lajme, u shkruan faqe gazete, por punët nuk përfunduan këtu. Disa nga bes-sellerat e Panairit nisën ti studiojnë, interpretojnë dhe deshifrojnë si "kritikë profesionistë" fallxhorët dhe astrologët, një gjetje fanatastiko-shkencore, një lloj banaliteti i cili pavarësisht nga dimensionet e tij groteske për t'u përfshirë në faqet kulturore të një gazete nuk ia kalon banalitetit sistematik dhe kryeneç që pati interpretimi i botimit tjetër best-seller "Kohë e pamjaftueshme" prej gazetarit Kastritot Myftaraj.

Fushata e botuesve si biznes

Dy muaj para se të fillonte Panairi i Librit, botuesit shqiptarë u përçanë mes vedi për punë parimesh, dhe nisën serinë e konferencave për shtyp, me akuzën kryesore se ky Panair "nuk përfaqëson kulturën e Librit por tërësisht Biznesin e librit"Këto "akuza" u argumentuan me ishte rritur pa asnjë shpjegim çmimi i stendave ku do të vendosej Libri dhe se "ishin favorizuar në këtë panair shtëpitë botuese të librit shkollor dhe jo atij artistik". Çështja e madhësisë së stendave në varësi të parave që do të paguheshin prej shtëpive botuese u konsiderua si "goditje të ulëta dhe aspak etike që bëjnë ndaj konkurrentëve."

Për një metër katror që u përdor nga një shtëpi botuese u pagua 70 euro. Fatmirësisht që nuk ju kërkua lexuesve që të paguajnë për metrat katror që do të përshkonin në Panair se çështja do të bëhej shumë serioze. 90 apo 95 mijë lexues që u deklarua që vizituan Panairin shumëzuar me 70 euro për metër katror për gjithsecilin do t'i jepnin fund "varfërisë" së shtëpive tona botuese të cilat megjithëse nuk deklaruan për ndonjë ulje çmimi të mallit që shitën, po rezitojnë heroikisht në shërbim të "kulturës" së tyre të librit si mall tregu. Të akuzuarit replikuan në një konferencë tjetër për Shtypin se ato akuza ishin "sulm tendecioz ndaj këtij panairi, dhe se "ajo ishte një fushatë agresive, e pa sens, karshi Panairit". Fushata e politikanëve dhe gazetarëve që shkrujanë përkoi 100% me interesat e (sa)botuesve dhe e vulosën identitetin e këtij panairi. Mungonin vetëm shkrimtarët. Njëri prej tyre refuzoi që në një katrahurë të tillë të promovonte librin e tij.

Duke qenë se vëmendja mediatike dhe qendra gravitacionale u zhvendos totalisht tek politikanët shkrimtarë, a thua se ato nuk i zaptojnë ato përditë duke i lënë ndonjë frëngji në ekrane dhe gazeta shkrimtarëve shkrimtari Zija Çela refuzoi ta promovoj romanin e tij "Apokalipsi i Shën Tiranës" në këtë Panair. Mos-promovimi i "Apokalipsi i Shën Tiranës" në Panairin e Politikanëve prej shkrimtarit Zija Çela, ishte ngjarja menjëmend kulturore e këtij Panairi. Përballë apokalipsit të konsiderimit të librit si mall, kulturës si treg, letërsisë si propagandë dhe lënies në hije të librave letrarë, Zija Çela refuzoi. Refuzimi i tij ishte refuzimi estetik i Shkrimtarit.

Përmbyllje

Ka njëzet vjet që politika nuk u ka dhënë zgjidhje problemeve të letërsisë; faktit që që shtëpitë botuese detyrojnë shkrimtarët shqiptarë të vetëfinancojnë botimet e tyre, gjë që ka lejuar masivitetin e botimeve mediokre të cilat e kanë zhvlerësuar letërsinë shqipe në sy të lexuesit shqiptar dhe i ka penalizuar vlerat e krijuara gjatë këtyre njëzetë viteve. Kanë kaluar njëzet vjet dhe Ministria e Kulturës nuk ka financuar një revistë serioze e kritikës letrare, gazetat dhe revistat kulturore të cilat janë mbyllur prej pamundësisë finanaciare. Ka njëzet vjet që politikanëve marrin pjesënë funeralët e shkrimtarëve dhe artistëve pa i qasur ato sa janë gjallë. "Nderimi" që shkrimtarët dhe artistët marrin pas vdekjes është një tallje trashamane me lënien në mëshirë për sa janë gjallë. Nderimi pas vdekjes për shkrimtarët dhe harrimi sa janë gjallë është një farsë që duhet të marrë fund.

Ka njëzetë vjet që nuk mbështetet përkthimi në gjuhë të huaja i veprave më të mirë në fushën e letërsisë shqipe të letërsisë bashkëkohore qysh pas Lufëts së Dytë Botërore e përkëtej. Ka njëzet vjet që nuk krijohet infrastruktura e shpërndarjes së librit në të gjithë Shqipërinë. Shtëpitë Botuese, thuajse njëqind të tilla, duhet ta materializojnë detyrimin fillestar që kanë kundrejt lexuesit me zhbllokimin e komunikimit me të.Nuk ka bursa studimi në lëmë të përkthimit me kusht që përfituesit të nënshkruajnë dhënien e kontributeve për përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhë të huaj dhe anasjelltas dhe nuk mbështetet botimi i veprave më të mira të letërsisë bashkëkohore.

A i kthehet pas këtij panairi lexuesi letërsisë shqipe apo është më i tëhuajtur prej tij? A do të shërbej letërsia për paqëtimin e politikës apo politika do të përcjellë tek letërsia agresivitetin e saj si qelizë kanceroze që përthan dhe instrumentalizon palcën e letërsisë duke e kthyer në instrument fushatash politike?. Nëse prirje e botimeve të verës 2011 ishin librat "limonadë" dhe erotikë, librat rozë, romancat e dashurisë, librat policeskë si më të parapëlqyerit për lexuesit, pra lloji më i ulët i letërsisë, tendencat e imponuara të Panairit të vjeshtës ishin botimet jo-letrare, studimet, monografitë, veprat historike, politike etj.

Ky ishte Panair ku u përdor një arsenal mjetesh jo letrare për të propaganduar libra jo letrarë për të prodhuar best-sellerë komercialë me vëmendjen kryesore në matësit e shitjeve të cilat e konsiderojnë librin si mall për treg. Ky Panair foli për politikën dhe politikanët dhe përpjekjen e tyre për të zëvendësuar shkrimtarin me politikanin shkrimtar si dhe librin artistik me librin politik, publicistik, historik pra zëvendësimin e letrares me jo letraren.

GRANIT ZELA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.