VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Tomas Shter Elioti, Poeti i Tokës, Ajrit, Ujit dhe Zjarrit E Martë, 12.30.2008, 10:17pm (GMT1) Ese T.S.ELIOTI, POETI I AJRIT, TOKËS, UJIT, ZJARRIT Në këtë ardhje-ikje-ardhje-ikje për T.S.Eliotin një kuptim të veçantë zë fjala, e cila mesa duket arrin të mbijetojë në shkretëtirën e mosnjohjes. E të panjohurës që do të vinte pas poetit vetë, dhe asaj të panjohure që vjen pas nesh. Fjala mbetet edhe kur ne mungojmë. Fjala e T.S. Eliotit mbetet edhe kur tani vetë poeti mungon, tani kur poeti e ka nisur prehjen e përjetëshme, kur fillimi i tij dhe fundi i tij janë bashkuar dhe bërë një... Shkruan: Elida Buçpapaj BURNT NORTON që kam përkthyer nga vepra e Nobelistit të shquar britanik T.S.Eliot është shkëputur nga poema e tij e famshme Katër Kuartetet, ( që mbajnë përkatësisht titujt: BURNT NORTON, EAST COKER, THE DRY SALVAGES, dhe LITTLE GIDDING ), shkruar dhe botuar midis viteve 1936 1942. BURNT NORTON është kënga e parë e këtyre Kuarteteve, që qëndron edhe në ansambël por edhe e vetme. Në një letër që poeti vetë i dërgonte një studiuesi amerikan, i deklaronte atij se midis katër këngëve të poemës ekziston një relacion si midis katër stinëve të vitit apo katër elementëve kryesorë: ajri, toka, uji dhe zjarri. Sipas poetit, BURNT NORTON i takon të përfaqësojë ajrin dhe pranverën; EAST COKER, tokën dhe stinën e verës; THE DRY SALVAGES, ajrin dhe vjeshtën, ndërsa LITTLE GIDDING, zjarrin dhe dimrin. Duke iu referuar këtyre katër elementëve themelorë të jetës në planetin tokë, T.S.Eliot përsëdrejti pohon edhe një herë vokacionin e tij të preferuar për të abstraguar drejt universit dhe universales. Toponimia e poemës të parë e ka nismën në emrin që mbante një kështjellë në Gloucestershire, të cilën poeti e kishte vizituar vetë. Kështjella në fjalë ngrihej në themelet e një kështjelle tjetër më të vjetër që e kishte rrafshuar zjarri gjatë shekullit XVII. Ndoshta ky kishte qënë shkaku që BURNT NORTON në botimin e hershëm të titullohej thjesht SHTËPIA E DJEGUR. Por ndërsa titulli aktual që mban mund të sugjestionojë rishtaz përkatësinë e elementit të zjarrit, pasi edhe në variantin BURNT NORTON, në anglisht "BURNT" do të thotë "DJEGUR", T.S.Elioti në vazhdimin e ndërthurjeve, kësaj kënge i ka dhënë përkatësinë e elementit të ajrit. Por ajri në këtë poemë ndihet me karakteristikën e vet themelore të padukshmërisë. Nëse e lexon poemën, menjëherë ve re se fjalët që përdor më dendur poeti në këtë këngë janë: koha dhe lëvizja, në kontekstet e tyre si nocione të thjeshta që pastaj duke përshkuar spiralen shndërrohen në nocione universale dhe shumëkuptimore. Koha e tashme dhe koha e shkuar, që sipas poetit përbëjnë kohën e ardhme, janë e tashmja e prekëshme dhe e shkuara e posaikur, janë tik-taket në këtë çast, kur e vemë veshin tek ora e dorës, janë ajo iku tani, dhe që ishte përpara një çasti, ajo që përpara një çasti ishte e tashme dhe përpara dy çastesh ishte e ardhme, por që tani është arratisur, është larguar prej nesh përfundimisht dhe ne nuk mund ta kthejmë dot kurrë më pas. Por ky trinitet kohor ( e djeshmja, e sotmja, e ardhmja) është edhe e gjithë historia e jetës, gjeneza e njeriut historik prej Homo Erektus-it deri dek Homo Sapiens Sapiensi, prej zanafillës, kur bota ka zënë fill për së pari, gjatë gërshetimit të elementëve të ajrit, tokës, ujit dhe zjarrit e deri tek çdo sekondë që ne e lëmë pas dhe tek çdo sekondë që kemi përpara. Ajo që lemë ne pas është e pakthyeshme, e paformë, e pangjyrë, sikur ajri. E shkuara, e djeshmja, zanafilla, fillesa i takojnë fundit, të cilën T.S. Elioti e krahason në inkoshientin e tij me një shtëpi të djegur, deri në rrafsh, ku kujtimet i ngjajnë hieroglifeve, që mund t'i zbulojnë vetëm arkeologët nëpër rrëmime . Fillesa dhe fundi u ngjajnë dy vizatimeve identike që kur i vendos njërin sipër tjetrit përputhen, por kthehen menjëherë në një nocion abstrakt, që nuk e sheh syri dhe nuk e prek dora. Poeti ndërkohë zbulon se e shkuara, e ikura, e tashmja, e ardhmja, këto nocione abstrakte që shprehin në vetvete kohën, - lëvizin, rrjedhin edhe në të përpjetë edhe në të tatëpjetë, pra në të gjitha senset, duke pasur vetëm një destinacion që është prehja, kur zanafilla dhe fundi përputhen ngjitmas. Në këtë ardhje-ikje-ardhje-ikje për T.S.Eliotin një kuptim të veçantë zë fjala, e cila mesa duket arrin të mbijetojë në shkretëtirën e mosnjohjes. E të panjohurës që do të vinte pas poetit vetë, dhe asaj të panjohure që vjen pas nesh. Fjala mbetet edhe kur ne mungojmë. Fjala e T.S. Eliotit mbetet edhe kur tani vetë poeti mungon, tani kur poeti e ka nisur prehjen e përjetëshme, kur fillimi i tij dhe fundi i tij janë bashkuar dhe bërë një... -------------- T.S.ELIOT KATËR KUARTETET BURNT NORTON ose SHTËPIA E DJEGUR I Koha e tashme dhe koha e shkuar Janë të dyja ndoshta të pranishme në kohën e ardhme, Dhe koha e ardhme përmbahet në kohën e shkuar. Nëse e gjithë koha është përjetësisht e pranishme E gjithë koha është e pakthyeshme. Çfarë mund të ketë qenë është vetëm një abstraksion Duke mbetur një mundësi e përjetëshme Vetëm në botën e spekulimit. Çfarë mund të kenë qënë dhe çfarë të ketë qënë Shënon njërin fund, i cili është gjithmonë i tashëm. Jehonë shumëhapëshe në kujtesë Përgjatë korridorit që nuk e përshkuam Në kopështin e trëndafilave. Jehona e fjalëve të mia Megjithatë, në mendjen tuaj. Por për çfarë qëllim Shqetëson dheun e vazos të gjethe-trëndafilave Unë nuk e di. Të tjera jehona E banojnë kopështin. A do t'i ndjekim ne ? Shpejt, tha zogu, gjejini ato, gjejini ato, Përreth qoshes. Përmes portës së parë, Kur kemi zënë fill për së pari, a do t'i ndjekim Joshjet hileqare të laraskës ? Kur kemi zënë fill për së pari. Atje ato ishin, të denja, të padukëshme, Duke lëvizur të papesha, përmbi gjethet e vdekura, Në nxehtësinë e vjeshtës, përmes drithmave të ajrit, Dhe zogu thërriste, në përgjigje të Muzikës të padëgjuar fshehur nëpër shkurrnaja, Dhe syri i padukshëm i rrezes kryqësohej, sepse trëndafilat Kishin pamjen e luleve që janë të vështruara. Atje ato ishin si miqtë tanë, të mikpritur çdo herë. Kështu lëviznim ne, dhe ata, në një shtjellë ceremoniale, Përgjatë rrugës të zbrazur, në një kuti të qarkuar, Duke vështruar poshtë në një pellg të tharë, I tharë pellgu, i gurosur prej tharjes, me plasaritje të kafta, Dhe pellgu ishte i mbushur me ujë prej rrezeve të diellit, Dhe zambakët e ujit çelnin, qetësisht, qetësisht Dhe sipërfaqja vezullonte prej zemrës të dritës, Dhe ato ishin prapa nesh, të pasqyruara në pellgun. Pastaj një ré kaloi, dhe pellgu ishte zbrazur. Shko, tha zogu, sepse gjethet ishin plot me fëmijë, Të fshehur, të gjallëruar plot me haré. Shko, shko, shko, tha zogu: shpirti i njeriut Nuk mund ta durojë gjatë realitetin. Koha e shkuar dhe koha e ardhme Çfarë mund të kenë qënë dhe çfarë të ketë qënë Shënojnë të vetmin fund, i cili është gjithmonë i tashëm. II Hudhra dhe zafirët brënda në baltë Bllokohet prej llucës boshti i rrotës. Filli rrënqethës brënda gjakut Këndon përposhtë plagëve të herëshme Duke i paqtuar gjatë luftrat e harruara. Kërcimi përgjatë arterjes Qarkullimit të limfës Janë të vizatuara në rrjedhën e yjeve Ngjiten verës nëpër pemë Ne lëvizim mbi pemën që lëviz Në dritën përmbi gjethen e vizatuar Dhe dëgjojmë përmbi tokën e qullur Përposhtë langoi dhe derri i egër Ndjekin gjurmët e tyre si më parë Por pajtoheshin midis yjeve. ... Në pikën e palëvizshëm ku rrutullohet bota. As mish as peshk; As prej nga e as për diku; në pikën e palëvizshme, atje luhet vallja, Por as ndalesë as lëvizje. Dhe kjo nuk quhet palëvizshmëri, Ku e shkuara dhe e ardhmja janë thurur. Asnjë lëvizje as prej nga as për diku, As ngjitje as zbritje. Përveçse për pikën, pikën e palëvizëshme, Atje nuk do të ketë kërcim, dhe atje është vetëm kërcimi. Unë vetëm mund të them, se atje kemi qënë ne: por nuk mund të them ku. Dhe unë nuk mund të them sa gjatë, sepse kjo duhet të vendoset në kohë. Liria e brendëshme nga dëshira e çastit, Çlirimi nga veprimi dhe vuajtja, çlirimi i brendshëm Dhe nga shtrëngimi i jashtëm, ende rrethuar Nga hijeshija e të ndjerit, një dritë e bardhë e ngulur dhe lëvizëse Kryengritje duke qëndruar në vend, grumbullim Pa përjashtuar, të dyja një botë e re Dhe e vjetra ishte bërë saktë, kuptueshëm, Në përmbushje të ekstazës të saj të pjesëshme, Vendim i tmerrit të saj të pjesshëm. Akoma prangosja e të shkuarës me të ardhmen Thurur mbi dobësinë e ndryshimeve të trupit E mbron njerëzimin nga qielli dhe mallkimi Mishi i të cilit nuk mund të durojë. Koha e shkuar dhe koha e ardhme Lejojnë por pak vetëdije Të jesh i vetëdijshëm do të thotë të mos jesh në kohë Por në kohë është vetëm çasti në kopështin e trëndafilave, Çasti mbi tendë ku shiu regëtin, Çasti në kishë kur nuk e tërheq tymin oxhaku Kjo kujtohej; duke u ngatërruar e shkuara me të ardhmen. Vetëm përmes kohës koha pushtohej. III Këtu është një vend i mosdhëmshurisë Koha përpara dhe koha më pas Në një dritë të venitur: as drita e ditës Duke i dhuruar trajtën me qartësinë e kulluar Duke e kthyer hijen në një bukuri kalimtare Me një qarkullim të ngadaltë që të kujton përherësinë As errësira me prehjen e shpirtit Duke e zbrazur epshin me privime Duke e pastruar dhëmshurinë nga përkohësia. As plotësi as zbrazëti. Vetëm një regëtimë Mbi fytyrat e tendosura dhe të rrudhura nga koha Hutuar prej hutimit nga hutimi Mbushur me fantazi dhe zbrazur nga kuptimi E buhavitur e plogësht e papërqëndruar Njerëz dhe copa letrash vorbullohen nga era e ftohtë Që fryn përpara dhe pas kohës, Era që hyn dhe del prej mushkërive të sëmura Koha përpara dhe koha pas. Gromësimë e shpirtrave jo të shëndetshëm Në ajrin e vyshkur, mpirja Drejton erën që fshin kodrat e trishtuara të Londrës, Hampstead dhe Clarkenwell, Campden dhe Putney, Highgate, Primrose dhe Ludgate. Jo këtu Jo këtu errësira, në këtë botë cicërimë. ... Zbret më poshtë, vetëm zbret Në botën e vetmisë të përjetëshme, Bota jo bota, por ajo që nuk është botë, Errësira e brëndëshme, privimi Dhe shterimi i të gjithë pasurisë, Tharja e botës së ndjenjave, Shpërngulja e botës të fantazisë, Çvlerësimi i botës të shpirtit; Kjo është njëra rrugë, dhe tjetra Është e njëjtë, jo në lëvizje Por në mungesën e lëvizjes; ndërsa bota lëviz Me etje të madhe, mbi rrugët e saj të metalta Të kohës së shkuar dhe kohës të ardhme. IV Koha dhe kambana kanë varrosur ditën, Reja e zezë e shtyn diellin tutje. A do ta kthejë kokën nga ne lulja e diellit, kulpra a do të Na ulet, përkulet; përdridhet dhe degëza Të rrokë dhe trupi i saj të përngjitet ? Të ftohtit, Gishtat e bërshërës bëhen kaçurrela Poshtë nesh ? Pas krahut të bajzës të liqenit Që i është përgjigjur dritës me dritë, dhe është qetësi, drita është e palëvizëshme Në pikën e palëvizëshme të botës që rrotullohet. V Fjalët lëvizin, muzika lëviz Vetëm në kohë; por ajo e cila vetëm jeton Vetëm ajo mund të vdesë. Fjalët, pas fjalimeve arrijnë Në heshtje. Veçse prej formës, motivit, Mundin fjalët ose muzika të arrijë Prehjen, si një vazo kineze Që lëviz përjetësisht në prehjen e saj. Jo prehja e violinës, ndërsa tingulli vazhdon, Jo vetëm prej saj, por bashkëqenësia, Ose themi se fundi i paraprin zanafillës, Dhe fundi dhe zanafilla ishin gjithmonë atje Përpara zanafillës dhe pas fundit. Dhe e gjitha është gjithmonë tani. Fjalët tendosen Krisin dhe nganjëherë thyhen prej ngarkesës, Prej tensionit shkasin, rrëshqasin, shkatërrohen, Shpërbëhen kuturu, nuk do të qëndrojnë në vend, Nuk do të qëndrojnë në prehje. Duke klithur zërat, Duke sharë, duke tallur, ose thjesht duke derdëllisur, Gjithmonë duke sulmuar. Fjala në shkretëtirë Është më tepër e sulmuar nga zërat e tundimit, Hija që qan në një valle mortore, Ankimi me ulërima i kimerës (iluzionit) të pangushëlluar. ... Hollësia e shëmbëlltyrës është lëvizja, Si në vizatimin e dhjetë shkallinave. Dëshira vetë është lëvizje E padëshirueshme nga vetvetja; Dashuria është vetë e palëvizshme, Vetëm shkaku dhe fundi i lëvizjes, Të pakohë, dhe të padëshiruar E përjashtojnë praninë e kohës Të rrokur në trajtën e kufizimit Midis mos-qenies dhe qenies. Papritmas brënda përndritjes të rrezediellit Ndërsa grimcat e pluhurit lëvizin Atje ngrihet e qeshura e fshehur E fëmijëve që janë nëpër gjethe Shpejt tani, këtu, tani, gjithmonë Qesharak harxhimi i kohës të trishtuar Duke u tendosur përpara dhe pas. |
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |