VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
BUSULLA IME NË OQEANIN E LIBRAVE Esé nga JOSIF BRODSKI (1940-1996) E Djelë, 03.24.2013, 10:28am (GMT1)
Sa më shumë që lexojmë poezi, aq më pak jemi të gatshëm të tolerojmë çdo tip fjalamanie, në shqyrtimet politike apo ato filozofike, në histori, në studimet sociale apo në rrëfim. Në prozë stili duhet gjithmonë t'i bëjë llogaritë me saktësinë, shpejtësinë dhe dendësinë lakonike të gjuhës poetike. Poezia, bija e epitafit dhe e epigramit, e sapongjizur, e krijuar për të arritur menjëherë në zemrën e çdo teme të mundshme, është për prozën jo vetëm blera e çdo fjale të vetme, por edhe shpejtësia vendimtare e skemave mendore të specieve njerëzore; i sigujeron alternativa kompozimit linear, e nxit të bëhet e qartë, ia mëson këmbënguljen ndaj së veçantës dhe teknikën e antiklimaksit. Mbi të gjitha, pastaj, poezia zgjon dhe ushqen në prozë atë etje metafizike që e dallon një vepër arti nga letërsia e ditës. Por, do pranuar, se në këtë aspekt të veçantë proza është dëshmuar një nxënëse disi dembele. Nuk do të doja të keqkuptohesha: nuk jam duke kërkuar t'ia heq prozës aureolën e saj. E vërteta është se poezia, thjesht, është më e moçme se poezia dhe kështu që ka udhëtuar më shumë. Letërsia, besoj, ka filluar me poezinë, me këngën e një endacaku që i paraprin të gjitha shkarravinat e një ndenjëtari. E ndonëse diku kam shkruar se ndryshimi midis poezisë dhe prozës mund të krahasohet me ndryshimin midis aviacionit dhe këmbësorë, nuk dua të ndërmend një rend hierarkik apo të vë në diskutim prejardhjen antropoligjike të letërsisë. Ajo që po bëj është vetëm një arsyetim praktik; këshilla ime synon t'ia kursejë sytë tuaj dhe qelizat tuaja trunore një grumbull letrash të shtypura të panevojshme. Poezia, do të thoja, është shpikur saktësisht me atë synim, sepse poezia është sinomin i ekonomisë. Prandaj do bërë përpjekje të përsëritet, qoftë edhe në miniaturë, procesi që ka bërë pjesë në evoluimin tonë civil në rrjedhën e dy mijëvjeçarëve. Operacioni është më i thjeshtë se mund të duket me shikimin e parë, sepse korpusi i poezisë është ku e ku më pak i vëllimshëm se ai i prozës. Për më tepër, nëse interesimi juaj i kushtohet kryesisht letërsisë bashkëkohore, gjithçka bëhet më e lehtë, është pothuaj një shaka. Do të mjaftonte që për nja dy muaj të mrreshe me veprat e poetëve që kanë shkruar në gjuhën tuaj amtare, duke u përqëndruar parapëlqyeshmërisht tek gjysma e parë e këtij shekulli. Përfytyroj se e gjithë barra juaj do të tkurrej në një numër vëllimthesh tejet të hajthëm, e në mbarim të verës do të ndjeheni tashmë në formën më të mirë. Përktheu: SKËNDER BUÇPAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |