VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JETA IME U BË STATUJË E ZVERDHUR
Cikël poetik nga DIN MEHMETI

E Shtunë, 03.30.2013, 08:23am (GMT1)




LUMI I DRITËS

Vërshoi me vajet
e vdekjeve të hershme
me gazin e lulëzuar
të lindjeve të sotme
lumi i shpirtit

sytë mllef fërfëllizash
zemrën lëmsh të zjarrtë përpara

rrëzoi urat e kalbura
të kohërave të përmortshme

mbuloi sheshet e fëlliqura
nga baglat e parahistorisë

kremtoi pavdekësinë e emrit -
forcën e shkëmbit
gjakun e dritës

askush nuk mund t'i rrijë përballë
askush t'ia thyejë turrin
prej vigani

daullja e tij
është marsh i dritës së përjetshme

ai zgjeroi hapësirën
e thellësive të rrezeve të ndërgjegjes
e lindi tufani i vuajtjes
dashuria e ndrydhive
që kërkoi blerimin

është shpërthim
i mendimit të ndjekur
sy vizllues i largësive të pafund
që më bëri ballë të bardhë shpresash


EPIKË

Kurrizi i përgjakur i kufirit
gjarpëron shkëmbinjve
gjer në pafundësi
poshtë gurët e ngrefosur
si ushtarët e gatshëm për zjarr
më marrin në nishan

më urdhërojnë
të rri pip në këmbë
të përtokem
e ku të fshihem s'kam

lart majat e pishave
bëjnë dialogë
si ushtarët nervozë

po të flas
mendimet e mia
më kontrollojnë
më lidhin e zgjidhin
sa herë të duan

ky shteg më shpie
gjer te një varr i shkelmuar
gjer te një krua
që përgjon

një bari ligjërimave të fyellit
e shpërlan shpirtin e vet
duke shkrirë gurë kufitarë
e mua më duket se po qan...


DIMRI I VJERSHËS SIME

Në vjershën time hyri dimri
me përrallat për kafshët e egra

tash ujqit e rrënqethur
i shtrijnë shpatat e tyre
mbi sipërfaqen e bardhë të fjalëve
të rrudhura nga ngricat

dhelprat shfaqin koncertet e veta
në amfiteatrin e vjetër -
në amfiteatrin e vdekjeve të reja

e unë them diçka
sa për të pohuar se jam gjallë
hesh diçka
sa për të kuptuar se jam i vdekur

jashtë rrugët e brigjeve nuk shihen më
e pylli përtej gjithnjë më i uritur


MENDIMI I FUNDOSUR

Sonte kërkoj shumë nga vetja
e vetja s'më jep asgjë
përveç leckave të një mendimi të fundosur

phu, e pështyj veten në pasqyrë
e stërpikët e ndyera
i kthehen fytyrës sime

o mendim i zjarrtë
ku vete ashtu i shkalafitur?

pas arkivolit tënd
kortezhi i zi nuk ka të ndalur

mos e shploni arkivolin
se mund të tmerroheni
me fytyrat tuaja të ngrira
fytyrat e hijshme...

sonte mendimi im bluan veten
e krrokamat e shpendkeqeve
kremtojnë ngadhënjimin...

MË NDODHI NJËHERË

Më ndodhi njëherë
të përmbyset dita
e rrënjët e veta
të thinjura
t'ia pasqyrojnë qiellin

ajri të murmurojë
si ndërhundë
e qentë të lehin
në yjet e natës

rrugët të zgrapohen
si gjarpërinjtë
dhe të copëtuara
të kthehen
nga udhëtimet e veta
të djegura

dritaret të ikin
në horizont
dhe të dënesin dyert

dashuria të bëhet hi
hëna të veshë fustanin e zi
e të vajtojë mbi tokë

atëherë më lindi dëshira
të këdoj këngën më të bukur
të mbyllem në të si në kështjellë
e pastaj të ngre dorë mbi veten

NUK MUND TË BROHORIS MË

Ka do kohë që disa gjëra
s'mund t'i bëj më kurrë

nuk mund të brohoris:

rroftë ose poshtë socializmi
ditën e çlirimit në miting
se kam shumë pjesë të vdekura në vete

jeta ime u bë statujë e zverdhur -
hije e shafitur e një ëndrre
që u kthye e përcëlluar
në qenien e vet

gjërat i aprovoj
apo s'i aprovoj fare
vetëm me lëvizje koke
vetëm me gjestet e duarve

tash kam dëshirë t'i numëroj
yjet në qiellin e hapur
kur ndezen kur fiken
të kap atë që nuk kapet
diçka të largët që nuk zihet
e të përqesh pa zë jetën time...


DIN MHEMETI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.