E Mërkurë, 04.24.2024, 04:12am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
E RËNDËSISHME ËSHTË TË HUMBËSH NGJASHMËRINË ME QËNIEN TËNDE
Cikël poetik nga QERIM UJKANI

E Hënë, 04.01.2013, 02:20pm (GMT+1)




REJA E ZEZË

Reja e zezë
Më rri mbi kokë

Diellin ma zë
Hijen ma shlyen mbi tokë

Thika flakëruese
Më tregon nëpër vetëtimë

Në oxhak
Më zbret si korb

E m'i frikon fëmijët
Në gjumë

Arën dhe kopshtin
M'i gjuan me breshër

Zabelin ma kall
Me rrufe

E loton
Për të zezën e vet

Reja e zezë
Mish i egër i qiellit tim


MALLKIM NË PËRSËRITJE

Kush po e mbjell përsëri farën e urrejtjes
Në tokën tënde Kosovë grua e plleshme
Ugarët e tu që nxijnë rrafshit të rrënqethur
Kush po i mbars me mllef përsëri
Thikën kush po ta ngul në shpinë me pabesi
Me dhëmbë kush po të kafshon me të gjithë dhëmbët
Kush po e ha dheun tënd të mbrujtur me lot e gjak
Dheu e mbuloftë varri i humbtë përgjithmonë

Kush është ai që kurrë s'u ngop me lotin tënd
Përrua vërshues gjerësive të tua të hedhëta
Mezhdave tua korniza pikturash shumëngjyrta
Kush po të lë sherre e gverre kobe në pusi
Kush po të shpie në humnerë përsëri
Portat tua kush po i kyç me mallkim
Gjumin tënd të pasherr kush po ta prish
E pagjumja e vyeshmja e palodhura

Ëndrrën tënde dritëplotë kush po ta këput
Natës sate kaltroshe kush po ia shuan yjet në vezullim
Që qielli yt të të mbulojë si çarçaf i zi
Kush po të lë pa muzg dhe pa agim larë në kuqlim

Prej Sharrit dhe Bjeshkëve të Nemuna
Kryelarta ime
Kush po të hedh në hedhurina me vërvimë
Ku sëmundja e qyteteve të përlyera brufullon
Me lutje të pashenjta buzë varrit kush po të çon


SHKOLLA E HARRESËS

Kur hapet shkolla e harresës
Heshtjen s'ka të drejtë askush më ta dëgjojë
Zërat e lirë depërtues prej andej

Shkolla është e obligueshme për të gjithë ata
Që duhet të ndjekin mësimet në të
Mungesat janë të palejueshme
Mund të arsyetohen vetëm me vdekje

Askush s'ka të drejtë të mendojë me kokë të vet
(Ka kush të mendojë për të!)
E drejtë e tij e vetme është të harrojë

Lënda kryesore është shlyerja e kujtesës
Të harrosh kush je e çka je
Kë ke farë e kë të parë
Nga vjen e ku shkon

Notë kaluese merr ai që harron të diturën për vete
Notë të shkëlqyeshme vetëm ai që harron vetveten

Mësimi ushtrohet edhe nëpërmjet ushtrimeve praktike
Nëpër kabinete të pajisura mirë me mjete konretizimi

Edhe aktivitetet e lira
Janë në shërbim të riedukimit

E rëndësishme është të humbësh ngjashmërinë me qënien tënde


QERIM UJKANI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ÇAMËRISËNga NAMIK MANE (04.01.2013)
NUK SHKOJ KURRË MA NË MITINGJET E TYNENga ELIDA BUÇPAPAJ (03.31.2013)
FAIK KONICANga GIJOM APOLINERI (03.31.2013)
KËSHILLA NJË GAZETARINga FAIK KONICA (03.31.2013)
FLAMURINga FAIK KONICA (03.31.2013)
NGA LIBRI 'FLUTURIMET E KORBAVE NË NETËT PA HËNË'Tregime nga ADEM ZAPLLUZHA (03.31.2013)
JU RRUGAÇA SALLAHANA Nga AT GJERGJ FISHTA (03.30.2013)
MIK, NË ÇASTIN E SHKATËRRIMITPoezi nga ERIK JOHAN STAGNELIUS (1793-1823)E shqipëroi: ULLMAR QVICK (03.30.2013)
JETA IME U BË STATUJË E ZVERDHURCikël poetik nga DIN MEHMETI (03.30.2013)
NDERIM PËR SHQIPTARIN Dr. ZEF MULAJ-I jepet titulli “Onorato i shoqates Leopardian Komuniti” në Itali- (03.29.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]