VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - TRINIA E POST-BLLOKUTEsé nga VISAR ZHITI

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 05:39pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
TRINIA E POST-BLLOKUT
Esé nga VISAR ZHITI

E Martë, 04.02.2013, 08:39am (GMT+1)


Instalacioni "Post-Bllok", i porsavendosur në lulishten ndanë ngrehinës, ku dikur ishte Komiteti Qendror i PPSH, që sundonte gjithë jetën e vendin, është një risi në kryeqytet, i ideuar mjeshtërisht nga dy intelektualë artistë, Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi. Pikërisht nën dritaret e zyrës së diktatorit Enver Hoxha, ai bëhet më domethënës, megjithëse instalacioni në vetvete është i përkryer, me një thjeshtësi zhveshëse, në harmoni me mjedisin, estetikisht i denjë, që i ka dhënë kuptim më të thellë rrugës, dua të them metaforës së ecjes.
Janë tri objekte bashkë:
1- një bunker në avangardë, i ngulur nga dikur, për të ruajtur Bllokun e sundimtarëve nga sulmet eventuale të jashtme dhe të brendshme, duke vrarë këdo që mund të avitej andej.
2- I prapsur, në të majtë të tij, ngrihen disa trarë rrëqethës, autentikë nga minierat e burgut famëkeq të Spaçit.
3- Dhe simetrikisht në të djathtë lartësohet një copëz e zhvoshkur nga Muri i Berlinit.
Materia e tri objekteve është e njëjtë, betoni mizor, por e përbashkëta e tyre nuk qëndron te kjo, madje kjo është më e parëndësishmja. I bashkon një tragjizëm tjetër, një absurd vrastar, që tashmë i përkasin historisë. Prandaj dhe meditimi vjen natyrshëm. "Post-Bllok", emër që na kujton se këtu dikur ishte e ndaluar të futeshe, kishte një postbllok-cereber, urdhër ushtarak, ndërkaq me gjuhën e një urdhri tjetër, atij të artit, do të thotë se kemi të bëjmë me kohën "post", pas "Bllokut" komunist, kur ky vend nuk është më i tillë.

1- BUNKERI
Bunkerët
si koka të qethura ushtarësh.
Sy guri,
gojë guri.
Fërgëllonin peizazhet...

Teksa shikoja instalacionin, mërmërita këto vargje, që i kisha shkruar dikur, student, nën diktaturë, kur botoheshin shumë vjersha për bunkerët, atentatorët, kufirin, telat me gjemba, ushtarët me automatik, diktatorin etj. Madje ato vargje i kisha çuar dhe për botim, duke shpresuar se nuk do të më keqkuptonin, se fjalët "tremben" apo "llahtarisen" peizazhet e kisha zëvendësuar me "fërgëllojnë", si më poetike. Shqipëria ishte e mbushur me bunkerë, kudo e gjithandej, maleve, fushave, bregut të detit, ndanë udhëve, para pallateve, madje dhe brenda tyre si ai në Lushnjë, në MAPO-n e qytetit, përballë sheshit, që ta korrte me mitraloz. Do të luftonim me botën, po të na sulmonte.             Specialistët thonë se bunkerët strategjikisht janë të pavlefshëm, nuk zgjidhnin dot asnjë betejë.
Për çështje të tilla ka pasur dhe dënime me burg. Unë mendoj se bunkerët u ngritën për të prapsur e asgjësuar ndonjë lëvizje popullore, rebelim a kryengritje, pra i ndërtoi me urdhër populli kundër vetes. Si ai para Bllokut të sundimtarëve komunistë. Një lungë betoni e tokës. Kushtonin shumë, vetëm njëri sa një apartament i atëhershëm. Dhe ishin të shpërndarë mbi 60 000, pra 3-4 shqiptarëve u takonte një bunker, kur familje të tëra s'kishin strehim normal, jetonin ngushtë, dy-tri kurora në një shtëpi, kur ndodhte që dhomën e gjumit e ndanin me një çarçaf. Një harxhim i rëndë, sfilitje e ekonomisë së vendit. E gjithë kjo, nga shkaku i atij Blloku.
Bunkeri u bë simbol i Shqipërisë së mbyllur, i izolimit, i rrethimit, i gjendjes së përhershme të alarmit, i armikut që nuk vinte kurrë.
Në instalacionin e tanishëm bunkerit real i është bërë një ndërhyrje artistike, pa i prishur asgjë, është qarkuar me xham, i është bërë transparenca, si të thuash, dhe mund të hyhet brenda brenda në të. Jo si ushtar, por si vizitor. Nga i vërtetë, bunkeri është shndërruar në të pavërtetë, por më i vërtetë tani.

2- NË GALERI

E tmerrshme si gojë e kuçedrës
është hyrja e zezë e galerisë.
Andej punojmë, në bark të vdekjes,
ne, të burgosurit politikë.

Natë kemi tepër, por s'kemi yje,
as qiell fare përsipër s'kemi.
Veç kërcënueshëm na rrinë mbi krye
idiotë prej shkëmbi dhe prej shteti.

Vagonët shtyjmë plot bakër vuajtjesh
në të gjithë rrathët e skëterrës.
Dritë e kandilit rënkon si lutje
mbi kufomën e shqyer të jetës.

Mushkëritë e ditëve na u mbushën
me helme minash, pluhur martelesh.
Dhe zgjaten shinat si tyta pushkësh
nga zgavrat e kafkës xhelate të vdekjes.

Dhe gurët thyejmë me varé
në shembje furnelesh dhe epokash.
Ah, fati theu brenda te ne
statueta dashurish, guxim kolonash.

Nën tokë jemi, ku janë të vdekurit.
Skelete britmash me lecka hijesh.
Goja e galerisë në malin e shekullit
ha mish atdheu, kocka diejsh.

Ndoshta në ata trarë betoni të sjellë nga Spaçi, sipër tyre, ku dikur rëndonte shkëmbi i minierës, në ndonjë zgavër guri midis mund të ketë qenë e fshehur ndonjë poezi, ja si kjo, që e nxora nga libri im "Hedh një kafkë te këmbët tuaja".
Trarët e betontë tani më duken si skeleti i brinjëve të një qenieje të cofur. Ne u thoshim trupa galerie, ishin prej betoni, po dhe prej druri, që shërbenin për të veshur minierën nga brenda, rrugët e nëndheshme, frontet e punës, ato guva shkëmbore gjithë rreziqe, që të mos binte shkëmbi a mali e të zinte nënvete gjithçka, siç edhe ndodhte. Kjo bëhet për të mbrojtur jetët e atyre që punojnë nëntokë dhe për të mbrojtur punën. Ndryshe nuk vazhdohet dot. Por jetët e të burgosurve nuk kishin ndonjë vlerë në diktaturë, s'ishin jetë njerëzore, por armiqsh që duheshin mbajtur gjallë për t'i shfrytëzuar si skllevër, si kafshët a mjetet e punës.

3 NJË COPË NGA MURI I BERLINIT

Urrej të ndjek si dhe të prij.
Fridrih Niçe

Mos harro
të më sjellësh një copë të vogël guri
nga Muri i shembur i Berlinit, miku im i huaj!

Kur ta mbaj në duar, e di, do të dridhen
kufijtë e përgjakur, burgjet, selitë e tiranëve
do të ndiejnë gërryerje dhe
do të duan të bien si në një mallkim.
Gurët në veshka do t'i shkaktojnë kriza të tjera shtetit.
Do të ndihen keq piramidat, do të lëvizë shkretëtira
valë-valë e zemërimit,
Muri i vjetër Kinez -
si një rresht pleqsh të lagur në azilin e historisë.
Oh, sa frikë kanë tani nga ky gur i pakët, i dhuruar,
që unë e kam lënë mbi tryezën e punës. E prek
si një plagë të përtharë dhe
menjëherë lëvizin të vrarët nën dhé, ata që deshën
të kapërcejnë muret,
telat me gjemba,
vdekjen...
Dhe gurët e varreve pendohen.

- Po nga ç'planet është marrë, pse e ruan këtë gur?
do të më pyesë ndoshta ndonjë nga fëmijët. Dhe
unë do të them: është gur i historisë,                                          nga një perandori e rënë...

Kisha kërkuar dikur një copëz të vogël, një guriçkë nga Muri i shembur i Berlinit, nuk e dija atëherë që ai ishte me pllaka betoni, parafabrikate si të pallateve që ndërtonim me punë vullnetare në diktaturë, ndërsa miku im gjerman më kishte kërkuar një copëz nga shtatorja e rrëzuar e Enver Hoxhës, një zhallatë nga bronzi i tij a nga mermeri i piedestalit. Shkëmbime në natyrë.
Dhe poezinë e mësipërme e futa në librin tim "Mbjellja e vetëtimave", që u botua në Shkup nja 15 vjet më parë. Dhe atje ka ende Mur Berlini. Ndërkaq, në Tiranë nga ai Mur na erdhi për të gjithë një masiv i tërë. Për kujtesën kolektive.
Kur rri përballë tij, të kap një emocion i çuditshëm. Ka ardhur nga Gjermania. Me avion, me kamion? Apo e mbartën mbi shpinë, ashtu siç mbanim trupat e galerisë, sepse ai mur ka rënduar mbi supet e njerëzimit. Ndau një kryeqytet në mes, një atdhe. Dhe ne e kuptojmë shumë mirë se me mure të tilla jemi capërluar. Ndau Europën në dy sisteme. Ai vazhdonte i padukshëm dhe brenda çdo njeriu në Shqipëri. Na ndau me të tjerët me luftë klase dhe secilin e ndau nga vetja, nga dëshirat e tij, nga ëndrrat.
Mijëra ishin ata që kishin ëndërruar ta kapërcenin, që u rrekën ta kalojnë, që i grinin plumbat me duart mbi të si dy gjethe vdekjeje.
Nga ana këtej ajo copëz muri është e mbushur me vizatime, janë sprucuar ngjyra të ndryshme, shkronja, sy, e zeza, e kuqja, e verdha, abstraksione, ashtu siç i mbushin muret të rinjtë sot kur shkruajnë "I love you". Sigurisht pjesa e pikturuar e Murit i takonte Perëndimit, nga andej qytetarët perëndimorë mund t'i afroheshin Murit, ta preknin, të bënin ç'të donin, por jo ta shembnin. Ishte shpejt.
Kurse faqja tjetër, ana e pasme në instalacionin tonë, i përkiste Lindjes, se është e shkretë si verbëria, pllakë gri betoni si ato që u vënë sipër arkivoleve para se të hedhin dheun. Nga pjesa lindore nuk mund të afrohej askush, se e grinte automatiku sovjetik. Ende ruhen në një rrugë pranë Murit në Berlin thasët me çimento të post-bllokut, të vendstrehimit ku vëzhgonte ushtari i kuq e sipër valëvitet ende flamuri me drapër e çekan, i leckosur tashmë nga shirat e erërat dimërore e dielli i verës.
* * *
Objektet e trinisë, duke mos pasur në zanafillën e tyre asnjë lidhje me artin, madje duke qenë kundër artit hapur dhe armiqësisht, të bëra bashkë sot nga dy intelektualë artistë, nga Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi, kanë marrë një vlerë të pazakontë, janë bërë art. Nuk kanë agresivitet, duken të pafajshme. Sikur i kanë shtuar kryeqytetit mençuri më shumë.
Bunkeri ngjan sikur kërkon të thotë diçka me gojën e gurtë: ruajuni nga e kaluara juaj, që ndonjëherë pret dhe në të ardhmen.
Trarët e Spaçit, që të fanepsin hyrjen për në ferr, por pa ferr pranë, se është zhbërë, sikur na kumtojnë që e keqja megjithatë pret dhe e padukshme. Që të mos ribëhet, na duhet dhe kujtesa, temjani i saj për të trembur djallin. Ja, pllaka e Murit të Berlinit si luspë e një kafshe të egër, kthetrat, dhëmbët e së cilës nuk të futin më frikën, madje janë bërë ornamente të mjedisit. Por trinia duket sikur thotë: ruajuni. Është në dorën tuaj...


VISAR ZHITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
E RËNDËSISHME ËSHTË TË HUMBËSH NGJASHMËRINË ME QËNIEN TËNDECikël poetik nga QERIM UJKANI (04.01.2013)
ÇAMËRISËNga NAMIK MANE (04.01.2013)
NUK SHKOJ KURRË MA NË MITINGJET E TYNENga ELIDA BUÇPAPAJ (03.31.2013)
FAIK KONICANga GIJOM APOLINERI (03.31.2013)
KËSHILLA NJË GAZETARINga FAIK KONICA (03.31.2013)
FLAMURINga FAIK KONICA (03.31.2013)
NGA LIBRI 'FLUTURIMET E KORBAVE NË NETËT PA HËNË'Tregime nga ADEM ZAPLLUZHA (03.31.2013)
JU RRUGAÇA SALLAHANA Nga AT GJERGJ FISHTA (03.30.2013)
MIK, NË ÇASTIN E SHKATËRRIMITPoezi nga ERIK JOHAN STAGNELIUS (1793-1823)E shqipëroi: ULLMAR QVICK (03.30.2013)
JETA IME U BË STATUJË E ZVERDHURCikël poetik nga DIN MEHMETI (03.30.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]