VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NJË QIELL I BAKËRT TUAF I MEKUR KU HËNA SHFAQET PËR TË LINDUR DHE VDEKURPoezi nga Paul Verlaine (1844-1896)

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 12:18pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

NJË QIELL I BAKËRT TUAF I MEKUR KU HËNA SHFAQET PËR TË LINDUR DHE VDEKUR

Poezi nga Paul Verlaine (1844-1896)


E Djelë, 09.20.2009, 10:41am (GMT+1)

 

 

 "NGJASHMËRI E PAFUNDME..."

 

Ngjashmëri e pafundme

E fushës së tërë,

Bora e zbërdhulme

Ndrin si rërë.

 

Një qiell i bakërt

Tuaf i mekur

Ku hëna shfaqet

Për të lindur dhe vdekur.

 

Si re të mëdha

Lisat nëpër mjegull

Në pyjet pa skaj

Pranë grisë pezull.

 

Një qiell i bakërt

Tuaf i mekur

Ku hëna shfaqet

Për të lindur dhe vdekur.

 

Sorra azmatike

Dhe ujq të uritur

Çfarë të zezë ditën

Sjell për ju ky dimër?

 

Ngjashmëri e pafundme

E fushës së tërë,

Bora e zbërdhulme

Ndrin si rërë.

 

VARGJE TË ARTA

 

Arti nuk do lotë dhe askënd nuk vë në hekura,

Kjo është bindja ime me pak fjalë: poezia brumoset

Nga sfida gjigante të njeriut dhe nga beteja

Kundër dashurisë bajate dhe mërzisë boshe.

 

E di se duhet vuajtur shumë që t'i arrijmë këto lartësi

E di se rrugët duken të thikëta po t'i shohësh nga poshtë.

E di, mirëfilli e di se jo cilido prej poetëve tani

Ka gjoks dhe burrëri për t'i ngjitur ato.

 

Por madhështia qëndron në shpërfilljen e tundimeve e joshjeve,

Në përballjen me betejat e jetës dhe arritjen e fitoreve

Në emër të pushtimit të pasionit.

 

Ëndërruesit nuk bëjnë asgjë, si drurët,

Kombet lartohen dhe bien nëpër pengime rënkues

Madhështia është besim i gurtë te vetja jonë.

 

 

 

 

 

ËNDËRRA IME E RIPARË

 

Unë shpesh shoh një ëndërr të çuditshme dhe brejtëse

Për një femër të panjohur që e dua dhe më do gjithashtu

Ajo nuk është gjithnjë e njëjta dhe nuk është tjetërkush

Mua më dashuron, mua më kupton ajo femër.

 

Po, ajo më kupton; dhe mjerisht skaj më skaj

Rri hapur ditë e natë kjo zemra e shkretë

Vetëm për atë femër që i jep jetë

Fytyrës sime meit mbuluar me lotët e saj.

 

Është zeshkane ajo, është kuqe, flokëverdhë? S'dua të di.

Emri i saj? Ai më jehon gjithë butësi

Si emrat e më të dashurve në botë.

 

Vështrimi i saj është si vështrim shtatoreje,

Dhe në zërin e saj të qetë e të rëndë e qiellor

Janë valëzimet e zërave më të dashur dhe të ngrohtë.

 

DIEJT PERËNDUES

 

Një agim i brishtë

Përhap fushës

Trishtimet

E diejve perëndues.

Trishtimet

Përkundin miklues

Zemrën time të humbur

Në diejt perëndues.

Pastaj ëndërra të përçudshme

Që ngjajnë me diejt perëndues

Që tretin në brigje

Fantazma të lëkuqme

Pafundshëm lëvizin

Duke më kujtuar mua

Diejt e fuqishëm

Që treten në brigje.

 

FEMRA DHE MACJA

 

Ajo po luante me macen e saj

Dhe ishte mrekulli të shikoje

Putrën e bardhë dhe dorën e bardhë

Si luanin nëpër hijet mbrëmësore.

 

Ajo po fshihte (ligësia vetë)

Nën dorëzat e zeza pisë

Thonjtë vrastare të mprehtë

Aq therës sa çdo thikë.

 

Në të njëjtën lojë ishte dhe tjetra

Ëmbël, kthetrat e mprehta

Duke i fshehur me tinëzi...

 

Dhe në dhomën e gjumit ku e qeshura e saj

Kumbon kthjellët si një kambanë,

Katër drita fosfori shkreptijnë.

 

SHKOLLARES

 

Të jap ty mësime, të cilët,

S'të duheshin më parë, çupërlinë,

Meqë trupi yt i bukur përpëlitet

I drithëruar në krahët e mi.

 

Lëkura jote e butë, sa e bardhë,

Si zambakët, si bora.

Gjinjtë e tu të përkryer aq saktë

Shpërthejnë si lule të njoma.

 

Ndërsa goja jote, trëndafile e freskët,

Duket sikur i thërret buzët e mia krenare;

Por përtej këmishës sate fshehtë

Buzëqesh një puthje edhe më e valë...

 

Ngurimin shkollare do ta flakësh shpejt

Ta them këtë me përgjegjësi

Do të marrësh diploma në lëndë të tjera

Të artit përdëllues të dashurisë.

 

SA I TRISHTË UNË ISHA...

 

Sa i trishtë unë isha, sa i trishtë,

Për shkak të një femre, pikërisht.

 

Vuajtja vazhdon gjithnjë,

Edhe pse janë tashmë

 

Zemra, trupi dhe shpirti im

Një botë larg saj mërguar.

 

Nuk gjej kurrsesi ngushëllim

Edhe pse nga zemra ime ajo është larguar.

 

Dhimbja therëse e zemrës sime pyet:

Si mund të ndodhë kështu vallë?

 

A është ky mërgim krenar e i trishtë

Vetëm një ëndërr që nuk zgjat?

 

I përgjigjem: Nuk e di

Pse kemi rënë në këtë grackë,

 

Në këtë vend dhe kohë përçudni,

Në këtë këtu dhe tani, në këtë atje dhe pastaj.

 

PRITJA

 

Trëndafilët kishin ngjyrë të kuqe të ndritur

Krizantemi kishte ngjyrë të zezë të mbyllur.

 

E dashur, edhe gjesti yt më pa kuptim

E ringjall dëshpërimin tim.

 

Tejet blu ky qiell, tejet i butë,

Tejet i blertë ky det, tejet i ëmbël ky ajër.

 

E prapë kam frikë se ti nuk do të vish kurrë

Sa torturë është të presësh, e dashur !

 

Më lodh fërfërima e lehtë e fletëve

Dhe farfuritja e pemëve.

 

Më lodh pafundësia e fushës përtej,

Gjithçka, më lodh, përveç teje që vjen.

 

FLOKËVERDHË APO FLOKËZEZË

 

Flokëverdhë apo flokëzezë je ti?

Ke sy të kaltër

Apo sy të zi?

Nuk di, por adhuroj kthjelltësinë e thellë të syve tu

Adhuroj rrëmujën e flokëve gjithsesi.

 

E butë apo e rreptë je ti?

Zemra jote

Është e ngrohtë a e mbushur me përbuzje dhe inate?

Nuk di, por e falënderoj natyrën hirplote

Që më bëri pushtues të zemrës sate.

 

Besnike je ti a e pabesë?

Në fakt

Kjo nuk ka fare rëndësi

Gjersa bukuria jote është gati gjithnjë të kënaqë

Pasionin tim, nuk ka dëshmi si kjo në gjithësi.

 

 

BUKURIA E FEMRAVE...

 

Bukuria e femrave, pafuqia e tyre, ato duar

Që shpesh bëjnë mirë e që mund të bëjnë keq,

Dhe ata sy që bëhen si të një bishe të egër

Për t'i thënë "Mjaft!" burrit të harbuar!

 

Gjithnjë ai zë, sikur këndon nina-nanë,

Madje edhe kur hesht. Thirrje mëngjesi

A këngë e butë perëndimi a shenjë e përndezur

A dënesje e bukur humbur në shallin e bardhë...

 

Burra të vrazhdë! Jetë shëmtane, e ligë mbi këtë tokë !

Përtej përleshjeve dhe ledhatimeve,

Lini të mbetet së paku sipër maleve diçka,

 

Diçka si prej zemre të njomë fëmije,

Prej mirësie, respekti. Sepse çfarë do t'i tregojmë

Vdekjes kur të vijë, dhe çfarë do të lemë pas?

 

 

 

 

 

 

MARIGOJA

 

Kur Marigoja kalonte, djemtë kthenin kokat

Rrotull për të parë dy sytë e saj, dy Sodomat

Ku flakët e Dashurisë bënin shkrumb e hi

Kasollën e shkretë mërdhitëse me emrin Miqësi.

Gjithandej kalëronin aroma hyjnore

Dhe e mbytnin krejt shpirtin dënesës.

Magjitë shpërthenin nga flokët e saj gështenjë

Veshjet e saj bënin një muzikë të pashoqe

Kur Marigoja kalonte.

 

Kur Marigoja këndonte, duart e saj sedefe

Lëshonin melodi të thella, të errëta dhe sekrete,

Melodi të lashta që askush nuk i këndon tash.

Zëri i saj me flatra qiellore ishte një parajsë,

Një simfoni ëndërrash e paanë.

Dhe kushdo që dëgjonte lojën e trallisur

Të atyre tingujve të argjendë prekte i dalldisur

Mbi faltrat e zërit të saj qiellin e shtatë,

Kur Marigoja këndonte.

 

Kur Marigoja dëneste, pikalotet e saj rrënimtare

Bënin të heshtin armët më të egra vrastare.

Buzët e kuqe gjak i përndizeshin prush,

Dëshpërimi i saj bëhej njerëzor pa fund.

Si një flakë që harbohet me një vrull të ri

Zemërimi i saj merrte zjarr. Ish ajo

Luaneshë që shfrynte furinë fort

Në një pyll të errët pa anë e pa kufi

Kur Marigoja dëneste.

 

Kur Marigoja kërcente, fundi i saj atllas

Vërsulej para, zbrapsej prapa si tallaz,

Dhe e përdridhte belin e saj si purtekë

Gjinjve të bardhë duke iu dhënë përpjetë.

Një vetëtimë verbuese nga kofshët e saj

Latuar në mermer të përkryer iu shtohej

Mrekullive të përmendura më lart. Të gjitha këto

Shndërroheshin në një fllad pylli nëpër natë

Kur Marigoja kërcente.

 

Kur Marigoja flinte, oh një amë qelibari pastaj

E mbushte dhomën krejt përzier me amën e saj!

Nën çarçaf lakoheshin format e shpinës së hatashme

Dhe nën hijet e perdeve ato iu përshtateshin

Ritmeve të lehta, të buta të frymëmarrjes.

Gjumi i patrazuar prehej në sytë e saj i qetë

Dhe mister të ëmbël përhapte gjithandej

Në gjërat e vendosura kuturu nëpër raftet,

Kur Marigoja flinte.

 

Kur Marigoja bënte dashuri, atëherë dallgët

E qejfit si gjak i kuq që vlon edhe nxjerr avull

Duke shpërthyer nga një plagë pushtonin brigjet e atij

Trupi mizor të shfajësuar nga të gjitha krimet e tij.

Përplaseshin shtrëngatat në muret e shpirtit,

Shkatërronin dhe rrënonin pa mëshirë gjithçka

Rrugës së tyre tek shkonin, pastaj shfrynin prapë

Të egra e të vrazhda si flakët e përbindshme

Përpara se fashiten.

 

 

MBRËMJE TETORI

 

Vjeshtë dhe diell perëndues. Jam i hareshëm.

Gjak në meit,

Flakë në zenit, vdekje në natyrë,

Ujë vendumëro, burrë në ethe.

 

Ndërkohë është ora jote, stina jote, poet

I zemrës iluzionesh zbrazur,

Poet nga dhëmbet brejtës të pasionit i zgrapcur,

Çfarë pasqyre, dhe ç'festë!

 

Si unë shumë të tjerë, pedantë, të çmendur, marroqë,

Lënë mendjen për Pranverën dhe agimin,

Atë çift të virgjër, më kuqloshë se fustanët e tyre.

 

Vjeshtë e vrazhdë, ty të dashuroj, më fort

Se çdo fytyrë të vogël engjëlli

Ty, kurtizane mizore dhe me sy gabeli.

 

FEMRA DHE MACJA

 

Ajo po luante me macen e saj

Dhe ishte mrekulli të shikoje

Putrën e bardhë dhe dorën e bardhë

Si luanin nëpër hijet mbrëmësore.

 

Ajo po fshihte (ligësia vetë)

Nën dorëzat e zeza pisë

Thonjtë vrastare të mprehtë

Aq therës sa çdo thikë.

 

Në të njëjtën lojë ishte dhe tjetra

Ëmbël, kthetrat e mprehta

Duke i fshehur me tinëzi...

 

Dhe në dhomën e gjumit ku e qeshura e saj

Kumbon kthjellët si një kambanë,

Katër drita fosfori shkreptijnë.

 

 

 

"DUAR TË DASHURA..."

 

Duar të dashura që dikur ishin të miat,

Kaq të vogla, kaq të bukura, zot,

Pas gabimesh njerëzore dhe plot

Gjërash aq të liga,

 

Pas endjeve të mia mërguar,

Pas limaneve dhe zallishteve,

Unë kam duart e tua të brishta

Endërrat duke m'i shpaluar.

 

Duar mbi shpirtin tim, duar mbi ëndërra,

Mes pëshpëritjesh pise, çka di unë se çfarë

Këtij shpirti të mjerë, të dalldisur e trillan

Ti denjove t'i rrëfesh, t'ia tregosh të tëra?

 

Një rrenë, vizioni im i pafaj

I harmonisë shpirtërore,

Një përvujtni amnore,

Një dhimbsuri e thellë, e paskaj?

 

Vuajtje e mirë si kjo, e çiltër keqardhje,

Ëndërra të bekuara, duar të shenjtëruara,

Oh, ju duar aq shumë të admiruara,

Ma bëni mua një shenjë të faljes!

 

MAKTH

 

Shoh nëpër ëndërrën time tek veton

Si një stuhi mbi rërë,

Një shpatë të madh në njërën,

Një klepsidër në tjetrën dorë

Ai kalorës

 

I baladave gjermane

Të cilin përmes qyteteve dhe fshatrave

Mbi lumenjtë sipër majave

Mes pyjeve lugjeve poshtë

Një hamshor

 

I kuq flak i zi abanoz

Pa fre pa kërpesh pa mëgojzë

Pa kamxhik pa fiskël pa thirrje hyjo!

Përmes vdekjes memece hajt e hajt

Ai mban

 

Një kapelë pendëgjatë e të gjerë

Deri mbi sytë sa i kthjellët

Sa i zymtë si bluja e thellë

Sa mish i gatshëm për plumb

Parë nëpër muzg

 

Si një krah fajkoi

Kreshpëruar droje

Përballë një stuhi bore

Që ia beh përtej

Përzier me erë

 

Dhe në shenjë lavdie

Një gjoks prej fildishi dhe hijesh

Nëpër natën e zezë shkrepëtin

Tridhjetë e dy

Dhëmbet e tij.

 

Përktheu dhe përgatiti: Elida BUÇPAPAJ

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Lirika të Johann Wolfgang von GoethePërktheu nga gjermanishtja Prizren Buçpapaj (06.24.2009)
Gëzim Alpion: Kombi dhe shteti shqiptar rilindi në kohët moderne nga vizioni, idealizmi, përkushtimi dhe sakrificat e elitës intelektuale në diasporë, si në Orient dhe në OksidentIntervistoi: Skënder Buçpapaj (05.05.2009)
Poezi nga Elida BUÇPAPAJ (03.30.2009)
Nëna ime i bindej Zotit gjithsesi, ndonëse si çdo Nënë, do të donte që mua, para së gjithash mua, të më kishte bërë të përjetshëm - Poezi nga Skënder Buçpapaj (03.14.2009)
Ku ka tretur loti im ? Kush e ka gjetur ? - Poezi të reja nga Vehbi SKËNDERI (02.24.2009)
Los Angeles Times: Disident ose jo Ismail Kadare mbetet i madh (02.19.2009)
KJO DASHURI E DRIDHSHME NGA FRIKA SI FËMIJA NË TERR (02.11.2009)
Xhejms Xhojs irlandezi kryengritës gjeinu i letrave botërore (02.03.2009)
I çmendur pas Shakirës - Nga Gabriel Garcia Marquèz (01.27.2009)
Tomas Shter Elioti, Poeti i Tokës, Ajrit, Ujit dhe Zjarrit (12.30.2008)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]