VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NJË QIELL I BAKËRT TUAF I MEKUR KU HËNA SHFAQET PËR TË LINDUR DHE VDEKUR Poezi nga Paul Verlaine (1844-1896) E Djelë, 09.20.2009, 10:41am (GMT1) "NGJASHMËRI E PAFUNDME..." Ngjashmëri e pafundme E fushës së tërë, Bora e zbërdhulme Ndrin si rërë. Një qiell i bakërt Tuaf i mekur Ku hëna shfaqet Për të lindur dhe vdekur. Si re të mëdha Lisat nëpër mjegull Në pyjet pa skaj Pranë grisë pezull. Një qiell i bakërt Tuaf i mekur Ku hëna shfaqet Për të lindur dhe vdekur. Sorra azmatike Dhe ujq të uritur Çfarë të zezë ditën Sjell për ju ky dimër? Ngjashmëri e pafundme E fushës së tërë, Bora e zbërdhulme Ndrin si rërë. VARGJE TË ARTA Arti nuk do lotë dhe askënd nuk vë në hekura, Kjo është bindja ime me pak fjalë: poezia brumoset Nga sfida gjigante të njeriut dhe nga beteja Kundër dashurisë bajate dhe mërzisë boshe. E di se duhet vuajtur shumë që t'i arrijmë këto lartësi E di se rrugët duken të thikëta po t'i shohësh nga poshtë. E di, mirëfilli e di se jo cilido prej poetëve tani Ka gjoks dhe burrëri për t'i ngjitur ato. Por madhështia qëndron në shpërfilljen e tundimeve e joshjeve, Në përballjen me betejat e jetës dhe arritjen e fitoreve Në emër të pushtimit të pasionit. Ëndërruesit nuk bëjnë asgjë, si drurët, Kombet lartohen dhe bien nëpër pengime rënkues Madhështia është besim i gurtë te vetja jonë.
ËNDËRRA IME E RIPARË Unë shpesh shoh një ëndërr të çuditshme dhe brejtëse Për një femër të panjohur që e dua dhe më do gjithashtu Ajo nuk është gjithnjë e njëjta dhe nuk është tjetërkush Mua më dashuron, mua më kupton ajo femër. Po, ajo më kupton; dhe mjerisht skaj më skaj Rri hapur ditë e natë kjo zemra e shkretë Vetëm për atë femër që i jep jetë Fytyrës sime meit mbuluar me lotët e saj. Është zeshkane ajo, është kuqe, flokëverdhë? S'dua të di. Emri i saj? Ai më jehon gjithë butësi Si emrat e më të dashurve në botë. Vështrimi i saj është si vështrim shtatoreje, Dhe në zërin e saj të qetë e të rëndë e qiellor Janë valëzimet e zërave më të dashur dhe të ngrohtë. DIEJT PERËNDUES Një agim i brishtë Përhap fushës Trishtimet E diejve perëndues. Trishtimet Përkundin miklues Zemrën time të humbur Në diejt perëndues. Pastaj ëndërra të përçudshme Që ngjajnë me diejt perëndues Që tretin në brigje Fantazma të lëkuqme Pafundshëm lëvizin Duke më kujtuar mua Diejt e fuqishëm Që treten në brigje. FEMRA DHE MACJA Ajo po luante me macen e saj Dhe ishte mrekulli të shikoje Putrën e bardhë dhe dorën e bardhë Si luanin nëpër hijet mbrëmësore. Ajo po fshihte (ligësia vetë) Nën dorëzat e zeza pisë Thonjtë vrastare të mprehtë Aq therës sa çdo thikë. Në të njëjtën lojë ishte dhe tjetra Ëmbël, kthetrat e mprehta Duke i fshehur me tinëzi... Dhe në dhomën e gjumit ku e qeshura e saj Kumbon kthjellët si një kambanë, Katër drita fosfori shkreptijnë. SHKOLLARES Të jap ty mësime, të cilët, S'të duheshin më parë, çupërlinë, Meqë trupi yt i bukur përpëlitet I drithëruar në krahët e mi. Lëkura jote e butë, sa e bardhë, Si zambakët, si bora. Gjinjtë e tu të përkryer aq saktë Shpërthejnë si lule të njoma. Ndërsa goja jote, trëndafile e freskët, Duket sikur i thërret buzët e mia krenare; Por përtej këmishës sate fshehtë Buzëqesh një puthje edhe më e valë... Ngurimin shkollare do ta flakësh shpejt Ta them këtë me përgjegjësi Do të marrësh diploma në lëndë të tjera Të artit përdëllues të dashurisë. SA I TRISHTË UNË ISHA... Sa i trishtë unë isha, sa i trishtë, Për shkak të një femre, pikërisht. Vuajtja vazhdon gjithnjë, Edhe pse janë tashmë Zemra, trupi dhe shpirti im Një botë larg saj mërguar. Nuk gjej kurrsesi ngushëllim Edhe pse nga zemra ime ajo është larguar. Dhimbja therëse e zemrës sime pyet: Si mund të ndodhë kështu vallë? A është ky mërgim krenar e i trishtë Vetëm një ëndërr që nuk zgjat? I përgjigjem: Nuk e di Pse kemi rënë në këtë grackë, Në këtë vend dhe kohë përçudni, Në këtë këtu dhe tani, në këtë atje dhe pastaj. PRITJA Trëndafilët kishin ngjyrë të kuqe të ndritur Krizantemi kishte ngjyrë të zezë të mbyllur. E dashur, edhe gjesti yt më pa kuptim E ringjall dëshpërimin tim. Tejet blu ky qiell, tejet i butë, Tejet i blertë ky det, tejet i ëmbël ky ajër. E prapë kam frikë se ti nuk do të vish kurrë Sa torturë është të presësh, e dashur ! Më lodh fërfërima e lehtë e fletëve Dhe farfuritja e pemëve. Më lodh pafundësia e fushës përtej, Gjithçka, më lodh, përveç teje që vjen. FLOKËVERDHË APO FLOKËZEZË Flokëverdhë apo flokëzezë je ti? Ke sy të kaltër Apo sy të zi? Nuk di, por adhuroj kthjelltësinë e thellë të syve tu Adhuroj rrëmujën e flokëve gjithsesi. E butë apo e rreptë je ti? Zemra jote Është e ngrohtë a e mbushur me përbuzje dhe inate? Nuk di, por e falënderoj natyrën hirplote Që më bëri pushtues të zemrës sate. Besnike je ti a e pabesë? Në fakt Kjo nuk ka fare rëndësi Gjersa bukuria jote është gati gjithnjë të kënaqë Pasionin tim, nuk ka dëshmi si kjo në gjithësi. BUKURIA E FEMRAVE... Bukuria e femrave, pafuqia e tyre, ato duar Që shpesh bëjnë mirë e që mund të bëjnë keq, Dhe ata sy që bëhen si të një bishe të egër Për t'i thënë "Mjaft!" burrit të harbuar! Gjithnjë ai zë, sikur këndon nina-nanë, Madje edhe kur hesht. Thirrje mëngjesi A këngë e butë perëndimi a shenjë e përndezur A dënesje e bukur humbur në shallin e bardhë... Burra të vrazhdë! Jetë shëmtane, e ligë mbi këtë tokë ! Përtej përleshjeve dhe ledhatimeve, Lini të mbetet së paku sipër maleve diçka, Diçka si prej zemre të njomë fëmije, Prej mirësie, respekti. Sepse çfarë do t'i tregojmë Vdekjes kur të vijë, dhe çfarë do të lemë pas?
MARIGOJA Kur Marigoja kalonte, djemtë kthenin kokat Rrotull për të parë dy sytë e saj, dy Sodomat Ku flakët e Dashurisë bënin shkrumb e hi Kasollën e shkretë mërdhitëse me emrin Miqësi. Gjithandej kalëronin aroma hyjnore Dhe e mbytnin krejt shpirtin dënesës. Magjitë shpërthenin nga flokët e saj gështenjë Veshjet e saj bënin një muzikë të pashoqe Kur Marigoja kalonte. Kur Marigoja këndonte, duart e saj sedefe Lëshonin melodi të thella, të errëta dhe sekrete, Melodi të lashta që askush nuk i këndon tash. Zëri i saj me flatra qiellore ishte një parajsë, Një simfoni ëndërrash e paanë. Dhe kushdo që dëgjonte lojën e trallisur Të atyre tingujve të argjendë prekte i dalldisur Mbi faltrat e zërit të saj qiellin e shtatë, Kur Marigoja këndonte. Kur Marigoja dëneste, pikalotet e saj rrënimtare Bënin të heshtin armët më të egra vrastare. Buzët e kuqe gjak i përndizeshin prush, Dëshpërimi i saj bëhej njerëzor pa fund. Si një flakë që harbohet me një vrull të ri Zemërimi i saj merrte zjarr. Ish ajo Luaneshë që shfrynte furinë fort Në një pyll të errët pa anë e pa kufi Kur Marigoja dëneste. Kur Marigoja kërcente, fundi i saj atllas Vërsulej para, zbrapsej prapa si tallaz, Dhe e përdridhte belin e saj si purtekë Gjinjve të bardhë duke iu dhënë përpjetë. Një vetëtimë verbuese nga kofshët e saj Latuar në mermer të përkryer iu shtohej Mrekullive të përmendura më lart. Të gjitha këto Shndërroheshin në një fllad pylli nëpër natë Kur Marigoja kërcente. Kur Marigoja flinte, oh një amë qelibari pastaj E mbushte dhomën krejt përzier me amën e saj! Nën çarçaf lakoheshin format e shpinës së hatashme Dhe nën hijet e perdeve ato iu përshtateshin Ritmeve të lehta, të buta të frymëmarrjes. Gjumi i patrazuar prehej në sytë e saj i qetë Dhe mister të ëmbël përhapte gjithandej Në gjërat e vendosura kuturu nëpër raftet, Kur Marigoja flinte. Kur Marigoja bënte dashuri, atëherë dallgët E qejfit si gjak i kuq që vlon edhe nxjerr avull Duke shpërthyer nga një plagë pushtonin brigjet e atij Trupi mizor të shfajësuar nga të gjitha krimet e tij. Përplaseshin shtrëngatat në muret e shpirtit, Shkatërronin dhe rrënonin pa mëshirë gjithçka Rrugës së tyre tek shkonin, pastaj shfrynin prapë Të egra e të vrazhda si flakët e përbindshme Përpara se fashiten.
MBRËMJE TETORI Vjeshtë dhe diell perëndues. Jam i hareshëm. Gjak në meit, Flakë në zenit, vdekje në natyrë, Ujë vendumëro, burrë në ethe. Ndërkohë është ora jote, stina jote, poet I zemrës iluzionesh zbrazur, Poet nga dhëmbet brejtës të pasionit i zgrapcur, Çfarë pasqyre, dhe ç'festë! Si unë shumë të tjerë, pedantë, të çmendur, marroqë, Lënë mendjen për Pranverën dhe agimin, Atë çift të virgjër, më kuqloshë se fustanët e tyre. Vjeshtë e vrazhdë, ty të dashuroj, më fort Se çdo fytyrë të vogël engjëlli Ty, kurtizane mizore dhe me sy gabeli. FEMRA DHE MACJA Ajo po luante me macen e saj Dhe ishte mrekulli të shikoje Putrën e bardhë dhe dorën e bardhë Si luanin nëpër hijet mbrëmësore. Ajo po fshihte (ligësia vetë) Nën dorëzat e zeza pisë Thonjtë vrastare të mprehtë Aq therës sa çdo thikë. Në të njëjtën lojë ishte dhe tjetra Ëmbël, kthetrat e mprehta Duke i fshehur me tinëzi... Dhe në dhomën e gjumit ku e qeshura e saj Kumbon kthjellët si një kambanë, Katër drita fosfori shkreptijnë. "DUAR TË DASHURA..." Duar të dashura që dikur ishin të miat, Kaq të vogla, kaq të bukura, zot, Pas gabimesh njerëzore dhe plot Gjërash aq të liga, Pas endjeve të mia mërguar, Pas limaneve dhe zallishteve, Unë kam duart e tua të brishta Endërrat duke m'i shpaluar. Duar mbi shpirtin tim, duar mbi ëndërra, Mes pëshpëritjesh pise, çka di unë se çfarë Këtij shpirti të mjerë, të dalldisur e trillan Ti denjove t'i rrëfesh, t'ia tregosh të tëra? Një rrenë, vizioni im i pafaj I harmonisë shpirtërore, Një përvujtni amnore, Një dhimbsuri e thellë, e paskaj? Vuajtje e mirë si kjo, e çiltër keqardhje, Ëndërra të bekuara, duar të shenjtëruara, Oh, ju duar aq shumë të admiruara, Ma bëni mua një shenjë të faljes! MAKTH Shoh nëpër ëndërrën time tek veton Si një stuhi mbi rërë, Një shpatë të madh në njërën, Një klepsidër në tjetrën dorë Ai kalorës I baladave gjermane Të cilin përmes qyteteve dhe fshatrave Mbi lumenjtë sipër majave Mes pyjeve lugjeve poshtë Një hamshor I kuq flak i zi abanoz Pa fre pa kërpesh pa mëgojzë Pa kamxhik pa fiskël pa thirrje hyjo! Përmes vdekjes memece hajt e hajt Ai mban Një kapelë pendëgjatë e të gjerë Deri mbi sytë sa i kthjellët Sa i zymtë si bluja e thellë Sa mish i gatshëm për plumb Parë nëpër muzg Si një krah fajkoi Kreshpëruar droje Përballë një stuhi bore Që ia beh përtej Përzier me erë Dhe në shenjë lavdie Një gjoks prej fildishi dhe hijesh Nëpër natën e zezë shkrepëtin Tridhjetë e dy Dhëmbet e tij. Përktheu dhe përgatiti: Elida BUÇPAPAJ www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |