VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TE KROI UJËMJALTË
20 poezi nga RRUSTEM GECI, nga libri 'Dridhjet e barit'

E Djelë, 10.27.2013, 06:14pm (GMT1)



* * * * *

Dallgë e verbër, memece

zhurmën tënde e ndiej

ta ndal nuk mundem

ta mbërthejë s'e bëj dot


* * * * *

E kuqja nuk vjetërohet

e kuqja nuk harxhohet

është gjak i përditshëm

është gjak i përjetshëm

* * * * *

Në këtë natë Evrope

gjakshëm më vret plaga

gjakshëm më vret malli

gjakshëm më vret fati

* * * * *

Lexues, duaje këtë libër

përqafoje dhe shtrëngoje

është s´i vajzë e bukur

është si djalë i pashëm

* * * * *

Godoja ynë priste G-në e tij

Godo i tij priste Godon tonë

mbi tërë atë pritje tragjike

I mashtruar ishte p o p u l l i

* * * * *

Fati i poezisë nuk blihet

fati i poezisë nuk shitet

poezia ka gjakun e vet

ndryshe nga artet e tjera

* * * * *

Nevoja për të korrat

më çoi te të mbjellat

te të korrat e grurit

te dielli i gjelbërimeve


* * * * *

I huaji s´më bën të lirë

pa më hip e poshtëruar

ai më do të t ë r ë n

vetëm për t´u argëtuar

* * * * *

Tek ky krua ujëmjaltë

s´ ka më të magjishme

se fjala mirëmëngjes

me kafe e ujë Kllokoti


* * * * *

Kur djemtë shndërrohen

në zogj , dhe vashat në

flutura, ndodh dashuria

më sublimja e shpirtit

* * * * *

Në përthëllimë të fjalës

krejt brenda në qënie

kam mbi 100 shekuj jetë

në këtë tokë shqiptare

* * * * *

Ky Drin i Kosovës

është lumë i moçëm

është "dardani" i parë

që piu shiun kozmik

* * * * *

Unë e ruaj pamjen e tij

pamja e tij s´më humbet

i dashur ishte me shokë

i bukur ishte në l u f t ë


* * * * *

Sa herë e marrin në pyetje

l i r i n ë , të vërtetën tonë

të "mëdhenjtë" s´përgjigjen

ose kërkojnë kushte shtesë

* * * * *

Në historinë e kësaj bote

plot b e t e j a për jetën

janë shuar, janë harruar

pa u shkruar asgjëkundi

* * * * *

Bukë janë duart e popullit

që mbjellin e hedhin farë

ato shndërrohen në grusht

kur gjërat s´ ecin mbarë

* * * * *

Të drejtat e autorit mbi jetën

i ka ajri, uji, dielli dhe zjarri

dhe miliarda krijesa të tjera

që i japin shëndet natyrës

* * * * *

Kosova në çdo kohë

zemrën e ka Shqipëri

shpirtin e ka shqiptar

dhe vetveten të veten

* * * * *

Bukurinë e atdheut tim

s´e ka asnjë vend në botë

përveç një zogu në rrem

që atdheun e ka në pemë

* * * * *

Mesditë ishte ai frymëzim

kur grusht i rashë dhimbjes

dhe veten e vrava disa herë

që ky libër vet të mbijetoj
RRUSTEM GECI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.