E Premte, 03.29.2024, 09:49am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
ARSYEJA ËSHTË PASQYRË E NDËRGJEGJES (NEVETES) SË KUJTDO
Esé nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ

E Hënë, 10.28.2013, 07:42am (GMT+1)


"...Veprimi pa arsye nuk të çon askund.
Është njëlloj si, kur të eturin e çon në
100 çezma dhe nuk i jep një pikë ujë.
Jeta pa arsye, ngjet me një udhëtim rreth
planetit pa orientim, pasi mungon busulla..."


Arsyeja është thirrja që ndërgjegjja i bën logjikës, për të arritur një pikësynim, apo për realizime sa më të avancuara të jetës. Nëse arsyeja i përgjigjet kësaj thirrjeje, atëherë vepron logjika e ftohtë dhe e fortë dhe cilido di të udhëtojë drejt zgjidhjes së çdo enigme.

Veprimi pa arsye nuk të çon askund. Është njëlloj si, kur të eturin e çon në 100 çezma dhe nuk i jep një pikë ujë. Jeta pa arsye, ngjet me një udhëtim rreth planetit pa orientim, pasi mungon busulla.

Kur mungon arsyeja, mendimi është si pema e tharë që nuk jep fruta, pasi njeriu është pa asnjë synim në rrugëtimin e tij të gjatë që e ka emrin jetë. Nëse në një mendje gjendet një arsye e fortë dhe bindëse, gjithsesi ajo nuk është e aftë të bëjë asgjë, kur individit i mungon talenti dhe pasioni. Duhet të theksoj se arsyeja është individuale, është vetjake siç është liria e shpirtit, liria vetjake, së cilës i përgjigjet vetëm "Njëmendësia". Kjo e fundit vepron sipas aftësisë mendore, shpirtërore, fizike dhe mbështetet në talentin, pasionin dhe vullnetin me të cilat është pajisur individi.Që arsyeja të veprojë siç duhet, veç atyre cilësive të lartpërmendura, nevojitet kurajo dhe guxim për të vepruar.

Duke kujtuar thënien e një poeti, piktori dhe filozofi Libanez, Khalil Gibran(Jubrān KhalÄ«l Jubrān- që lindi më 6/12/ 1883 dhe vdiq 10 /4 /1931 në New York), se: "Arsyeja dhe pasioni janë timoni dhe vela e shpirtit tonë lundrues...",po vazhdoj...

Jeta e njeriut i ngjan lundrimit të një detari, në kohë dhe mot të ndryshëm, anija e të cilit vozit në ujëra të qeta, të turbullta apo të trazuara nga stuhitë. Sipas Khalil Gibran, arsyeja është timoni i anijes, kurse pasioni është vela që ecën në drejtim të erës ose kundër saj. Ç'ndodh me njeriun vallë gjatë këtij lundrimi të gjatë e të vështirë në thellësi apo në cekëtina, sipas rrymës apo kundër saj? Si formohet ky njeri? Ç'shkallë personaliteti dhe nga se karakterizohet individualiteti i tij?

Arsyeja, talenti dhe pasioni përbëjnë një trinom i cili jep rezultat e diuhura, kur janë krijuar kushtet dhe janë të gjitha mundësitë për njohjen e botës. Arsyeja jashtë realitetit është si një hambar i zbrazët. Ndaj si bazë e aryes shërben njohja, jo si termë filozofik, por përmes saj arrihet tek realja nëpërmjet të të prekurit të shqisave dhe të menduarit.

* Më parë duhet të dimë se deri ku mund të arrijë njohja, gjë që varet nga vullneti për ta arritur në një konkluzion. Veçanërisht duhet të dimë se a është e aftë apo në gjendje "Njëmendësia"(Nevetja) të arrijë kufirin e njohjes së botës dhe të zbulojë se sa vërtetësi ka në këtë njohje? Nëse në njohjen e botës mungon e vërteta, atëherë në të gjitha shkencat do të sundojë subjektivja.

* Po kështu nuk mund të ketë letërsi dhe kulturë që t'i përgjigjet realitetit nëse nuk ekziston liria vetjake e të menduarit. Theksoj se kjo liri fitohet kur e njeh botën dhe një nga kushtet e kësaj njohjeje është përvoja jetike, që ndryshe, ose shkencërisht quhet empirizëm.

*Ato që e bëjnë individin ta njohë botën deri në qelizë, janë shqisat, përmes të cilave krijohen ndjesitë për të shprehur atë që njohe dhe çfarë ndjen gjatë njohjes. Kjo quhet "Përvoja Ndijore" (sensuale), që është burim i pazëvendësueshëm i njohjes. Kjo është mëse e vërtetë. Bota reale nuk mund të njihet pa njohjen e jashtme të saj, nëse nuk shihet, nuk preket, nuk dëgjohet ,nuk shijohet dhe nuk nuhatet.

*Por për ta njohur botën dhe vetveten, njeriut i duhet edhe përvoja e brendshme, ndjesitë e individit(sensualiteti) lidhur me atë çka ndodh brenda qenies së tij. Duke u nisur nga këto ndjesi që pëcillen nga gjymtyrët apo nga gjendja e brendshme shpirtërore, njeriu reflekton përmes ndërgjegjes.

*Disa filozofë(Platoni, Lajbnici, Dekarti, Spinoza etje) thonë: "Arsyeja është i vetmi burim kryesor i njohjes së botës." Pa arsye nuk mund të kuptohet se cila është themelore në jetë. Pa veprimin e mendjes apo arsyes nuk mund ketë as shkencë, as art, as letërsi, as kulturë dhe as zhvillim tërësor të njerëzimit. Kjo shkallë e njohjes quhet Racionalizëm.


Duke e lidhur me artin apo letërsinë, them se nuk ka art të mirëfilltë, të shkallës sipërore kur mungon përvoja jetike dhe njohja e thellë e botës. Nëse vendosim përballë dy autorë letrarë të shquar, për realizimin e një drame letrare me temë të njëjtë nga genocidi i diktaturës komuniste edhe në rolet të jenë aktorë nga shtresa të ndryshme sociale. Autorët të jenë me prejardhje të ndryshme shoqërore, pavarësisht se tema do të jetë zgjedhja e tyre, sipas mendimit tuaj, cila prej tyre do të jetë më e arrirë?

Jam e bindur se autori që e ka provuar dhembjen deri në palcë, do të nxjerrë një vepër të përkryer, madje madhore, sepse nuk mbështet në hamendësime, por në njohjen e realitetit, i prekur fiszikisht dhe shpirtërisht nga ai. Jo më kot është thënë:"Arti, letërsia burojnë prej dhembjes, por pa lënë në harresë lumturinë."Veçse arti që buron nga dhembja është tronditës, të bënë të mendohesh dhe të mbash qëndrim kritik ndaj problemeve që shkaktojnë dhembje dhe vuajtje. Kurse ai që buron nga lumturia është si limonada me akull në verën e nxehtë. Iku vapa , akulli shkrin dhe ky lloj arti apo letërsie harrohet. Ndërsa ai që ka në qendër tragjedinë e një kombi, lë vragë dhe nuk harrohet. Ky art shërben si udhërrëfyes i njereiut pozitiv, që e do ndryshimin dhe zhvillimin e kombit.

*Duke e parë në mënyrë kritike njohjen që vjen si bashkëpunim i shqisave me mendjen. Njohja fillon me shqisat por formën e saj të plotë e jep mendja, e cila formëson materialin e shqisave që paraqitet në një kaos të vërtetë. Për këtë shoshitje formuese, Kanti si pëfaqësues i Kriticizmit thotë:"Mendja është ligjëdhënëse e Natyrës".Janë njerëz ata që formësojnë ligjet. Ligjëvënësit, a nuk nisen nga arsyeja që njeriu të njoh ligjin, ta respektojë e ta zbatojë atë, që njerëzit të jenë të barabartë para tij dhe duke u mbështetur në kushtetutë janë të prirur të kërkojnë drejtësi. Përsëri është Arsyeja ajo, që ekzekutuesit e ligjshmërisë i shkelin ato për inetersin vetjak. Shohim se mendja ndërton dhe prapë ajo shkatërron atë që ngriti vetë.

*Njohja e vërtetë, njohja e Njëmendësisë, është e mundur vetëm përmes intuitës. Ky proces ndjesish të qëndrueshme(permanente) që nuk spjegohen nga logjika dhe arsyeja humane (por janë aftësi irracionale të njeriut), quhet intuitivizëm. Sipas tij vetëm intuita është në gjendje të njohë dhe të dallojë atë që është kryesore apo më thelbësore për jetën. Pikërisht të nisur nga intuita si bazë njohjeje, shumë autorë veprash e marrin tematikën nga eposi antik, për mos t'i lejuar vetes hapësira kritike.

*Për mundësinë e njohjes së botës ekzistojnë dy pikëpamje po aq të skajshme si: dogmatizmi (besimi në të shkuarën dhe kundërshtim i të resë) dhe skepticizmi :pavendosmëri (luhatje në përcaktimin e njohjes). Këto sot janë nga dukuritë më jetike. Lidhur me dogmatizmin dhe skepticizmin si pikëpamje që pengojnë zhvillimin përmes njohjes së realitetit, shohim se politika e çdo ngjyre, apo njerëzit që udhëheqin kulturën, institucionet e saj, janë gati të hyjnizojnë çdo vepër të së shkuarës, të vlerësojnë dhe mitizojnë shkrimtarët, regjisorët, aktorët që kanë vdekur, vetëm e vetëm për të mos i pasur si ferra nëpër këmbë krijuesit e rinj që japin vlera bashkëkohore.

Lind pyetja:Mos vallë Arsyeja apo Mosarsyeja e shndërrojnë njeriun në dogmatik, skeptik apo realist? Njeriu e zgjedh vetë rrugën për arritjen e qëllimit. Sipas përzgjedhjes dhe zgjidhjes së formimit ndërgjegjësor, gjithmonë vepron arsyeja, e cila nuk është e përkohëshme, as rastësore. Arsyeja mund të jetë e varfër ,por asnjëherë luks fasade, por ajo vepron sipas kushteve, faktorëve në të cilat kalon jeta e individit. Janë pikërisht këto dukuri që ndikojnë në formimin individual të tij. Mbështetur në këndvështrimin individual ndaj botës, problemeve sociale të cilitdo, vepron arsyeja. Nuk është erosi i vetmi ndijim që të burojë art nga shpirti i poetit.


Tek një individ që ka lindur me dhunti, duke jetuar me problemet, dramat dhe tragjeditë, nis e vepron arsyeja. Pra bota që e rrethon, me të gjitha dukuritë dhe fenomenet e saj, ndikon në "Njëmendësinë", në njohjen e "Nevetes". Nëse arrin të njohësh veten, ke arritur shkallën më të lertë të të menduarit. Mendimi apo arsyeja e këtij njeriu vepron krahas ligjeve të natyrës dhe kurrë krahas kushteve që vënë politikat apo qeveritë. Ato shkojnë e vijnë, kurse njeriu me intuitën e tij, duke vënë përballë dy të kundërtat e arsyes, formëson karakterin e tij, i cili shprehet në të gjitha fushat ku ai vepron si: art, letërsi, shkencë, ekonomi, kinematografi , drejtësi etje.
Atëherë arrijmë në përfundimin se duhet Logjika që të njohim format dhe parimet e të menduarit real dhe të vërtetë. "Logjika është mjeti për të hyrë në studimin e shkencave, në art dhe në fushat krijuese. (Aristotel)"

Shkenca filozofike, që merret me studimin e mundësisë, vëllimit, të vërtetësisë e të kritereve të njohjes së botës, sendeve dhe dukurive të ndryshme, është Gnoseologjia. Duhet studiuar kjo shkencë që të njohim botën dhe veten, gjithmonë përmes arsyes.

Arsyeja është pasqyrë e ndërgjegjes (Nevetes) e cila kur arrin shkallën më të lartë të të menduarit, mendimin e avancuar, ka krijuar Mbinjeriun apo Gjeniun. Pra si pasojë e Arsyes, roli i "Njëmendësisë",është sa i avancuar në formimin e njeriut "Njeri" dhe po aq i vyer në dhënien e vlerave reale kombëtare. Nga Arsyeja varet formimi i karakterit të njeriut dhe se çfarë është në gjendje ai të krijojë.

VILHELME VRANARI HAXHIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TE KROI UJËMJALTË20 poezi nga RRUSTEM GECI, nga libri 'Dridhjet e barit' (10.27.2013)
NATYRSHËM, SI NDJENJA- Mbi librin me tregime : Dashuria çel në Prill- të Drita Lushit-Nga DEMIR GJERGJI (10.27.2013)
MIRËMËNGJESI PARIS!Poezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.25.2013)
TI I KËNDON DIELLIT DHE QIELLITPoezi nga PABLO NERUDA, shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ (10.25.2013)
ËMBLAPoemë nga RRUSTEM GECI (10.25.2013)
KOHA E TRIMËRISË SË LEPUJVEProzë poetike nga SKËNDER BUÇPAPAJ (10.24.2013)
MOTIVE VJESHTENga PËRPARIM HYSI (10.24.2013)
IKU NGA VETVETJA dhe STOLI ME NGJYRA TË YLBERITDy proza poetike nga ADEM ZAPLLUZHA, nga libri “Fjetëm njëqind shekuj” (10.24.2013)
SAFOCikël poetik nga QAZIM SHEHU (10.24.2013)
MEGJITHËSE VAN GOGU KISHTE RËNËCikël poetik nga ROLAND GJOZA (10.23.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]