VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SE DASHURIA PA MËKAT NUK KUPTOHET
Cikël poetik nga QAZIM SHEHU

E Shtunë, 12.21.2013, 03:46pm (GMT1)



FJALA

Fjala si buka bëhet bukë e përditshme,
Si shiu kthehet kur gjumin e ndjell
Drejt caqesh të paarritshme.

Nga gjithë lavditë që shkon të ndezë,
Me forcën e vet të fshehtë,
Trembet të zbërthejë magjinë që s`rrëfehet,
Prej një puthje të nxehtë,

Siç trembet reja t`i freskojë zjarrminë diellit
Mëshirëmadh,
Mos shkrihet krejt...
--
KËNGËT

Ç'kordë humbi, ç`zanore kur melodia u plas,
Dhe u shkri si një valë në ajër,
Që një vullkan na e hodh përbri.
Si zogu në bar tek lëngon si bari që zjarr provon,
Vijnë ato, këngët e gjyshërve të mi,
Këngët e nënë sime dhe të ëndrrës së saj për fëmijtë,
Këngët e dhelindjes dhe këngët e mërgimit,
Këngët e dashurive të lejuara pas përçmimit,
Vijnë...

Tani gurmazit të lodhur rrinë si nikotinë duhani
Rrinë si ujë në tuba pa rrjedhje; ato,këngët.
Si një as që s`del nga mëngët...
--
DASHURIA

Me fjalë mëkatare i afrohem dashurisë, se
Dashuria pa mëkat nuk kuptohet,
Thonë është një enë qelqi që kris,
Kur drejt zjarrit të zemrës afrohet.

Thonë godet pa prerë e s`ndal kurrë,
Dashuria, kjo ndjenjë mëkatare,
Që nuk e ndal në vend të mendojë një burrë,
Edhe pse bëhet i esëlll fare.
--
HIJE

U tradhtova nga një fije bari, kur u ktheva,
Aty më nuk ishte.
As ajo vërshëllima e një zogu përmbi shelgjishte.

U tradhtova nga një fije bari si nga fija e flokut,
Që dje qe mbi ballë, e sot ra,
Nga nxehtësia e trurit të lodhur,
Në mendime ,aspak të mëdha.

Edhe sot një fije, një fije tjetër pasnesër,
Pas ca kohe, një tufë,
Duke u shkundur si një gjëmbaç i egër,
Si në shkretëtirë një kaktus...

Dhe kush faj s`më ka për këtë, ndonëse
Vitet fajësoj për vrap çmendurak,
Ajo fije bari nuk del më,
Veç krahët e hijes që që na mbulojnë nga pak...
QAZIM SHEHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.