VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - I çmendur pas Shakirës - Nga Gabriel Garcia Marquèz

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 01:49pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
I çmendur pas Shakirës - Nga Gabriel Garcia Marquèz
E Martë, 01.27.2009, 05:52pm (GMT+1)



Shakira në sytë e Gabriel García Márquez. Kolumbiani më i famshëm i botës takon kolumbianen më të famshme të botës

Inteligjente, e trembur, e ndershme, llupëse, dinake, me botë të gjerë shpirtërore. E pastaj: gjeniale, e thellë, e ndjeshme, plot me energji. Kështu e përshkruan gjeniu Gabriel Garsia markezi (Gabriel García Márquez), përfaqësuesi më i madh i realizmit magjik amerikanolatin, kolumbiani që fitoi Çmimin Nobel të Letërsisë më 1982, autori, ndër shumë e shumë të tjera, i romaneve "Kolonelit nuk ka kush t'i shkruajë", "Njëqind vjet vetmi", "Dashuri në kohët e kolerës", "Kronika e një vdekjeje të paralajmëruar, këngëtaren magjike kolumbiane Shakira, pas takimit të parë me të, në prozën e tij "I çmendur pas Shakirës" të cilën ua sjellim më poshtë lexuesve:
----

Shakira është nisur nga Maiemi në një avion të drejtuar për në Buenos Aires, kryeqytetin e Argjentinës, të hënën me një shkurt, e ndjekur nga një gazetar që kishte për qëllim t'ia bënte këngëtares vetëm një pyetje, qoftë edhe nëpërmjet telefonit, për një emision radiofonik. Për arsye të ndryshme, ndonëse fare normale, parë kjo nga ngarkesat e mëdha të punëve të të dyve, gjatë njëzet e shtatë ditëve të mëvonshme, gazetari kurrsesi nuk ka arritur të komunikojë me Shakirën, gjersa në muajin mars rrugët e tyre janë pikëtakuar në Spanjë. Në këtë rrethanë, e vetmja gjë që gazetarit i kishte mbetur të bënte, ishte tema dhe titulli i emisionit: "Çfarë bën Shakira kur është vetëm?": Dhe Shakira, duke qeshur me aq lezet dhe duke tundur itineraret e udhëtimet dhe programin e koncerteve në duar, i është përgjigjur me një fjalë: "Jetoj".

Duke u rikthyer në mesditën e një shkurtit, pra, Shakira arrin në Buenos Aires dhe punon papushim deri në mesnatë, duke dalë përtej së hënës, në të martën, pa gjetur madje as kohë dhe as mundësi që ta festojë ditëlindjen e saj, e cila bie pikërisht atë ditë, me një shkurt. Më një mars, kur përfundimisht Shakira arrinte të flejë një natë të tërë në një hotel të Madridit, kryeqytetit të Spanjës, ajo mund të thoshte tashmë se kishte udhëtuar të paktën sa një stjuardesë avioni, më shumë se dyzet mijë (40000) kilometra në një muaj.

Ngarkesat e punëve të Shakirës, kur është në tokë, nuk janë më pak të rënda, nuk janë më pak raskapitëse. Midis muzikanëve, teknikëve të ndriçimit, makinistëve, inxhinerëve të zërit, grupit shoqërues, është si një gjenerale midis një formacioni të vërtetë dhe të mirëfilltë luftimi. Ajo merret me gjithçka vetë, personalisht. Shakira nuk është kompozitore e shkolluar, por përgjatë provave ajo përqëndrohet mbi çdo instrument dhe veshi i saj i përkryer, i shoqëruar nga një ndjesi e ashpër e kritikës, e lejojnë atë që t'i ndërprejë provat kur ka nevojë për ta gjetur notën ekzakte. Me muzikanët raporti nuk kufizohet aspak në një bashkëpunim të rëndomtë në skenë. Dhe kjo ndodh sepse, realisht, nga zemra e Shakirës, nga zemra e saj e pashoqe, varen edhe fatet personale të bashkëpunëtorëve të saj.

Përkundër të gjitha këtyre, është shumë e vështirë të pikasësh tek Shakira shenja lodhjeje, por kjo nuk duhet të të mashtrojë. Gjatë një vargu prej dyzet (40) koncertesh muzikore që këngëtarja ka dhënë në Argjentinë ajo nuk ka treguar absolutisht as shenjën më të vogël të lodhjes, edhe pse gjatë datave të fundit të turit, është dashur që dikush ta priste në mbarim të koncerteve dhe ta merrte në krahë deri tek makina. Në disa raste ajo ka kaluar në takikardi, pra në aritmi të rrahjeve të zemrës, ajo ka pasur pezmatim të fytit, mpirje të kollonës vertebrore dhe alergji të lëkurës.

Shakira është vajza e vetme e një argjendari të njohur të Barranquilla, qytet i Kolombisë që laget nga Oqeani Atlantik, përballë ishullnajës së famshme të Karaibeve. 

William Mebarak quhet babai dhe Nydia Ripoll quhet e ëma. Është një familje me prejardhje arabe, e cila ka qenë gjithmonë nën mbrojtjen e perëndive të arteve dhe të letërsisë. Pjekuria tejet e parakohëshme dhe e pazakonshme e Shakirës, gjeniu i saj krijues, vullneti i saj i hekurt, si dhe mikpritja e një qyteti të veçantë kolumbian siç është Barranquilla, janë të vetmit argumente për të shpjeguar fatin kaq të veçantë të familjes dhe të bijës së saj, fat kaq i rrallë dhe kaq i veçantë. Vitet e saj të parë ngjajnë shumë me tepër me dekada. Kronistët zyrtarë japin të dhëna të sigurta se kur Shakira ishte shtatëmbëdhjetë muajsh e thoshte përmendsh alfabetin. Ajo që atëherë kishte filluar të numëronte. Në moshën katër vjeç, pa u marrë askush me të, ajo e kërcente në mënyrë të mahnitshme kërcimin e barkut, në shkollën e murgeshave të Barranquilla, të cilën një funksionar i dhënë pas dëfrimeve, e kishte themeluar, që në vitet tridhjetë, në shenjë nderimi ndaj kulteve vendëse.

Kur ishte shtatë vjeçe, Shakira kishte kompozuar tashmë këngën e saj të parë. Midis moshës tetë dhe dhjetë vjeçe kishte shkruar vargjet e para dhe kishte realizuar këngën e parë me tekst dhe muzikë origjinale. Në të njëjtën periudhë ajo ka firmosur kontratën e parë, ku parashikohej që ajo t'iu jepte koncerte punëtorëve të minierave të qymyrgurit të El Cerrjon, në Guajirën e Sipërme. Ende nuk i kishte filluar studimet e larta kur një shtëpi diskografike e kishte regjistruar albumin e saj të parë.

"Gjithmonë e kam ndjerë si diçka tejskajshmërisht të natyrshme dhe të domosdoshme krijimin, recitimin e poezive të dashurisë", më thotë Shakira. "Kur shkruaja hartimet shkollore gjithmonë kam marrë vlerësime shumë të larta. Nota shumë të mira kam pasur në të gjitha lëndët, përveç matematikës." Një gjë ajo nuk e pëlqente. Miqtë dhe prindërit e detyronin të këndonin në bashkimet e ndryshme familjare. "Parapëlqej të këndoj përpara një pafundësie njerëzish, por nuk mësohem dot të këndoj përpara vetëm katër pesë vetave që më shikojnë duke m'i ngulur sytë ndërkohë që unë luaj në kitarë dhe intepretoj."

Me fytyrën e një vajze të përkryer, të kthjellët, të dlirë e të çiltër dhe me pamjen që të jep idenë kundërthënëse të një qenieje delikate të brishtë, përkundër faktit që ajo është një qenie me energji të pashterëshme, ajo gjithmonë ka qenë e sigurtë se do të bëhet një personazh i famshëm, madje në rrafshin botëror. Nuk e dinte në cilën fushë do të shkëlqente, por ajo nuk kishte aspak dyshim se do t'ia arrinte. A thua se gjithçka ishte e shkruar në formën e një profecie. Dhe Shakira rendte në atë drejtim që e thërriste fati.

Sot ëndërra e saj është më e realizuar se kurrë. Muzika e Shakirës ka gjurmët personale të saj, ka tiparet e karakterit dhe të shpirtit të saj, çka e bën atë muzikë krejt të ndryshme nga të gjitha të tjerat. Askush në botë nuk është në gjendje të këndojë dhe të kërcejë me sensualitetin e saj, që duket sikur është shpikur nga ajo dhe që nuk mund ta përsërisë askush tjetër në botë, sepse është dhunti që i është dhënë një herë të vetme në jetë dikujt dhe ky dikush është vetëm Shakira. E vetmja që bën të ndjehet rehat në raport me vetveten është zotësia e saj për ta ndjerë vetminë në kushtet kur ajo ndodhet në mes të pafundësisë njerëzore.

Sapo hypën në skenë, çdo lloj frike zhduket. Edhe pse terrori i vërtetë është kur nuk ndjehesh ajo që je. "Ndjehem si një luaneshë në mes të pyllit." Skena është ajo hapësirë e vetme që ia ka dhënë Shakirës mundësinë e pakufi për ta treguar vetveten e vërtetë, për të treguar se kush është ajo realisht, se kush do të jetë ajo sa të jetë gjallë. Shakira është një shembull klasik i një force të natyrës në shërbim të një magjie tejet të hollë, tejet të përkryer. Pjesa më e madhe e këngëtarëve parapëlqen ta ketë dritën e skenës mbi fytyrat e tyre, në mënyrë që ta shmangin ballafaqimin e drejtpërdrejtë me turmat. Shakira, ndërkaq, parapëlqen saktësisht krejt të kundërtën. Ajo iu ka kërkuar teknikëve të saj të mos ia lëshojnë dritat mbi fytyrë, madje ato t'i lëshojnë mbi publikun, në mënyrë që ajo të ketë mundësi që t'i shikojë adhuruesit e saj, publikun e saj, që ta jetojë shpirtërisht gjithë koncertin, që të komunikojë shpirtërisht në të njëjat valë me publikun e vet, me çdo anëtar të tij.

"Komunikim total", kështu e përcakton Shakira këtë mënyrë komunikimi. Turma është e zonja t'ia transmetojë, t'ia përcjellë asaj një lloj bashkëpërfshirjeje të saj të cilën e ndjen në lëvizjet saktësisht të njëkohëshme të secilit të pranishëm, duke e frymëzuar këngëtaren dhe kjo duke e mbajtur peshë, si përpara duarve të saj, publikun. "Më pëlqen t'i shikoj në sy njerëzit kur këndoj për ta". Disa fytyra, të papara kurrnjëherë më parë, shkëputen nga masa e madhe njerëzore, të mbeten në mendje, a thua se i ke tashmë miqtë e tu të vjetër. Kur jemi këtu, te miqtë e vjetër të saj, duhet thënë pikërisht se, njëherë të pranuar në shpirtin e gjerë të Shakirës, ajo jeton përherë me ta. Dhe ajo ua përkushton shpirtërisht një koncert të tërë, apo koncerte të tëra. "Kam kënduar gjithë natën për filanin," thotë ajo, duke përmendur emrin e një miku të saj. Bëhet fjalë për mrekulli të fshehta që mund ta përfaqësojnë lavdinë, por edhe greminën e artistëve të mëdhenj.

Por ka diçka që të mrekullon në mënyrë tërësisht të veçantë në jetën e Shakirës. Ajo është shumëfishuar tek fëmijët. Shkollat janë shndërruar në klonacione masive të Shakirave, të cilat vishen, flasin dhe këndojnë si ajo. Kjo dukuri bëhet edhe më intriguese kur e vëren se prirja i ka prekur më shumë vajzat që janë aty nga mosha gjashtë vjeçe. Kopjet pirate të CD-ve të Shakirës janë shndërruar në monedhën aktuale të tregjeve të industrisë së riprodhimeve që shiten me çmime speciale tek dyert e shkollave. Zbukurimet që ajo përdor për flokët, rrethet e qafës, vëthët e veshëve përpihen sapo dalin në tregje.

Në tregje shiten me shumicë bojërat për të ndryshuar ngjyrën e gërshetave, sipas modës së kohës, të cilën e përcaktojnë ngjyrat që parapëlqen momentalisht Shakira. Heroine e shkollës është ajo që arrin e para në klasë me albumin e sapoblerë të Shakirës. Grupe të tëra bashkohen në shtëpi private dhe, ditë pas dite, mësojnë kërcimet e reja me të cilat Shakira shfaqet në skenat e tureve të reja të koncerteve. Ditëlindjet janë festat e Shakirës. Atje këndohet dhe kërcehet, fund e krye, repertori i Shakirës. 

Është vështirë sot të jesh ajo që është Shakira, por jo vetëm për gjeninë e saj apo vlerat e saj, por edhe për mrekullinë që përfaqëson për një pjekuri të pakonceptueshme për moshën e saj. Natyrisht, nuk është e lehtë të përftosh një alkimi të tillë krijuese, që shfaqet dje në gërshtetat e saj të zeza, tek të trëndafiltat e sotme, apo tek jeshilet e nesërme. Ka marrë kaq e kaq çmime, trofe, mirënjohje që pak midis kolegeve më të mëdha në moshë, mund të krahasohen me të. Kuptohet menjëherë se Shakira është sikurse ka ditur ajo vetë gjithmonë të jetë: gjithmonë inteligjente, gjithmonë e trembur, gjithmonë  e ndershme, gjithmonë llupëse, gjithmonë energjike, gjithmonë evazive. Barranquilase gjer në kockë, kudo që ajo ndodhet, prej reve dhe mjegullave të Olimpit të saj, ajo ëndërron "huevas de lisa" për të ngrënë në atë shtëpi me oxhakë të lartë, pikërisht përballë detit, të cilën ende nuk ka mundur të blejë, me një pejzazh me kuaj përpara dhe me shumë qetësi. Ajo i adhuron librat, i blen, i përkëdhel, por nuk e ka kohën e bollshme për të lexuar aq sa do të donte ajo. Ajo ndjehet mirë të ketë me vete miq, të cilëve t'ua japë lamtumirën e nxituar në aeroportet, edhe sepse e di mirë se nuk e ka të lehtë të kthehet për t'i parë.

Sa iu përket parave të fituara deri tani ajo thotë: "Kam më pak se thonë të tjerët dhe më shumë se them unë." Vendi ku asaj i pëlqen të dëgjojë muzikë është në një automobil të mbyllur. Atje dëgjon muzikë me zërin e ngritur në maksimum. Ajo pa shqetësuar askënd zhytet në tingujt e muzikës. "Është vendi ideal për të folur me Zotin, për të folur me veten time dhe për të kërkuar të kuptoj." Ajo hap zemrën dhe thotë se e urren televizonin dhe se kundërthënia e saj më e madhe është se beson në jetën e përjetëshme. Duke provuar, në të njëjtën kohë, terrorin nga vdekja, sepse vdekje do të thotë humbje e shqisave."

Ka pasur raste kur ajo ka arritur të japë mbi dyzet (40) intervista në një ditë, pa përsëritur asgjë nga njëra intervistë në tjetrën. Ajo i ka pikëpamjet e veta për artin, për jetën tokësore dhe për jetën e përjetëshme, për ekzistencën e Zotit, për dashurinë dhe për vdekjen. Duhet thënë këtu edhe se intervistuesit e saj, duke e ditur këtë gjë, e prekin pikërisht këtë temë në pyetjet që bëjnë. Ndërkohë që Shakira është specializuar në përgjigje të tipit të papërcaktuar, avazive, më të nevojshme për t'iu ikur përgjigjeve thelbësore se për të shfaqur pikëpamjet personale. Ajo hedh poshtë çdo ide sipas së cilës fama e saj është kalimtare dhe e përkohëshme dhe këmbënguljes se ajo, një kohë të caktuar, do të humbë zërin nga përdorimi i tepruar i tij. "Në mesin e ditës me diell të plotë, thotë ajo,"nuk dua të mendoj për perëndimin."

Gjithsesi specialistët e shikojnë një rrezik të tillë të pamundur, sepse zëri i saj ka një strukturë që është në gjendje të kapërcejë tepërimet. Shakira ka kënduar kur ka qenë me temperaturë. Ka kënduar duke qenë e tejlodhur. Por në asnjërin prej këtyre rasteve nuk ka shfaqur as shenjën më të vogël të dëmtimit të zërit. "Shqetësimi më i madh për çdo këngëtar," përsërit ajo me këmbëngulje dhe me zemërim në përfundim të një interviste, "është të ketë zgjedhur në jetë të bëjë muzikë dhe të mos ketë mundësi ta bëjë një gjë të tillë përditë. Dhe për këtë mund ta kenë fajin edhe intervistat."

Tema më e trajtuar në këngët e saj është dashuria. E lavdëron, e idealizon dashurinë dhe, në fakt, dashuria është shpirti dhe arsyeja e këngëve të saj. Por kur flet për dashurinë në rrafshin personal, e trajton me ironi. "E vërteta," thotë duke qeshur ëmbël,"është se kam më shumë frikë nga martesa se nga vdekja.". E pranon se ka pasur katër të fejuar të deklaruar dhe disa ë tjerë më pak të deklaruar. Rëndësi kanë pasur për të të dashurit që kanë pasur të njëjtën moshë me të, ata kanë ndikuar në pjekurinë e saj të veçantë. Përballë këngëtarit portorikan Oswaldo Rios, më i famshmi i të gjithëve, duket se ajo ka qenë më pak e pjekur. Shakira flet për të fejuarit dhe për të dashurit me dashuri, por pa vuajtje. Duket më shumë sikur flet për disa fantazma që, njëri pas tjetrit, kanë mbetur të palosur në raftet e dollapëve të saj. Nuk ka asgjë për t'u dëshpëruar, në shenjën e Akuariumit, në fillimshkurtin e ardhshëm, ajo mbush njëzet e shtatë vitet e saj të para. /Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

 

 


                                                                                             


Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

 

 

 

 

Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Tomas Shter Elioti, Poeti i Tokës, Ajrit, Ujit dhe Zjarrit (12.30.2008)
FRAZA POETIKE TË ARTUR REMBOSË (1854-1891 ) (12.21.2008)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]