VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
FJALA ËSHTË ANA TJETËR E HESHTJES, ZJARRI ËSHTË ANA TJETËR E AKULLIT Poezi nga PABLO NERUDA E Martë, 11.10.2009, 07:53am (GMT1)
1.SONTE MUND TË SHKRUAJ VARGJET MË TË TRISHTA NË BOTË
Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë. Të shkruaj, për shembull "Nata është plot me yje blu Që fërgëllojnë drithërueshëm atje larg." Era e natës vërtitet nëpër qiell dhe këndon.
Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë. Unë e kam dashur atë dhe ndonjëherë edhe ajo më ka dashur. Në netë si kjo unë e mbaja atë në krahët e mi. Unë e puthja atë pafundësisht nën qiellin e paskaj.
Unë e kam dashur atë dhe ndonjëherë edhe ajo më ka dashur. Si të mos i duash sytë e saj aq të mëdhenj. Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë. Të mendosh se nuk do ta kem më. Të ndjesh se e kam humbur përgjithnjë.
Si mund të mos i duash sytë e saj aq të mëdhenj. Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë. Të ndjej natën e paskajme, edhe më e paskajmë në mungesë të asaj. Dhe vargu bie në shpirtin tim si vesa mbi bar.
Pak rëndësi ka që dashuria ime nuk arriti ta mbante atë pranë meje. Kjo është e gjitha. Thellë nëpër natë dikush këndon. Larg meje. Shpirti im nuk pajtohet kurrë me humbjen e saj.
Shikimi im e kërkon atë, a thua se e merr përdore dhe ma sjell. Zemra ime e kërkon atë dhe ajo prapë nuk është me mua. E njëjta natë është që përndrit të njëjtët lisa. Ne të atëhershmit nuk jemi më ata që ishim dikur.
Unë nuk e dua më, kjo është e vërtetë, po sa shumë e kam dashur. Zëri im rendte nëpër erë për të prekur veshët e saj. E një tjetri. E një tjetri do të jetë ajo. Siç ishte para puthjeve të mia. Zëri i saj, trupi i saj burime drite. Sytë e saj të paanë.
Unë vërtetë nuk e dua më atë, por ndoshta e dua përsëri. Dashuria është kaq e shkurtër dhe harresa është kaq e gjatë. Ngaqë në netë si kjo unë e mbaja atë në krahët e mi Shpirti im nuk gjen paqe pse e humbi atë.
Qofshin këto dhimbjet e fundit që m'i shkakton ajo, Dhe këto qofshin vargjet e fundit që i shkruaj për të.
2.GOTA
Trupi yt i tërë përbëhet nga qelqi Dhe nga ëmbëlsia njerëzore e paracaktuar për mua Kur unë të prek me dorë, Kudo gjej një pëllumbeshë Që më shikon drejt e në sy, sikur Kanë krijuar për mua duar të vërteta në çdo gotë. Kanë krijuar gjunj, kraharorë Të cilët rrëkëllehen në mua Si në një tokë të etur Ku ato janë një formë E braktisur Dhe bashkë Ne jemi si një lum i tërë i vetëm Si një korrizë rëre në ranishtë.
3.TA DISH SE TË DUA DHE S'TË DUA
Ta dish se të dua dhe s'të dua Sepse jeta ka dy anë të së njëjtës monedhë Fjala është ana tjetër e heshtjes, Zjarri është ana tjetër e akullit. Unë të dua që të filloj të të dua, Për të rifilluar në pafundësi, Për të mos pushuar së dashuri ty kurrë : Për këtë arsye, ende nuk të dua. Të dua dhe s'të dua, sikur të kisha Në duart e mia çelësat e gëzimit Dhe të një fati të turbullt të lig. Dashuria ime ka dy jetë për të të dashur ty. Kjo është arsyeja pse të dua kur të dua Kjo është aryeja pse nuk të dua kur nuk të dua.
4.DY TË DASHURUAR TË LUMTUR
Dy të dashuruar të lumtur përbëjnë një bukë të vetme, Një pikë të vetme hënë në bar, Lëshojnë dy hije që bashkohen në një, Lëshojnë një diell të vetëm në një shtrat. Nga dy të vërtetat do të merrja ditën: Nuk të vret me rreze, por me aromat Dhe nuk e lëndon paqen dhe as fjalët. Lumturia është një kullë e tejpashme. Ajri dhe vera janë kudo me të dy të dashurit, U dhuron nata petalet e saj të lumtura, Të gjithë karafilët iu përkasin atyre. Dy të dashuruarit e lumtur nuk kanë mbarim as vdekje, Lindin dhe vdesin duke jetuar shumë herë, Kanë përjetësinë e natyrës.
5.NËSE TI MË HARRON "Dua të dish Një gjë. Ti di si është harresa: Të vjeshtës së ngadaltë në dritaren time Nëse prek pranë zjarrit Hirin e hollë Apo trupin e shëmtuar të drurit Gjithçka më sjell drejt teje; Drejt ishujve të tu që më presin. Epo mirë, Edhe unë pak nga pak pushoj së dashuruari ty. Nëse papritur pakujtuar Më harron, Atëherë mos më kërko, Nëse e konsideron të pafund e të çmendur E jetës sime E ti vendos të më lësh në breglumin E zemrës ku zhyten rrënjët, Mendo Se në atë ditë, Në atë orë, Do të ngre krahun tim Dhe do të çrrënjos rrënjët e mia Në kërkim të një toke të re. Por nëse përditë e përorë Ndjen se më përket mua Me ëmbëlsinë e pashtershme. Një lule në buzët e tua për të më kërkuar, Brenda meje gjithë zjarr përsëritet, Në mua asgjë nuk shuhet as harrohet, Dashuria ime ushqehet nga dashuria jote, e dashur, E derisa ti të jetosh dashuria do të jetë midis krahëve të tua Pa u larguar asnjë çast nga krahët e mi."
Kjo është e sotme: e gjithë e djeshmja bie rrëmujshëm Brenda gishtit të dritës dhe syve të ëndërrës E nesërmja do të vijë me hapa të gjelbër: Askush nuk e ndal dot lumin e duarve të tua, Je drithërima e kohës që përshkon Dritën vertikale dhe diellin e errët, Dhe qielli mbyllet mbi flatrat e tij Duke të sjellë në krahët e mi Me saktësi, me mirëpritje misterioze. Prandaj unë këndoj për ditën dhe hënën, Për detin, për kohën, për të gjitha planetet, Për zërin tënd prej dite dhe trupin tënd prej nate.
7.TI I KËNDON DIELLIT DHE QIELLIT
Ti i këndon diellit dhe e qarkon me këngën tënde Zëri yt numron kokrrat e drithit të ditës, Flasin pishat me gjuhën e tyre të gjelbër: Ligjërojnë të gjithë për Zogun e Dimrit. Deti zbraz kantinat e tij të hapave, Të kambanave, të zinxhirëve dhe të rënkimeve, Trokëllijnë metalet dhe pajimet, Kumbojnë qerret e karvaneve. Zëri yt me fluturimin dhe saktësinë e shigjetës, Zbret zëri yt me gravitetin e shiut, Zëri yt shpërvjel shpatën e madhërishme, Zëri yt rikthehet ngarkuar me vjollca Dhe më shoqëron rrugës për në qiell.
I shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ
Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |