VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JEPTE UJË CICRIMËS SË NATËS dhe NGA NJË BOTË TJETËR
Nga ADEM ZAPLLUZHA, dy tregime poetike nga libri “Fjetëm njëqind shekuj”

E Martë, 04.08.2014, 01:10pm (GMT1)


JEPTE UJË CICRIMËS SË NATËS
    
   Si zëri i trishtuar i erës dëgjohej krakëllima e natës. Një kumri që sapo kishte lënë vezët në degët e thyera të akacies, fluturoi prej një dege në degën tjetër të kujtesës.
       Fluturoi dhe kurrë më nuk u kthye te varret e të parëve për tu takuar me arkivolet e ngjyrosura dhe me kryqet e drunjta me ngjyrë bajameje
       Kjo gërnetë e vjetur nëpër xhepat e mjegullave i ruan historitë e vjetra të nuseve që i pritnin burrat të kthehen nga luftërat, kurse gjatë pritjeve i përqafonin sërish arkivolet e ftohte, si krongjij akujsh.
       Nata në qetësi i këndonte lirikat e të gjitha këngëve të kënduara dhe të atyre që s'u kënduan asnjëherë te baladat e ngrira.
      Mbaj mend frymëmarrjen e kavallit dhe me një mallëngjim të pashoq i përcillte tingujt e një melosi që dilnin nga vrimat e mbytura të shpirtit të erës.
      Një qilimi mbante në dorë shaminë e mjegullave dhe ua fshinte djersët e rrapeve, ua fshinte ballët e ofshante si një nënë plakë duke pritur arkivolin në një zarf të kaltër të nipit ushtar.  
     Ofshamat kishin një ngjyrë të tejdukshëm, mbyteshin në thellësinë e sterrës ose i përngjanin hijeve si dhe mallkimeve që rrinin mbi një gurë stralli dhe i shikonin fluturimet e korbave  duke laracuar vija të zeza nëpër ajrin e boshatisur të vjeshtës e cila qante tok me erën.
      Qanin edhe shirat e verdha, vajtonin fatin e plepave të zhveshur. Në pamjen e parë kur lëshoheshin perdet e teatrove dilnin imazhet e tingujve që përsëriteshin kohë pas kohe,
dhe sërish zhdukeshin te mjegullat e turbullta kur na i vritnin netët e përgjumura pranë gjetheve plepave të rrëzuara.
       Një bareshë i kërkonte kërrabëzat mbi një dunë prej kashte, i kërkonte edhe në sytë e breshkave të moshuara thurte kangjele prej telave të metalte të flokëve të hënës.   
       Diku te majat e lisave lozte një fyell një këngë prej bryme, nga dehjet e gjetheve i shkundnin përparëset e yjeve.
       Një zog i vetmuar te shevarët i jepte ujë cicërimës së natës dhe qante si një kërthi që posa i ka hapur sytë e zgërlaqtë të gjetheve, qante dhe mallkonte ngrohtësinë e lotit, mallkonte ndoshta lindjen e një balade që kurrë nuk do të përfundojë...


 NGA NJË BOTË TJETËR

     Një njëri me pallto të veshur mbrapsht kalonte tej rrugës duke i shikuar vitrinat e boshatisura nga shpirtrat e kukullave.
     Ecte duke iu pulitur sytë në drejtim të burimeve të  shirave, shikonte në një pikë të imagjinuar në muret e kalasë.
      Ishte një kohë tejet e brymtë, mjegullat shkundeshin mbi shpatullat e kishës së Shën... po ku ta dimë tani se kush ishte ai i shenjtë që ndërtoi këtu një kishë dhe iku tej përtejmes, iku dhe kurrë më nuk u kthye, t'i fshinte lotët e ikonave që i përngjajnë shirave të atdheut tim.
   Mbi mjegullat e dendura fluturonin korbat e një bote tjetër, vinin e shkonin disa lloje thneglash, thua se nuk mund të zinin një copë vend nën këtë diell që shndriste  për çdo kë barabartë.
         Një qen i zgjebosur ka zënë e u leh yjeve që këputen nga degët e thyera të reve, lehjet e pakontrolluara thua se dalin nga thellësitë e tokës dhe i sulmojnë milingonat që kërkojnë shpëtim pas kornizave të fotografive të vjetra.
    Nën sfondin e mjegullave ulërijnë lukunitë e mendjes , këto ulërima po u përngjajnë hukamave të disa njerëzve kur na përzunë nga vetëdija e jonë dhen mbetëm rrugëve të botës si fëmijët bonjak, dhe kurrë më askush nuk pat që të na ledhatoi flokët e lagura prej shirave të brymta të stinëve.
        Atë ditë feste kishte filluar të binte  një lloj shiu që i përngjante lotëve, mbase qante edhe qielli, qanin kalldrëmet, çdo gjë dukej se po shndërrohej në vajë.
   Një kohë të gjatë, nuk morëm frymë, jashtë memories së lisit myku i mundonte gjethet e fishkura të vjeshtës, një duhmë prej gjetheve i përngjante kalbësisë së eshtrave.
         Nga kujtesa e jonë doli në rrah një dorë e uruar dhe na zuri për krahu të na qonte kush e di se ku, ne iu dorëzuam asaj, ajo ishte e vetmja shpresë e jona të cilës mund t'i besonim.
        Hyri në mjegull , ne menduam se nuk do na sheh askush më, ashtu nëpër grykat e dunave të trishtuara na udhëhiqte deri në pafundësi, kurse pafundësia me të vërtet ishte i pafund, askund nuk shkuam , e askund as nuk mbërrimë.
      Mbetëm në mjegull si zogjtë e egër, pa asnjë shteg ku mund të shpëtonim, pa fije shprese filluam të kërkojmë ndihmë prej yjeve që na dukeshin aq afër sa që i preknim me dorë.
      Më kujtohet si sot se si frynte një erë e çmendur nëpër flokët e thinjura të plakave dhe të pleqve, frynte dhe nuk ndalej, na i zhvishte këmishët nga trupi dhe shpirti i jonë i plagosur, frynte e frynte një erë e çmendur nga kokat e zgjebosura të fqinjëve tanë.
       Një kohë të gjatë macja e zezë hamendej nën sofër, ku ishin ulur njerëzit me këmbë të djersitur, pas së cilës këmbë të vërsulej, minjtë e bardhë fare nuk e qanin kokën se a do të ketë sot shi apo mjegull, nuk u interesonte as fluturimi i korbave e as krakëllima e ditës, asgjë nuk u interesin minjve të bardhë.
       Kurse tek rrënjët e malit një erë e mykur dergjej me qindra vite, lisat e djersitur vuanin nga kolla e keqe.
       Në tokën tonë nuk pushonte troku i çmendur i luftës ashtu siç nuk pushonin as edhe hingëllimat e përroit të thinjur, nuk pushonin as këputjet e meteorëve me bisht, në atdheun tim erërat kishin filluar t'i ndërrojnë kahet e qepenave të drunjtë dhe frynin nëpër katër anët e mendjes së frikësuar,frynin e frynin si nëpër kafka njerëzish atje te molla e kuqe...


ADEM ZAPLLUZHA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.