VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NDALO,PRA,MOS VALLËZO ME NGUTJE,KOHA ËSHTË E PAKËT, MUZIKA NUK ZGJAT SHUMË Poezi nga JORGE LUIS BORGES E Premte, 11.20.2009, 01:53pm (GMT1)
DASHURIA Na ishte njëherë një ishull ku jetonin të gjitha ndjenjat dhe vlerat e njerëzve: Gazmendi, Zymtësia, Dituria, sikurse të gjitha të tjerat, përfshirë Dashurinë. Një ditë iu bë e ditur ndjenjave se ishulli do të shpërngulej, Atëherë ato të gjitha përgatitën varkat e tyre dhe u nisën, Vetëm Dashuria donte të priste deri në çastin e fundit. Kur ishulli përfundoi së shpërnguluri, Dashuria vendosi të kërkojë ndihmë. Pasuria kaloi pranë Dashurisë me një barkë tejet luksoze Dhe Dashuria i tha: "Pasuri, a më merr me vete?" "Nuk mundem, ka shumë ar e argjend në varkën time e nuk ka vend për ty." Dashuria atëherë vendosi t'i kërkojë Krenarisë që po kalonte pranë Mbi një anije të mrekullueshme: "Krenari, të lutem, më merr me vete?". "Nuk të ndihmoj dot, Dashuri," u përgjigj Krenaria, "Këtu është gjithçka e përkryer, mund të ma dëmtosh varkën time." Atëherë Dashuria i kërkoi Zymtësisë që kalonte pranë saj: "Zymtësi, të lutem, lermë të vij me ty." "Oh Dashuri," iu përgjigj Zymtësia, "Jam kaq e trishtë dhe kam nevojë të rri vetëm." Edhe Gazmendi kaloi përbri Dashurisë, Por ishte shumë i kënaqur që nuk dëgjonte se dikush po e thërriste. Papritur e pakujtuar një zë tha: "Eja, Dashuri, të marr unë me vete." Ishte një plakë ajo që fliste. Dashuria u ndje pa masë mirënjohëse dhe plot gëzim Saqë harroi ta pyeste plakën si e kishte emrin. Kur arritën në breg, plaka shkoi në punë të vet. Dashurisë i ra ndërmend se duhej pyetur Dituria: "Dituri, a mund të më thuash, kush më ka ndihmuar?". "Ka qenë Koha," tha Dituria. "Koha?"- pyeti Dashuria, "Pse vallë më ka ndihmuar Koha?". Dituria, plot mençuri, iu përgjigj: "Sepse vetëm Koha është e zonja të kuptojë sa rëndësi ka Dashuria në jetë." LUMTURIA Ai burrë që përqafon një grua është Adami. Gruaja është Eva. Gjithçka ndodh për herë të parë. Çfarë mund të bëj me një fjalë dhe me një mitologji? Lisat më frikësojnë. Janë kaq të bukur. Kafshët e qeta më afrohen, sepse i thërras me emrat e tyre. ELEGJI Oh çfarë fati për Borhesin Të ketë lundruar përmes deteve të ndryshme të botës Ose përmes një deti të vetëm e vetmor me emra të ndryshëm. Të ketë qenë pjesë e Edinburgut, e Zyrihut, e dy Kordovave, E Kolumbisë dhe e Teksasit, Në tokat e lashta të të parëve të tij, Në Andaluzi, në Portugali dhe në ato rajone Ku Saksoni luftoi kundër Danes dhe ata përzien gjakun e tyre, Të jem sorollatur përmes qerthullit të kuq e të qetë të Londrës, Të jem plakur në aq shumë pasqyra, Të kem kërkuar më kot vështrimin e mermertë të statujave, Të kem parë gjërat që njerëzi shikojnë, Vdekjen, agimin e plogët, bimët Dhe yjet e dobët. Dhe të mos kem parë asgjë, thuajse asgjë Përveç fytyrës së një vajze nga Buenos Airesi Një fytyrë e cila nuk dëshiron që dikush ta kujtojë. PARAJA Mund ta blesh një shtëpi, por jo një vatër. Mund ta blesh një shtrat, por jo gjumin. Mund ta blesh një orë, por jo kohën. Mund ta blesh një libër, por jo diturinë. Mund ta blesh një post, por jo respektin. Mund ta blesh mjekun, por jo shëndetin. Mund ta blesh shpirtin, po jo jetën. Mund ta blesh trupin, por jo dashurinë. MALLI PËR TË TASHMEN Në atë çast të pikërishëm burri asaj i tha : Që të rri ngjitur me ty këtu në Islandë Nën ditën e madhe që bën vendnumëro E ta ndajmë bashkë të tanishmen Sikurse e ndajmë bashkë muzikën Apo siç e ndajmë bashkë një frut. Në atë çast të pikërishëm Burri qëndronte pranë saj në Islandë.
VALLE E NGADALËT A i ke parë ndonjëherë fëmijët duke luajtur? Vallë a e ke dëgjuar tiktakun e shiut? A e ke ndjekur ndonjëherë fluturimin e një fluture? Vallë a e ke vështruar perëndimin e diellit? Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje. Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë. Çdo ditë e jeton gjithmonë duke rendur? Kur pyet veten kush je, a e dëgjon përgjigjen tënde? Kur dita mbaron shtrihesh në shtrat apo zhytesh në mijëra mendime? Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje. Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë. Ditët e tua rrjedhin shfrenueshëm? A i ke thënë ndonjëherë fëmijës tënd "e bëjmë nesër" Dhe në kotësinë tënde nuk e ke parë trishtimin? Nganjëherë për mungesë mirësjelljeje a e ke lënë një mik të dashur Të ketë vdekur pa e thirrur dhe pa i thënë lamtumirë? Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje. Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë. Kur ti rend tepër me ngutje për të arritur çfarëdo vendi, Ti humb gjysmën e zbavitjes për të arritur atje. Nëse je i shqetësuar, nëse rend gjithë ditën e lume Është njëlloj si të hedhësh jetën tënde në koshin e plehrave. Jeta është një rendje, por do jetuar dhe përjetuar me qetësi. Dëgjoje muzikën përpara se kënga të ketë mbaruar. ARGUMENTUM ORNITHOLOGICUM Mbyll sytë dhe shikoj një vrundull me zogj. Përfytyrimi zgjat një sekondë a më pak; Nuk e di sa zogj kam parë. Ishin të numërueshëm apo të panumërueshëm zogjtë? Problemi na çon te ekzistenca e Zotit. Nëse Zoti ekziston, zogjtë janë të numërueshëm, Sepse Zoti e di sa zogj ishin. Nëse Zoti nuk ekziston, zogjtë janë të panumërueshëm, Sepse askush nuk mund t'i numërojë zogjtë. Në një rast të tillë, kam parë më pak se dhjetë zogj (për shembull) e më shumë se një zog, Por nuk i kam parë nëntë, as tetë, as shatë, as gjashtë As pesë, as katër, as tre, as dy. Kam parë një numër zogjsh midis dhjetë dhe një, E që nuk janë as nëntë, as tetë, as shtatë, as gjashtë, as pesë e kështu me radhë. Ky numër i tërë është i pakonceptueshëm; Pra, Zoti ekziston. ARI I TIGRAVE 1)Borhes i referohet poezisë së famshme të poetit William Blake (1756-1827) I Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |