VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
POEZI ME RASTIN E 14 PRILLIT TË VETËVRASJES SË MAJAKOVSKIT I përktheu: FASLLI HALITI E Martë, 04.15.2014, 10:36am (GMT1) Vladimir Majakovskij 1893-1930 SERGEJ ESENINIT Ju ikët, siç thuhet, në tjetër botë. Zbrazdësia... Fluturoni, duke çarë nëpër yje. Pa një paradhënie pa libacione. Thjeshtësi. Jo, Esenin, kjo nuk është përqeshje,- në fyt kam një lëmsh ndëshkimi, jo ngërdheshje. Shoh që me dorën e prerë, duke nguruar, ju tundni thesin e kockave tuaja. Mjaft, pushoni! Jeni i marrë apo si? Të lini veten t'ju zbardhen faqet nga shkumësi mortor? Pikërisht ju që dinit të harbonit, si asnjë tjetër në këtë botë. Përse, për ç'qëllim? Pasiguria ka provokuar rrëmujë. Kritikët mërmërisin: «Shkaqet janë këto dhe ato dhe veçanërisht vëllazërimi i dobët si pasojë e konsumimit të tepërt të birrës dhe verës Thuhet se po të kishit zëvendësuar bohemën me klasën, klasa do të kishte ndikuar mbi ju dhe ju s'do të ishit kacafytur më. Vërtet, sikur klasa ta shuante etjen me «kvas». Klasa, dhe ajo nuk bën shaka në të pirë. Thuhet se po t'ju vinin pranë dikë «Na postù», do të ishit bërë shumë më i zoti në kuptimin: që ju qindra vargje të mërzitshëm dhe të zvargur si Doronini, do të kishit shkruar në ditë, Por, për mendimin tim, po të ndodhte një mospërputhje e tillë, ju do ta kishit vrarë veten që më parë. Në fakt, më mirë të vdesësh nga votka se sa nga mërzia! Neve nuk do na i tregojnë shkaqet e humbjes as lakun, as briskun. Mbase, po të kishte pasur bojë një shishe atje në «Angleterre», s'do të kishit pasur arsye të prisnit venat. Epigonet u gjallëruan: «Ta imitojmë!» Pak u desh që një grup prej tyre të mos bënte gjë tjetër veçse vetëgjykimin. Po pse të shtohet numri i vetëvrasjeve? Më mirë të rritet prodhimi i bojës së shkrimit ! Tani, gjuha përgjithmonë, është kyçur midis dhëmbëve. Është e kotë dhe e dhimbshme të krijosh mistere. Populli, krijuesi i gjuhës, ka humbur shegertins oshëtitës pijanec. Dhe dikush sjell fragmente vargjesh në përshpirtje funeralesh të mëparme, gati pa i bërë rishmëzi. Në varr ngulin hunj me rima shurdhane,- pse kështu duhet nderuar një poet? Për ju nuk kanë derdhur deri tani asnjë monument -ku është bronzi kumbues apo graniti ?- dhe dyerve të kujtesës, tashmë, pak nga pak kanë grumbulluar shiritat me kushtime dhe kujtime. Emri juaj në shamira është qurrosur, Sabinovi përjagte fjalën tuaj dhe këndon nën zë nën një mështenkëz të brishtë : «O miku im, asnjë fjalë as një nga- a a shërim.» Eh, të mund të diskutoja më ndryshe me atë Leonid Lohengriniçin! Të mund të bëja këtu, kacafytje tonante: «Nuk ju lejoj t'i degjeneroni vargjet e mi!» Të mund t'i shurdhoja me një fërshëllimë me tre gishta kundër gjyshes dhe Zotit, nënës, shpirtit! Që të shpërndahet turma e pazonja, duke fryrë si vela një re xhaketash, që i shkëputur Kogani përvidhet duke sakatuar kalimtarët me shtizat e mustaqeve. Deri tani Llumi është rralluar pak. E shumtë është puna, duhet bërë në kohë. Në fillim Duhet ndryshuar jeta dhe e ndryshuar do të mund të glorifikohet. Kjo epokë është e vështirë për penën. Por thomëni ju, topallë dhe topalle, ku, kur, cili i madh ka zgjedhur një rrugë më të rrahur dhe më të lehtë? Fjala është lidere e forcës njerëzore. Marsh! Që koha të shpërthejë pas nesh si një pyll predhash. Kohëve të vjetra era të risjellë vetëm një lëmsh flokësh. Për argëtimin planeti ynë është pak i pajisur. Duhet t'ua shkëpusim gëzimin ditëve të ardhme. Në këtë jetë nuk është e vështirë të vdesësh. Të jetosh është shumë më e vështirë. 1926 Majakovski, siç dihet, nuk iu qëndroi besnik këtyre fjalëve dhe, ia hoqi vetes dhe ai, më 14 prill 1930. PËR MASHTRUESIN Lavdi, lavdi, lavdi heronjve !!! Megjithatë, ua kemi dhënë atyre dekoratat që iu takojnë. Tani do të flasim për mashtruesin. U qetësuan stuhitë e gjinjve revolucionare. U mbulua me baltë çorba sovjetike. Dhe rrëshqiti jashtë nga pas RSFSR turiri i mikroborgjezit. (Ju nuk do dëshironi të më kapni në fjalë, unë s'jam aspak kundër shtresës borgjeze. Borgjezucëve pa dallim klasash dhe kastash,- iu jap panegjirikun tim.) Nga gjithë fushat e pafundme ruse që nga dita e lindjes sovjetike u derdhën, duke ndërruar me shpejtësi puplat për t'u instaluar në të gjitha institucionet. Me prapanicat gjithë kallo nga pesë vite inerci, të forta si lavamane, jetojnë ende më të qetë se uji. Mobiluan sallone dhe dhoma të rehatshme gjumi Dhe në mbrëmje, ky apo ai horr duke parë gruan që studion në piano, i rraskapitur nga afshi i samovarit: thotë: ''Shoqja Nadja ! Për festë na takon një shtesë: 24 mijë, sipas normës. Eh, do të blej një palë pantallona nga Oqeani Paqësor, dua të përgjoj nga pantallonat si një gumë koralore!» Nadja nga ana e saj: ''Dhe unë, fustane me emblema. Pa drapër dhe çekan s'mund të dalësh në popull! Me ç'fustan do të dal sot në ballon e Revoensovjetit ?!'' Në mur Marksi. Korniza e fotografisë e kuqe. Strukur mbi Izvestja ngrohet maçoku i rrëgjuar. Dhe nën tavan cicërin kanarina e egërsuar. Marksi nga muri vështron gjatë... dhe papritmas hap gojën e nis të bërtasë: «E koklaviti revolucionin kurdisja e filistinizmit. Më i tmerrshëm se Vrangeli është zakoni borgjez. Përdridhjani qafën kanarinave shpejt, që komunizmi nga kanarinat të mos vdesë ! »' 1921 Përktheu: FASLLI HALITI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |