VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

'TRIBUNARËT'
Prozë nga QERIM SKËNDERAJ

E Enjte, 04.17.2014, 09:26am (GMT1)




Shkrimtari më i njohur i vendit për të gjitha kohët. Fama e tij kish kapërcyer male, dete e kontinente. I botuar në të gjitha gjuhët kryesore të botës. Kishte vite që ishte shumë pranë çmimit më të lartë botëror.

Televizioni lokal njoftoi për një takim të tij me lexuesit e qytetit tonë, të nesërmen në mbrëmje. Nuk më habiti aspak fakti që unë, duke qënë në krye të shoqërisë së shkrimtarëve të rrethit, të mos kisha dijeni për takimin. Atë vit gjallonin shumë shoqëri të tilla, të njohura nga ligji si shoqata që mbulonin fusha të ndryshme të shoqërisë civile. Ato shfaqeshin çdo ditë në television me lloj lloj programesh të "guximshme" që nuk u besonin as vetë. E mendova normale që secila prej tyre të kish marrë iniciativën për këtë takim. Njëherësh mendova se kjo mund të ishte edhe iniciativa e vetë shkrimtarit për të komunikuar drejtpërdrejt me lexuesit e tij të shumtë, që si kudo edhe në qytetin tonë e prisnin gojëhapur. I gëzuar sa s'ka, planëzova kohën që në orën e caktuar të isha atje.

Mbrrita dhjetë minuta përpara takimit. Salla e Teatrit në qendër te qytetit ishte mbushur skajshëm. Në sheshin përpara derës pash shkrimtarin të rrethuar nga pushtetarë, partiakë, kryetarë shoqatash dhe admirues të shumtë. U drejtova për atje si një nxënës i etur të dëgjoja bukurinë e shprehjes së më të madhit. Pa mbrritur mirë u përballa me një breshër pyetjesh që më kërkonin llogari për shfaqjen time të vonuar: "Ku ishe?", "Ku ke humbur?", "Pse kaq vonë?", "Ti duhej të ishe i pari!", etj. Ishte një "sulm" i pakuptimtë që po më dukej shumë qesharak. Nuk më dhanë mundësinë as të takohesha me idhullin tim, të cilin e kisha kaq pranë për herë të parë.Të gjitha pyetjet e vrejtjet e tyre i përmblodha në një përgjigje të vetme: "Erdha si lexues."

Funksionari më i lartë i qytetit më "urdhëroi" t'i udhëhiqja drejt tribunës ku ishte vendosur vetëm një mikrofon dhe dy rreshta të gjatë karrigesh. Ashtu u bë. Unë u nisa i pari, pas meje shkrimtari i famshëm dhe pas tij një varg shumë i gjatë, që mezi e mbylli edhe gjatësia e sallës së madhe. Kur mbrrita te shkallët e tribunës u shmanga pak dhe i hapa rrugën shkrimtarit. Bëra shenjë me dorë që Ai të vazhdonte dhe i thash: "Tribuna është për ju."

Ndërsa "tribunarët" nguteshin të sistemoheshin sa më pranë FAMËS, unë kisha zënë vendin tim në radhën e parë të sallës, pranë gazetarit më të njohur të qytetit.
-Po ju, pse nuk u ngjitët në tribunë?, - më pyeti.
-Nga që mendoj se Ai s'ka nevojë ta prezantojnë.
-Humbët shansin për të pasur një foto së bashku. Kamerat dhe aparatet fotografik nuk fiksojne vetëm portretin e tij.
Gazetari kishte të drejtë. Fytyra ime nuk u shfaq as në lajmet e mbrëmjes, as në gazetat e ditës së nesërme. Edhe sot e kësaj dite nuk e kam një foto me shkrimtarin e famshëm. Kështu jam unë. Më mungon aftësia e të afishuarit...

QERIM SKËNDERAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.