VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË ALARM ËNDËRRASH
Cikël poetik nga QAZIM SHEHU

E Enjte, 04.17.2014, 02:02pm (GMT1)




VERIFIKIM

Më duhet të shpik,
Një fytyrë tjetër qe nuk e kam,
Prej vetes të ik,
Manikin me shafran.
Në tekë ëndrrash, mekanizëm diabolik,
Krah palloi mbi një trup korbi,
Eci gjithnjë dhe kur ik,
Kthej kokën...fytyra e parë s`më kujtohet...
Mbetem lumë qe fluturoi prej rrjedhës,
Shtratin la të thahet pa mëshirë,
Kohë me reshje që shkatërroi të mbjellat,
Vërtet ç`jam... thojeni ju më mirë...


PALIMPSEST

Mbas sa viteve e dashur... sytë e tu të shkruar i vura re,
Mendova se i kishe të zinj ose gështenjë.
Tani është e kotë, kur e di mirë se sy më ti s`ke.
Kaq shumë shkroi mbi të bari, shkroi e ngjyrosi,
Një dashuri tjetër e djegur,
Gëzimet, trishtimet, mungesat me epsh,
Sa u kthyen në palimpsest.

ORA

Zgjohet ora budallaqe,
Fosforin natës ia dha,
Për ëndrrat e ngrata,
Dritë dha për ta.
Në alarm ëndrrash tingëllin,
Zilen e vet hutaqe.
Na zgjon të çojmë dashurinë,
Në një ditë që sec, me pak ecje.

ZONJAT

Mëria e flaktë e agimit,
U mjaltos nga një dëshirë.
Prangat e zhgjimit ranë si brilantë,
Nga duar zonjash në shtrat shtrirë.
Si ti ngresh këto zonja nga shtriti,
Në shkrirjen e ëndrrave të vrara,
Kur burra të tjerë u pruri fati,
Dashuri të tjera jeta u sjell përpara.
Mëri e flaktë e agimit,
Mjaltit të dëshirës pak nga pak,
I hedh ca pika pelini,
Para se të ngrihen nga i zjarrti shtrat.

PEMA

Fjalët më të zjarrta në lëkurë pemësh,
Shpesh janë shkruar,
Hija e pritjes në letër,
Një shteg për fjalën tjetër ka liruar.
Që atëhere pemët dhanë jetën,
Për letrën që u nxi me lot,
Duke mbajtur fjalën më të bukur për vete,
Gjelbërimin që s`e shpreh dot..

QAZIM SHEHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.