VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

QENTË E RRUGËS
Poemth nga FASLLI HALITI

E Enjte, 04.17.2014, 08:57pm (GMT1)



     Qentë e rrugës
I ushqen
Rruga.
Kazanët e plehrave
Janë supermerkatat e tyre,
Rrugët si kuzhiniere të mira s'i lenë pa kocka,
Plehrat s'i lënë pa rropulli qengjash gjithë blegërima,
Gjithë rropulli e koka pulash të therura që kakarisin
Si me ulurima.


Nata s'i lë ata pa hotel, jo me pesë,
Por me hotele luksozë me  një mijëra yje,
Si dyshekë «Dormeo», u shtron muzgu, klintëve qen,
Abazhuri i hënës dhe llambushkat e yjeve nuk i lenë ata pa dritë
     Mbrëmja i mbulon ata me çarçafë të endur me rreze hënore
     Nata nuk ua shuan e yjet,
     Por i lë çelura llambat e yjeve, si luleborë.  

      Qentë e rrugës
E sigurojnë
Bukën.
Me forcat e veta,
Edhe pse s'mbjellin,
Edhe pse s'e korrin, s'e bluajnë vetë bereqetin,
Edhe pse nuk e gatuajn vetë asnjë ditë,
Edhe pse asnjë ditë s'e pjekin.

Qentë e rrugës
Nuk kanë brigadierë
Nuk kanë shefa, drejtorë,
S'kanë axhendë, ditar, orar, nxitim për në punë.
Sepse punë ata kanë vetëm të ngrënët.

S'ka  mëngjes,
Drekë.
S'ka darkë për ta.
Ata hanë ku gjejnë për të ngrënë,
Bëjnë dashuri në mes të rrugës lirisht,
Dhe bëjnë orgjira fare pa droje,
Pa turp, pa frikë,
Njerëzit qeshin me dashurinë e qenëve,
Por ata dëfrejnë natë edhe ditë qytetarisht.

     Qentë e rrugës
Nuk kanë kartë identiteti,
As pasaportë biometrike nuk kanë,
Ata lëvizin rrugëve të botës pa vizë Shengen,
Këlyshët as nuk ia dinë emrin as nuk e njohin babanë.
Qentë e rrugës nuk i njohin ligjet
As gjykohen me ligj.
Ata i vret kushdo
Me gurë   
Kushdo i mbyt.
I  vret Bashkia me çifte, pa gjyq.


Varri i tyre
Është rruga,
Puseta, gjirizi, gropa, hendeku, kanali
Arkivolet e tyre janë kazanët e plehrave,
Mbuluar me tapete mëngjesesh ngjyrë portokalli.





Qentë e rrugës janë egërsisht të egër
Ushtrojnë ende diktaturën
Ende ushtrojnë
Luftën e Klasave ndaj koneve
Qenushve të snobëve, zotërinjve
Që ushqehen me konserva sardelesh
Që shetisin me «Jaguar» luksoz shesheve tona,
Siç shëtisnin bejlurçina dikur me kuaj të bardhë shale.
Me «Limuzina», pajtona...
      
Por edhe pse të egër
Qentë e rrugës tmerrohen,
Terrorizohen ata
Mizorisht.
I terrorizon uria e zezë  
Çdo orë, çdo javë, çdo muaj, çdo ditë...



Gusht, 2011
FASLLI HALITI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.