E Premte, 03.29.2024, 04:24pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
SYTË E HOMERIT
Prozë nga QERIM SKËNDERAJ

E Shtunë, 04.19.2014, 08:05am (GMT+1)


Ndërsa mësuesi po fliste për Homerin, Blerimi hapi tekstin mësimor në atë faqe. I tërhoqi vëmendjen busti i autorit. Iu duk si një statujë e gjallë me sy të vdekur. Buzëqeshi me arsyetimin e tij dhe ktheu kokën nga shoku i bankës. Ky i ra me brryl. Mësuesi u tërhoqi vëmendjen me sy.

Që atë ditë, Homeri iu skalit në tru, si diçka që nuk do të largohej më. Bënte pjesë në ato gjëra që nuk i harron dot. Nuk ishte, se ai, e përtypi mirë që në fillim jetën dhe veprën e tij. Përkundrazi. I erdhi si një gjë e rëndë, e ngatërruar, filozofike dhe mbi të gjitha jashtëzakonisht e largët. Kishte diçka shumë të mundimshme në vargjet e gjatë të veprës së tij, diçka të lodhshme, mistike, por gjithësesi tërheqëse.. Ishte një mundim që të mbante lidhur pas vargjeve edhe kur nuk kuptoje asgjë. Sa herë që e lexonte, "busti i gjallë me sy të vdekur" nuk i shqitej nga përfytyrimi. Herë i shfaqej në tokë e herë në ajër. Merrte formën e personazheve të tij.

Blerim Mustafaraj ishte bërë, tashmë, skllav i "qorrit". E kishte me vete kudo që shkonte. Një mbrëmje, buzë shuarjes së plotë të dritës së një dite të nxehtë korriku, iu shfaqën sytë pa dritë të poetit të lashtë dhe nisi të meditoj: "Kishin qënë vërtetë pa dritë, apo i dukeshin atij të tillë?! Po pse duhej ti mendonte pa dritë? Në fund të fundit busti ishte vepër e skulptorit. Një skulptori që mund ta ketë ndërtuar me imagjinatë, shumë kohë pas vdekjes. Po skulptori, të verbër e ka menduar vallë? Apo e ka menduar perëndi që i ndizte dhe i shuante sytë kur të donte?. Pa të ndalojmë pak këtu! Ky arsyetim po më duket interesant. Po sikur të ketë qënë vërtetë perëndi? Perënditë marrin forma të ndryshme".

Mbylli sytë dhe e çoi në qiell. Homeri u rrëzua. U rrëzua pa u vrarë mbi shkëmbinjtë e bardhë të Olimpit. Ecte rëndë mbi gurë dhe në çdo gjurmë stamponte nga një varg. Mbi çdo varg dhjetra beteja dhe në çdo betejë qindra heronj. Blerimi po mendonte se të gjithë vargjet e "Iliadës" dhe "Odisesë" ishin stampuar mbi gurët e bardhë të Olimpit, pikërisht nga gjurmët e Homerit. Nga gjurmët e tij në tokë. Të gjitha këto i mendoi me sy mbyllur...

"Ah, po"! U kujtua Blerimi për diçka që po i dukej edhe më interesante. "Homeri e ka shkruar veprën e tij me sy mbyllur. Po pse me sy mbyllur? Sepse Ai, shkroi për një ngjarje të ndodhur pesë shekuj para tij. Për një ngjarje që kishte ecur nëpër kohë pa u harruar, por që gjatë rrugës ishte lodhur, zbehur e deformuar, dhe ndoshta kishte humbur diçka nga bukuria, nga e vërteta. Atij do ti duhej ti jepte bukurinë dhe formën e saj origjinale. Për të shkuar atje, ku ishte zhvilluar ngjarja, për t'u shtyrë thellë në kohë, jo pak, por pesëqind vjet, i duhej të mbyllte sytë. Me sytë e mbyllur nuk ka pengesa që ta ndalin vështrimin. Nuk ka kodra e male, as dete. Me sytë e mbyllur e shikon më bukur një ngjarje të largët. I jep format dhe përmasat e duhura. E skalit dhe e lëmon me sytë e mendjes. Këtë do të ketë bërë dhe Homeri. E ka shkruar veprën e vetë me sy mbyllur. Kjo pastaj ka frymëzuar skulptorin të ndërtoj një "bust të gjallë me sy të vdekur".

Blerimi u ndje i kënaqur me këtë arsyetim dhe fërkoi duart i gëzuar. I dha formë një rrëmuje në mëndje, krijuar nga sytë e njeriut të parë që shkroi letërsi. Ndërkaq një pyetje tjetër i vërshoi në tru si prurja e një lumi të turbullt. "Pse zgjodhi të shkruaj për ngjarjet e pesë shekujve më parë?" Turbullira ishte aq e dendur sa nuk shihte asgjë për të formuluar qoftë edhe një përgjigje çfarëdo. Ishte akoma gjimnazist. Një djalosh me kapacitet të kufizuar për të hyrë thellë në nuancat e muzgjeve homerik.

Koha kalonte dhe ai rritej me Homerin në krah. Një peshë shumë e rëndë për krahët e tij të hollë e të dobësuar nga pamundësia. Megjithatë nuk ndahej dot prej "verbërisë" mbi vargjet e diellta që ndriçonin lavdinë e ngritur nga thellësia e tridhjetë e tre shekujve. Ecte nëpër kohë deri sa mbrriti në moshën 25 vjeç. Aty i ra në dorë një libër i sapobotuar i shkrimtarit më në zë të momentit. Fliste për beteja pa fund të dy ushtrive armike në shekuj. Njësoj si në veprën e Homerit edhe këtu, përshkruheshin rrethimet e kështjellës me luftëtarë të armatosur. Rrethimi i parë, i dytë, e me radhë. Përplasje të përgjakshme, humbje e fitore të përkohshme, heronj të pafund që binin në fushën e betejës e në dyluftime të paralajmëruara. Shkrimtari, njësoj si Homeri, kishte zgjedhur një ngjarje të ndodhur pesqind vjet më parë. Përshkrimi i ngjarjeve, lavdia e disfata, gjaku që derdhej, shkatërrimet, kishin përmasa pothuajse homerike.

Blerim Mustafaraj e lexoi me një frymë romanin. Kur mbaroi i hodhi një sy portretit të shkrimtarit botuar në kopertinën e prapme. I kish fshehur sytë nën syze të errëta. Si bashkëkohës i tij, e kuptoi pse përshkruante një kohë aq të largët. Koha e tij e kishte ndaluar të shkruante për të vërtetat e saj. Ndoshta edhe Homeri për të njëjtën arsye kishte shkruar për një kohë të shkuar...

QERIM SKËNDERAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MË TË RËNDA SE PRANGAT...Tregim nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (04.18.2014)
ME IU FOLË HIJEVE QË MË RRETHOJNËCikël poetik nga GASPER PALI (1916-1942) (04.18.2014)
ELEGJI PËR LAJMET NGA SHQIPËRIA 1997Poezi nga VEHBI SKËNDERI (04.18.2014)
QENTË E RRUGËSPoemth nga FASLLI HALITI (04.17.2014)
NË ALARM ËNDËRRASHCikël poetik nga QAZIM SHEHU (04.17.2014)
E ËMBLA E FJALËS SË SHPIRTITLexim i librit të poetit Gazmend Dashi, "E bukura e fjalës së shpirti"Nga RRUSTEM GECI (04.17.2014)
'TRIBUNARËT'Prozë nga QERIM SKËNDERAJ (04.17.2014)
NUK KA DHIMBJE QË TË NJOHË KUFITre poetë të përkthyer nga FASLLI HALITI (04.16.2014)
JAHO MARGJEKA, FENOMEN LETRAR I HESHTUREsé nga RAMIZ LUSHAJ (04.16.2014)
NJË DARKË QË NUK E KAM 'PAGUAR' AKOMAKujtimit të Atë Dhimitër PriftitTregim i jetuar nga PËRPARIM HYSI (04.16.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]