VETJA MË DUKET ODISE I LODHUR 12 poezi nga KOLEC TRABOINI Nga libri “U dashka të dal natën vonëâ€, 2012
E Shtunë, 04.19.2014, 10:23am (GMT+1)
1- ATME
Qëkur Atdheu e treti brenda vetes trupin e tim eti çfarë më mungon tek njeri e gjej tek tjetri
2-CAKU I FUNDIT
Pas udhëtimesh të pafund në vende të largëta Atdheu është caku i fundit i njeriut...
3- TUNG NGA ITAKA
Tung miqtë e mi poetikë gjithhapsinorë - Ju flas nga Atdheu! U ktheva në shtëpinë time të vjetër e pi kafe në ballkon. Vetja më duket Odise i lodhur nga udhëtimet e largëta - i grindur me veten tek sheh mëtonjësit, që Penelopës së tij i sillen përqark ...e ndjehem fatkeq.
Tek rrok me vështrim rrugët e sheshet e Tiranës - mendoj, jo për kthimin tim, por, për moskthimet e të tjerëve që se prajnë Ikjadën e marrakatjen nëpër botë.
Mendoj dhe për Itakën tonë të përbashkët së cilës i kanë kthyer krahët e ikin, veç ikin, se një shkak për të ikur gjendet gjithmonë.
Lënë pas një Atdhe të zgërlaqun nga politika ku çdo natë serviren sllogane të pista si të ishim një popull trushplarë e mjeranë a robotë të programuar me frazeologji shterpë - plehra televizive e silazh politik, çdo natë në Tiranë.
Sa keq, sa keq...! Asgjë nuk ndryshon nga e djeshmja në mentalitet. Itakë është - apo një stan i ndyrë politik, ky dreq?!
4- DIMRI NE TIRANE
I drithërueshëm ky dimër në Tiranë shiu e balta s'më ndahen vdekja rrugëve turfullon si kalë semafor ta ndalojë nuk ka këmbët në pellgje më lagen.
Përmbyten fshatrat në veri rrufjanët politikë në TV kurvërohen do t`i dëgjosh përnatë, do s'do. - Vizat për Europë janë gati! Politika e bën shurrën ngado...
Mpleksur në filtrat e shpirtit janë dimri, shiu, atdheu dhe balta malli e halli drita dhe errësira buzëqeshja dhe skërmitja puthja dhe kafshimi pëllumbi dhe plumbi
të mençurit që heshtin ...e budallenjtë që flasin!
5- KOHE E EGER
E rëndë, e plumbtë u lëshua nga qiejt kjo natë dhjetori e frikshme për vdekje e frymëmarrja si erë, sonte
shuhet nëpër konstruksione metalike pa gjetur kurrkund një trup prej mishi të butë dhe dora u tha e rreshkur për prekje.
As që bëhet fjalë për puthje të nxehtë se koha e puthjeve është tretur diku përtej detit në horizontet e ikjes.
Njerëzit kafshojnë dallgë e shkuma pi zogj nën klithje legjendash pa trajtë e pa formë që e kthyen të metaltë kohën tonë.
Gjithçka është shkimur në horizont tanimë somnanbul në këtë natë dhjetori më kot për një prekje prej mishi të butë
kërkoj ... e kafshoj vetveten.
6- ME KRISHTIN ME BASHKON REVOLTA NE TREGUN E KRIPES
Mos më flisni për kurora dafinash lavdërtare, i urrej lavdimëdhenjtë, të shpifurit që nga mëngjesi në mbrëmje
e, në është e domosdoshme një kurorë mbi krye gjithsekush ta mbajë në këtë jetë - do të zgjidhja
një kurorë ferrash si Krishti, anipse nuk kam asnjë tipar që më afron me Krishtin veç revoltës në tregun e kripës.
Në atë sens, po. E dua një kurorë me gjemba: e të drejtën për të thirrur: Jepini popullit kripë! Poshtë qeveritarët që nuk dinë t'ia shterin rrjedhjen e lotëve njeriut!
...Prej dy mijë vjet kjo klithëm!
7- JUDA, PEMET DHE LITARI
Jam dëshmitar sesi Judë Iskariot i shpallur qeveritar në këtë vend trumbeton lumturi për popullin e vet.
Në sfond të një litari në një degë peme jam i dënuar edhe unë ta shoh e ta dëgjoj zërin prej zgavre.
Direktiva qeverisjes së tij tinzare për ditën e sotme është:
- Të mbjellim sa më shumë pemë e litar të prodhojmë sa më shumë për popullin...
8- ME VRISNI DHE MUA...
Ju hije shpellore me fytyrë njeriu ju vrasës gjakftohtë në kolltukë qeverish që armët i keni për të mbrojtur njeriun por i vrisni njerëzit si kuajt, në rrugë.
Më vrisni dhe mua qenër, më vrisni! S'e dua jetën nën ju!
Këtu jam në shtëpinë time por, për t'ua bërë më të lehtë vrasjen po dal edhe unë me popullin në rrugë.
Në dorë do mbaj të Atdheut flamur dhe për t'ju dhënë alibi për krimin do të mbaj në dorë edhe një gur.
Më vrisni dhe mua, qenër! Më vrisni!
9- THEMBRA E AKILIT
Në Veri bie borë - në Tiranë mizëri në Kandahar shqipot vriten- familjet në zi si çakenj politikët - skërmiten në TV-i.
Disa me çdo çmim s'duan të ikin të tjerët me çdo kusht duan të vijnë balashë e kaltrashë- kuqalashë fytyrminj.
O zot pse ky popull kurrë s'zuri mend hajdutët e kopukët i zgjedh në Kuvend ku lehin si qentë- bëhen gaz për çdokënd.
Pse vallë mallkojmë ata që pushtetin e kanë e mendjen s'e vrasim për ata që vijnë pranë mes njërit e tjetrit ndryshimet ku janë?
Burra-kurvat s'duan të dinë për t'mjerën Shqipëri lapërdharët harrojnë a bëjnë sikur s'dinë se për këdo në këtë botë këmbana do të bijë.
Sado që të zgjasë tërbimi i Akilit vjen koha dhe ora për thembrën e tij...
22 shkurt 2012
10- U DASHKA TE DAL NATEN VONE...
Mbrëmë vonë dola në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, të rënëve - që ky bulevard të ishte i lirë si vetë Liria. Por, Liria shpeshherë gjendet ngushtë si pëllumb i përgjakur, i plagosur sa ndalon edhe frymëmarrjen e pishave që i lëshuan halat e tyre të vrara këtë dimër prej breshërisë së plumbave mbi trupat e pajetë të demostruesve me sy të hapur e të ngrirë drejt qiellit të murrëtyer në atë ditë të egër pa ditur se pse duhej të vdisnin.
Dëshmorët emrat e të cilëve mban ky Bulevard përballë ndërtesës qeveritare u bënë vend dhe katër të ardhurve në Panteonin e Kombit pa ditur dhe ata pse kishin luftuar e pse kishin rënë dhe a duhej që kujtimin e tyre ta përgjaknin.
Mbrëmë dola në Bulevardin Dëshmorët e Kombit - kudo zotëronte errësira dhe frika policët e fshehur pas kolonave përgjonin trupin tim si hije e dyshimtë tek afrohesha pranë luleve e banderolave si një ushtar pas një beteje të frikshme ku humbës ishin të gjithë.
U dashka të kemi dhe ne një Vaterlo u dashka të kemi një Napoleon në çdo kohë u dashka të kemi dhe kufoma u dashka të dal natën për të mundur errësirën që kish pllakosur në gjoksin tim.
U dashka të ndez një qiri amshimi për paqe në të cilin flakërojnë shpirtat e ikur me nga një plumb qorr në pabesi. U dashka, që gryka e automatikut t`i drejtohet hijes sime të vogël se përbëka një rrezik për shtetin.
U dashka të dal natën vonë për të vrarë frikën. se frika qenka më e rëndë se vdekja. Më mirë qenka të vritesh!
11- EUTHANASIA
Më thoni pse janë intelektualët pse është shteti dhe pse janë litarët - njeri në punë të ndërgjegjes e tjetri në punë të xhelatit?
Që të ketë një alibi shoqëria intelektualit i duhet vetflijimi pasi të braktiset, të zbohet si Krisht në kalvar të rrëzohet.
Të shkruajnë pastaj gazetat politikët të dërgojnë ngushëllime mbi trupin e pajetë të viktimës pa harruar të mbajnë dhe fjalime...
I braktisur nën dhè në të gjallë i lavdëruar deri në qiell në të vdekur ky është fati i intelektualit- fatziut dhe ndërgjegja e pavrarë e njeriut.
Të blesh një litar qenka më e lehtë Se të luftosh me të keqen në këtë jetë...
26 prill 2012
12- VETKRYQEZIM
Drurin dhe gozhdët i kam zgjedhur vetë e kryqin në shpatull e kam lënë t'më bjerë më pëlqen më shumë të jem Krisht në kalvar sesa Judë me 30 aspra argjendi të jem.
Çdo Judë paralli mund të bëhet deputet sot është e pakuptimtë sakrifica për të tjerë të mirin e të varfrin i quajnë Don Kishotë kusarin - president e të ndershmin - qyq i mjerë.
KOLEC TRABOINI
|