E Premte, 04.26.2024, 12:45am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
AMANETI
Tregim nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ

E Djelë, 04.20.2014, 07:48am (GMT+1)


Mërgimi



Mërgimi...
ah, mërgimi...
kjo plagë e rëndë,
e shkaktuar jo nga plumbi,
por nga malli i zhurritur,
për një gurë e për një dru,
për gurgullimën e përroit me zhurmë,
për një shkrep a një shpat mali,
për flladin detar...
për murlanin e Sharrit,
të Alpeve a të Korabit...
për diellin që ngroh shpirtin e atdhetarit,
për një serenatë korçare ...
a një polifoni labe,
për çiftelinë a cylën dyjare,
për prushin në vatër e tymin në oxhaqe,
për brumin që vjen në magje,
për drynët e ndryshkur
që mbyllën sa e sa pragje,
për vajzat dhe djemtë lastarë
që ta bëjnë shpirtin behar.
Eh, kurbeti...
I rëndë si vreri!
I huaj në dhe' të huaj mbeti.
Atje...
Atje tejjjj... larg,
në vetmi mallin e treti.
Në kurbet për çfarë s' ke mall?!
Për nënë...edhe për babë...
për të shtrenjtën tokën time,
për një fjalë të ëmbël shqipe.
I mallkuar qoftë...
ai që shpiku kurbetin...
Mërgimtari...
pa atdhe...
i huaj mbeti,
kohëgjëmat që sjell tërmeti!


AMANETI

Kishin vite larguar nga vendlindja. Ata ishin tre shokë qysh nga fëmijërija. U rritën, kryen arsimin e mesëm ,,,secili në profilin e vetë, sipas mundësive veçse pushimet përherë i bashkonin. Me kohdhe shoqëria e tyre u rrit e u forcua aq shumë, sa mezi prisnin takimet e radhës. Vonë, kur nisën ta konceptonin lirinë e vërtetë, deklamimi ideor dhe parimor i sistemit të kohës i kishte zhgënjyer, sepse në kundërshtim me atë që thuhej e propagandohej, jeta ishte shndërruar në dhunë e humbje të drejtash humane, sidomos për rininë e cila kishte tjetër vizion për botën. Atëherë të kushtëzuar, nën trysninë e zhvillimeve të mbrapshta të kohës, përballë pakënaqësisë patën një përputhje mendimesh të përbashkëta. Komunizmi nuk ishte gjella e parapëlqyer për shijen e tyre, me të cilën ata donin të ushqeheshin dhe të formoheshin si individ të lirë. Ndaj për të realizuar individualitetin dhe personalitetin e tyre, zgjodhën rrugën e vështirë e të hidhur të mërgimit. I kishin dhënë fjalën njëri-tjetrit se vetëm vdekja do t' i ndante...

  Pasi bënë nga një dorë para në vend të huaj, vendosën të ktheheshin në atdhe. Ishte një vendim i paramenduar dhe i paravendosur prej kohësh, por politika drakoniane i kishte nxjerrë të jashtëligjshëm. Si të tillë nuk kishin të drejtë të shkelnin në tokën amë, ndaj për shumë vite kthimi në vendlindje kishte ngelur i gdhendur në ëndrrat e tyre si një dëshirë përvëluese e parealizuar.

   Së fundmi ëndrra u bë realitet...

   Veçse tani nuk ishin më tre, por dy.

  "Përse vallë e thyem besën?! Përse vallë tashmë perustisë (këmbjes) t'i mungojë njëra këmbë?A nuk është mëkat i madh?!" - secili nga ata pyeste ndërgjegjen, teksa ishin ulur në avion dhe kishin lidhur rripat e sigurimit. Ishin aq të heshtur, sa heshtja e njerit mohonte praninë e tjetrit. Ndërsa dëgjonin udhëzimet e stiuardesës, çdonjëri më vete ,diçka sillte ndërmend. Ndoshta kujtonin të njëjtën gjë, madje pa pyetur për mendimet e tjetrit. Një gjë ishte mëse e qartë, se të dy, të pavarur në ndërgjegje, udhëtonin përmes imagjinatës si në kohë, ashtu edhe në hapësirë.

-Kush e mendonte se do të merrnim  rrugë  për në atdhe një ditë?!- si i kthyer në realitet, Enkeli theu heshtjen i pari.

-Paskemi qenë në të njëjtin udhëtim ndërgjegjësor, në të njëjtat shina...Si ti, edhe unë solla ndërmend ditën e parë kur u nisëm,- ia priti Muzaku.

-E kush mund ta besonte, se do të vinte një ditë dhe koha do të na lejonte të shkelnim në tokën amtare? Madje ende nuk jam i bindur, se nuk do të na sjellin pengesa atje larg, në tokën mëmë, pasi aq shumë e kam humbur besimin, sa...

-Kur u nisëm drejt së panjohurës, ishim tre...kurse tani, na mungon Gjergji. Ndoshta "Ai" u dashurua më shumë me kontinentin Amerikan, se sa ne... Ose, ose ishte fati...

   -Ndoshta ishte fati i tij ?! Fati i kishte rezervuar një rrugë pa kthim,një biletë vetëm për vajtje ...Iku nga vatra prindërore dhe...- Enkeli u zhyt në mendime, sikur dhembja u vetëgëlltit brenda qenies së tij, ndërsa avioni çante ajrin, duke përshkuar hapësirën mbi oqeanin Atllantik. Sapo Muzaku vuri kufjet në veshë dhe dëgjonte muzikë, shoku e mori me mend...

"Atij shpesh herë i pëlqen të dëgjojë këngën "Qeraxhiu i Grebenesë". Edhe pse teksti i saj bën fjalë për ata shqiptarë që linin kockat në dhe të huaj, duke luftuar jo për vendin e tyre, por për të tjerët, përsëri ai emigrant e fut veten sikur ka marrë pjesë në luftë. Jeta e emigrantit të çdo kohe, është luftë për bukën e gojës, është një betejë mes vdekjes dhe mbijetesës në një vend të huaj, ku flitet një gjuhë tjetër, ku është kultivuar kulturë dhe është ndërtuar sistem ekonomiko-social ndryshe. Të dyve na duket sikur po kthehemi "fitimtarë" nga beteja e gjatë mes jetës dhe vdekjes. Nganjëherë harrojmë dhe kapim trupin me duar, prekim gjymtyrët, shohim shembëlltyrën tonë në pasqyrë, duke pyetur veten: "Jemi, apo nuk jemi ne? Vërtet jemi gjallë?!" -mendoj se janë pyetje të drejta, sepse emigrimi është kafshatë që nuk kapërdihet kollaj, por ngjan si një kockë që ngec në fyt, e cila zvarget deri sa të merrë gjithë frymën. Jeta në dhé të huaj është një betejë e tejzgjatur, së cilës nuk i dihet kurrë fundi. Jo vetëm që nuk e besonim, por asnjëherë s'na shkonte ndërmend se kjo "luftë" bashkë me të gjitha përpjekjet tona, një ditë do të kishin një limit. Në emigrim e pamundura bëhet e mundur, për shkak të arsyes për të cilën ke lënë pas të shkuarën. Në tru të gëlon i mbilodhur, një mendim i vetëm që është synimi për të arritur qëllimin e mirë, për të cilin mohuam gjithçka. Tani, më shumë se kurrë, e kemi mëse të qartë se lufta është luks për ata që nuk përfshihen në të. Për fat ne e kishim nisur "luftën" dhe duke ecur drejt së panjohurës, mësuam se Zoti duhet të jetë piktor, ndryshe nuk do të kishte kaq shumë ngjyra. E kam fjalën për ngjyrat e jetës. Një jetë pa ngjyra, nuk ka asnjë vlerë, është gri që vetëm di ta përciellë mirë ftohtësinë e vetmisë dhe mallin e zhuritur të mërgimtarit. Ndaj jeta, me larminë e ngjyrave të saj, me vrazhdësinë apo mirësinë që të dhuron, me ritmet apo hopet cilësore dhe sasijore të saj, quhet luftë..."- vazhdoja të meditoja symbyllur, me kokën në mbështetësen e ndenjëses së avionit. Ndërsa shoku im vazhdonte të dëgjonte muzikë...

 

***

 

Prej nisjes nga aeroporti civil "Xhon Kenedi"i New York-ut e deri në Zyrih, ku do të bëhej ndalesa për të marrë avionin për në atdhe, do të fluturonin nëntë orë mbi oqean. Kësisoj kishin kohë me bollëk të flinin dhe të mendonin. Edhe pse ishte udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm, gjithsesi ishte ajo që e kishin pritur prej vitesh, madje përherë në ankth mosbesimi.

Padashur Enkeli e kaloi shikimin nga shoku i tij dhe diçka iu kujtua...U ngrit me vërtik, hapi "port'bagazhin" mbi kokë dhe nisi të kërkonte diçka me duar. Shoku e ndjeu dhe e pyeti...

-Çfarë të shqetëson?

-E more urnën, se nuk ta pashë në dorë pas nisjes nga aeroporti?

-Si mendon ti? A mund ta harroja ndokund një vazo me aq vlerë? Pastaj është një amanet që nuk harrohet lehtë.

-Thashë se...Të dy e dimë se sa rëndësi ka për ne ajo urnë prej porcelani. Amanetin nuk e tret dheu, vëlla, ndaj duhet çuar në vend, ndryshe shpirti nuk të gjen kurrë më qetësi. Aq më tepër që ajo vazo porcelani është ngjyer në  dhembje të mbrujtur me gjak dhe është tejmbarsur me shumë mall.

-Si mund ta lija jashtë vëmendjes diçka për të cilën debatuam aq shumë në aeroport, derisa na i lejuan ta merrnim në dorë...dhe ti beson se unë do ta lija në harresë? Jo, jo miku im, - dhe atë çast Muzaku u ngrit, e mori vazon prej porcelani dhe ia tregoi shokut. Të dy shokët e përkëdhelën urnën sikur ishte qenie e gjallë dhe jo një vazo që mbante hirin e një kufome...Së pari donte që ta bindte shokun se gjithçka ishte në rregull, dhe së dyti donte të qetësonte veten..."Gjithçka mund të ndodhë. Ku i dihet!" -mendoi tek po e vendoste përsëri në çantë. Pastaj u ul në vendin e tij dhe vazhdoi të kotej duke dëgjuar muzikë. "Si lum ky! E kam zili për qetësinë që vetëzotëron, gjë që mua më mungon",- po e zhbironte Enkeli me dashamirësi shokun e tij të fëmijërisë dhe përsëri nisi të rikujtonte ...vazhdoi të udhëtojë ndër vite... Mendimet i galoponin si të harbuara, sikur kërkonin ta ngërthenin kohën që kishte lënë pas, e ta mbanin peng të kujtesës.

"Askush nuk e di, as vet nuk e kuptoj se si mund të bëhen të afërt, të besueshëm dhe të jenë aq të hapur me njëri-tjetrin, njerëz që nuk i lidhin as genet dhe as idetë. Koha ka treguar se jo rrallë herë ndodh që një mik apo një shok të bëhet më i afërt se vëllai. Një miqësi të tillë kishim edhe ne të tre. Kjo lidhje lindi qysh kur luanim me top prej lecke. Me kohë u rrit bashkë me ne dhe më pas u forcua përmes besës që i dhamë shoku-shokut. Në fakt kjo ka qenë tradita jonë e lashtë, ishte kohë tjetër, kur besa jepej vetëm me një të shtrënguar dore. Dy shokët e mi Gjergji dhe Muzaku e kishin biografinë të mirë, kurse unë...isha ndryshe nga ata. Familjen time partia- shtet e shihte me një sy tjetër nënvleftësues. Gjithsesi kjo nuk i pengonte ata të dy të shoqëroheshin me mua. Ky fakt më gëzonte, por shpesh u isha shmangur dhe u bëja bisht bëmave tona të përbashkëta, si e gjithë rinia e çdo kohe. Sa herë më bënin vërejtje dhe ankoheshin ,u përgjigjesha...

-Ju i keni krahët të ngrohta, kurse unë...

-Ne jemi të tre njëlloj...Duam të jemi si ty...sepse nuk na dallon asgjë nga njëri-tjetri. Pastaj as ne nuk dimë të mendojmë ndryshe nga ti. Po jetojmë në gënjeshtra dhe na detyrojnë të mos e pranojmë të vërtetën. Sado i hidhur të jetë realiteti, nuk duhet mohuar.

-E keni gabim. Ju të dy keni si ombrelë një lis të madh që i ka rrënjët te partia, ndaj nuk u përzhit as vapa e korrikut, as nuk ju ftohin ngricat dimërore dhe as nuk ju lagin rrebeshet apo stuhitë. Kurse unë jam një askush, nudo dhe i pambrojtur.

Ata jo vetëm që nuk u shkëputën por e forcuan miqësinë me mua. Në çdo rast të mirë apo të keq, ata më gjendeshin pranë jo vetëm mua ,por edhe familjes sime. Pa qenë ata, dasma ime do të ishte vetëm një celebrim zyrtar. Fal tyre u bë një dasmë e bukur që kurrë nuk e mësova se si dhe kush e organizoi. Aq shumë ishim lidhur me njëri- tjetrin, sa organizonim shëtitje, mbrëmje apo festa të vogla familjare. Na pëlqente t'i jepnim sa më shumë vlera qytetarie jetës. Por këtë lloj argëtimi nuk e shihnin me sy të mirë as Kryetari i Këshillit, as Kryetari i kooperativës dhe as ai i Frontit. Si gjoja për të dhenë shembullin e tyre personal, të dy ata herë-herë i detyronin të punonin në hapjen e tokave të reja, ku na jepej mundësia të qëndronim më shumë kohë bashkë. Në kësi rastesh, brigadieri i kooperativës na i jepte punën veç e veç, që të ishim sa më larg njëri-tjetrit. Veçse ne e gjenim mënyrën që të bashkoheshim e të bisedonim nën zë për situatën e rënduar në vend.

Një ditë na kishin caktuar të punonim në Fëngjet e Shullërit. Mirë unë se punë krahu bëja, po ata të dy përse?! Punë e rëndë dhe ata të dy ishin me shkollë profesionale. Gjergji ishte zooteknik, kurse Muzaku agronom i mesëm. Kur i pashë, i pyeta i tejhabitur, i zgurdulluar pasi nuk e dija që i kishin vënë në rreth të kuq edhe ata. Ndërsa në fytet tanë të tharë për një pikë qumësht, zvargej babanacja e shoqëruar me dy kokrriza sheqeri apo me gjynmë kokrre qepë, ne të tre nisëm avazin...

-Tani që na la dhe "motra e dashur aziatike", keq e kemi punën,-ia nisi Gjergji.

-Kur kemi qenë ndonjëherë mirë? Ky është bollëku i socializmit...Nuk di ku shkuan lugët prej floriri?!- pyeti duke fërgëlluar Muzaku.

-Ka dhe më keq se ne...-ua preva këtë bisedë të rrezikshme.

-Jo, jo Enkel,jo. As kafshët nuk bëjnë jetën tonë. Së paku ato janë të lira, kurse neve na kanë ngërthyer si miun në çark. Jemi prindër tani dhe si të tillë kemi përgjegjësi.

-Gjergji ka të drejtë...Është babai i dy fëmijëve. Unë kam një vajzë kurse  ti, ke një djalë. Me se do t'i rrisim vallë? As me bukë misri nuk i ngopim dot. Gruas sime i iku qumështi. Me se do ta ushqejë vajzën vallë. Yt bir u rrit dhe ka nevojë për një motër... Enkel, a e merrë dot një përgjegjësi të tillë?

-E quaj si të shpejtuar heqjen e oborrit kooperativist,- doja ta zbusja disi bisedën e ashpër .

-Fol hapur me ne,Enkel. Partia -shtet ka bërë krim me ne shqiptarët. Na e ka futur varfërinë në mendje, e në çdo qelizë. Një stomak i uritur, ushqen një trup shëndetlig që nuk i hynë askujt në punë. Tek një skelet gjendet një tru i boshatisur. Kujt i shërben vallë? Hiqemi zvarrë vetëm për të frymuar? Jo... Një nivel ekonomik që është turp të japësh shifra, është padrejtësia më e madhe që na bëhet.  

-Muzaku thotë të vërtetën e hidhur, lidhur me atë që po ndodh tek ne...,- i dha të drejtë Gjergji.

-Kështu nuk mund të vazhdohet.,jo...

-Atëherë çfarë duhet të bëjmë vëllezër? Nëse nuk i përballojmë dot  vështirësitë e jetës, mos duhet të vrasim veten? E çfarë u kuptua pastaj? - i pyeta.

-Unë nuk qëndroj më këtu...Do të iki nga sytë këmbët...

-Gjergj, mblidh mendjen! Mos u çmende?

-Jo, Enkel, jo..., nuk është i çmendur. Nuk e duron dot shikimin lutës të gruas dhe të fëmijëve kur shkon në mbrëmje me duar bosh. Tridhjetë lekë për ditë pune përse hyjnë në punë vallë? Nuk shërbejnë për asgjë. Fëmijët tanë kanë nevojë të rriten të shëndetdshëm, të arsimohen dhe nesër të jenë "dikushi". Po me se? E vetmja mundësi e jona është arratisja.

-Ne i kemi dhënë besën njëri-tjetrit se nuk do të ndahemi. Kurse ti po kërkon të shkëputesh nga ne. Kur thyhet një këmbë e perustisë, ajo nuk qëndon dot në këmbë. Pastaj duke e lënë familjen në mëshirën e fatit si do ta përballojë jot shoqe me dy fëmijë dhe pa burrë?

-Enkel, puna ka arritur deri aty, sa nuk mban më ujë pilafi. Duke u arratisur do të jem në gjendje të punoj dhe do t'ju dërgoj të holla që andej. Do t'i quajnë fëmijët e një tradhtari, me një baba të arratisur, por ama nuk do të vuajnë për bukën e gojës.

-Nëse do t'i lënë të qetë, se kampet e inetrnimit i kanë dyert hapur,- ia prita.

-Më vjen keq që duhet t'i lemë të gjitha pas krahëve, njerëzit më të dashur, atdheun e sa të tjera që do të na mungojnë, por... O ikim të tre bashkë, o asnjëri nga ne,- e preu Muzaku si me sëpatë.
VILHELME VRANARI HAXHIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PËRBALLË NJËRI TJETRIT dhe ÇDO GJË SONTE PO QANNga ADEM ZAPLLUZHA, dy tregime poetike nga libri “Fjetëm njëqind shekuj” (04.19.2014)
KUR DITA E MURME SHI PIKONTri poezi të reja nga PËRPARIM HYSI (04.19.2014)
VETJA MË DUKET ODISE I LODHUR12 poezi nga KOLEC TRABOINI Nga libri “U dashka të dal natën vonë”, 2012 (04.19.2014)
SYTË E HOMERITProzë nga QERIM SKËNDERAJ (04.19.2014)
MË TË RËNDA SE PRANGAT...Tregim nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (04.18.2014)
ME IU FOLË HIJEVE QË MË RRETHOJNËCikël poetik nga GASPER PALI (1916-1942) (04.18.2014)
ELEGJI PËR LAJMET NGA SHQIPËRIA 1997Poezi nga VEHBI SKËNDERI (04.18.2014)
QENTË E RRUGËSPoemth nga FASLLI HALITI (04.17.2014)
NË ALARM ËNDËRRASHCikël poetik nga QAZIM SHEHU (04.17.2014)
E ËMBLA E FJALËS SË SHPIRTITLexim i librit të poetit Gazmend Dashi, "E bukura e fjalës së shpirti"Nga RRUSTEM GECI (04.17.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]