VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PO IKIN SHOKËT
Poetit dhe mikut, Koçi Petriti
Dy poezi nga FASLLI HALITI

E Djelë, 04.20.2014, 08:58pm (GMT1)



 _____________________
   
 «Po ikin shokët çdo vit, Ata Që më donin,
   Ata  Që adhuroja, Dhe më adhuronin»
______________________

 
  Po ikin shokët
                          
               Poetit dhe mikut, Koçi Petriti.   

   Po ikin shokët çdo vit
Shokët fillores
Liceut
Letësisë.

Po ikin
Ata
Që  çmoja
Dhe s'më çmonin
Ata
Që më çmonin
Dhe s'i çmoja
Ata
Që njihja
Dhe s'më njihnin
Ata
Që më njihnin
Dhe s'i njihja
Ata
Që doja
dhe s'më donin
Ata
Që më donin
Dhe s'i doja
Ata
Që adhuroja
E s'më adhuronin
Ata
Që më adhuronin
Dhe s'i adhuroja.

Po ikin shokët që çmoja
Dhe s'më çmonin
Shokët që doja
Dhe
S'më donin...

Shkurt, 2012



Sergej Eseninit

         
                     Në përcjellje të Koçi Petritit

Kur të varrosi Rusia
Nuk të mbuloi me dhè,
Përsipër të hodhi mëngjese,
Perëndime,
Re.

Të mbuloi Rusia me purpure,
Me gjethe,
Puhiza,
Me pellgje,
Rrëkera,
Dashurira të lira,

Rusia të mbuloi me blerim,
Të mbuloi me mbrëmje rozë,
Të vuri në varr një kuvertë mjegullore,
Mbi varr të mbolli një berjozë,
Pllakë mermeri të vuri mbi varr,
Kashtën e Kumtrit
Kurorë trëndafilash të bardhë,
Netët të qanë me lot vese
Plasën vjeshtat për ty në dënesë.

1967, Zëri i rinisë


*Poeti dhe miku im Koçi Petriti, i pëlqente këto dy poezi,
 ndaj dhe unë  po e përcjell me këto dy poezi.   


FASLLI HALITI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.