VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

UNË I VERBËRI QË NJË JETË TË TËRË NUK PASHË ERRËSIRË
Cikël poetik nga FASLLI HALITI

E Martë, 04.22.2014, 04:35pm (GMT1)




NAIVJA IME

E dashura ime,
Inoçentja,
Naivja ime,
Sinqeriteti im.
Kopshti me mollë,
Me pjeshkë e qershi,
Pjeshka ime,
Ty
Kërkojnë të t'i djegin petalet me zjarr zilish,
Kërkojnë të t'i thajnë zambakët, trëndafilat,
Me cingërima dhe akuj xhelozish.

Dhe mua më duhet të të mbroj duke të dashuruar dyfish...

2011  


DORA

Dora hapet,
Mbyllet.
Dora
Kap,
Lëshon,
Jep dhe merr,
Vë dhe heq pranga,
Lidh dhe zgjidh zinxhirë,
Vë  dhe heq litarin,
Godet dhe përkëdhel,
Ngul dhe shkul,
Ngre dhe shemb;
Mbiell dhe korr,
Hap e mbyll dyer.
Dora lan
Dora lyen;
Dora lan dorën,  
E majta lan të djathtën,
E djathta të majtën,
Të dyja lajnë njera tjetrën;
Dora
Është flori,
Dora është topuz;
Ndan dhe bashkon
Dora, pykë,
Ndan dhe çan.
Dora pajton,
Dora bëhet grusht,
Bëhet pëllëmbë, qëllon,
Të  lë  pesë gishta në faqe
Dora përkëdhel;
Dor flet me gishta,
Flet pa gramatikë,
Pasintaksë,
Pa morfologji,
Pa gabime ortografike, ortoepike,
Dora  bën dhe çbën çdo gjë.
Dora
Autore e çdo vepre,
Autore e çdo ndërtimi,
Autore e çdo konstruksioni,
Autore e çdo shembjeje, shkatërrimi,
Dora firmos lindjet dhe vdekjet,
Dora
Fut dhe nxjerr,
Mbërthen e zbërthen,
Ndez dhe shuan;
Gris
Dhe arnon,
Ngjit
Dhe shqit,
Qep dhe shqep,
Zbardh dhe nxin.
Njeriu s'bën dot pa duar.
Vetëm Zoti bën dhe çbën.

Të bëhet tha Zoti!

Dhe u bë.
U bë dita, nata
Qielli, dielli, hëna,
Yjet.
U bë toka dhe ujërat,  
U bënë erërat, breshëri, vetëtima, rrufeja...
U bënë kafshët, shpendët, hidrikët, reptilët, viruset.
Edhe çudibërësi i përrallës i thotë mbretit si një zot virtual:
Unë e shëroj djalin tënd madhëri.
Nëse më gjendet një kostum
Që të mos jetë prerë me gërshërë,
Të mos jetë qepur
Me gjilpërë,
Prerë e shpuar,

Vetëm Zoti dhe përrallat presin dhe qepin pa duar...


10 tetor 2010


NE TË DY

Ti me sy të kaltër, një jetë të tërë
S'paske parë
Dritë,
Diell
Kaltërsi.
Po unë i verbri
Që një jetë të tërë s'pashë errësirë me sy ?

2011


BUMERANGU

Me para
Ha
Dhe të hanë
Vret  
Dhe të vrasin
Blen
Dhe të blejnë
Tradhton
Dhe të tradhtojnë...
Shemb
Dhe të shembin
Ther
Dhe të therin
Shkul
Dhe të shkulin
Nxin
Dhe të nxijnë
Rrjep
Dhe të rrjepin
Djeg
Dhe të djegin

Shkurt 2012

KA

Ka xixa
Që xixëllojnë
Ka shkëndija që shkëndijojnë,
Ka shkëndija që shkreptijnë flakë
Ka shkëndija që s'e ndezin eshkën, fitilin
Por ka dhe xixa dhe shkëndija që s'bëhen zjarr
Ka dhe zjarr që djeg, po s'ngroh
As në dimër, acar....


Tetor, 2011


FASLLI HALITI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.