VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHIU MJEROHET PËR NJERËZIT
Katër poezi të reja nga QAZIM SHEHU

E Mërkurë, 04.23.2014, 09:09am (GMT1)



AVIONËT

Kush i pari e shpiku shokun
Zogu avionin apo avioni zogun.
Të dy njësoj i çajnë retë,
Të dy njësoj ndërrojnë foletë,
Ngjiten në qiell ,ulen në tokë,
Bëjnë pikiatë nga qiell i hirtë,
Ajrin çajnë me krahë plot dritë.
Erdh një kohë u rralluan zogjtë,
Avionët u shtuan e shoqishojnë,
 e ndjekin qiejve gjithë gjëmim,
zogjtë mbetën relike,
ç`trishtim,
dhe kur shfaqen rrallë, sa rrallë,
më tepër se njëqind avionë sjellin mall....






AKUARIUM

Atë e shoh në akuariumin e hijes së ngrohtë të tjetrit,
Rritet përmes madhështisë së tij,
Me siguri në akuarium do jetë vënë kur ka lindur,
Do ketë pasur ftohtë ky njeri.
Kur tjetri mos ketë më ç`ti japë,
Të ketë humbur çelsat e kurdisjes,
Do e lajnë si kukull  në vaskë,
Pa akuarumin çudibërsës...




BRAKTISJA

Era kuis sikur me shqelm t`i kenë rënë në bark.
Mbërthen kulmin e çatisë,
Pastaj vërshon nga lart,
Dhe më hyn në shpirt,
Teksa mendoj për shtëpinë time në fshat.
Më ngjan se nga kulmi u shkëputën duart e gjyshërve,
U përhapën gjethe në hapësirë,
Pasi s`gjetën përreth një fytyrë,
Për t`i thënë lamtumirë.
Era kuis, ndërsa ne aty s`na gjen,
Inatin me gjyshërit e shfren...






SHI

Shiu mjerohet për njerëzit,
Për njerëzit ëmbëlsohet,
Kur bie me të egër,
Butë kur shtrohet.
Natyra qan me lotët e tij,
Qajnë hapësirat që na shohin,
Bubullimat e dështuara në madhështi,
Dhe madhështitë që  na lodhin.
Duke na i prurë ky shi
Me ëndrra të ngrohta
Që na sjellin ftohtësi...

QAZIM SHEHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.